Bibliotekonomia ne edicionin e 9-te

Bibliotekonomia ne edicionin e 9-te

Në edicionin e nëntë të Konferencës së Bibliotekonomisë, dy bibliotekat kombëtare, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës u ndalën tek aftësimi në informacion përmes teknologjive të reja dhe komunikimit. Synimi është te kthimi i vëmendjes te lexuesi i ri dhe krijimi i hapësirave për fëmijët dhe moshat e vogla në biblioteka. Dje edhe sot zhvillon punimet edicioni i nëntë i Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë”, organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”. Këtë vit tema ishte “Aftësimi në informacion përmes teknologjive të reja dhe komunikimit”.

Dita e parë e kësaj konference, e cila u mbajt në mjediset e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, u përshëndet nga drejtoresha e BKSH-së, Persida Asllani dhe drejtori i BKK “Pjetër Bogdani”, Bedri Zyberaj.

E pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

“Të kthejmë vëmendjen tek lexuesi i ri dhe të përpiqemi të krijojmë në hapësirën e bibliotekës një vend të dashur për fëmijët dhe moshat e vogla. Edukimi me librin, si dhe edukimi përmes artit mbetet një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës, por edhe një sfidë për një qasje të re komunikimi me lexuesin. E vlerësoj tematikën e kësaj konference, e cila ka në thelb të zhvillimit të saj teknologjitë e reja të komunikimit. Duhet të punojmë fort sot që të përgatisim lexuesin e së nesërmes. Bashkëpunimi institucional me Kosovën në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë për vitin 2014 mbetet një nga bashkëpunimet më të suksesshme të dy ministrive respektive të Kulturës, i cili nuk u realizua vetëm si një marrëveshje institucionale, por e zgjeroi kalendarin artistik të një hapësire të përbashkët edhe me nismat e lira artistike e kulturore jashtë këtij formati zyrtar. Ju premtoj se në vitin e ardhshëm do të kemi një kalendar edhe më të pasur në projekte dhe ide”, – u shpreh në fjalën e saj përshëndetëse ministrja Kumbaro.

Shaban Buza mbajti një kumtesë mbi ndikimin e informacionit në krijimin e profilit të kërkuesit; Etleva Domi preku çështjen e aftësimit në informacion; Aida Braho u ndal te bibliotekat dhe bibliotekarët si aktorë kryesorë në ekologjinë e konfiguruar nga TIK; Liridon Zekaj trajtoi çështjen e bibliotekës në epokën e shpërndarjeve në rrjetet sociale, (Enilda Kola e Brunilda Tahiri sollën Webografinë, tashmë si realitet edhe për bibliotekat shqiptare, Ramazan Vozga kumtoi mbi kërkimin bibliografik në epokën dixhitale etj.

Synimi i kësaj konference është trajtimi i problematikave që lidhen me zhvillimin e mendimit profesional në fushën e shkencës së bibliotekonomisë, me funksionimin e sistemit të bibliotekave në Shqipëri dhe Kosovë, në mënyrë të veçantë në kuadrin e sfidave globale euro-amerikane e botërore.

Në konferencë marrin pjesë autoritete të drejtimit dhe menaxhimit të bibliotekave kombëtare, universitare, publike etj., si dhe specialistë të bibliotekonomisë nga të dyja vendet.Dita e dytë e konferencës do të mbahet sot në Bibliotekën Publike “Qemal Baholli” në qytetin e Elbasanit. Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, me rastin e hapjes së kësaj konference të edicionit të nëntë ka botuar edhe tekstin e “Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë” të edicionit të tetë, në të cilën janë përfshirë ligjërata nga fusha e bibliotekarisë, veçanërisht nga koleksionet kombëtare e kujtesa kombëtare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama