Biblioterapia kur librat te ndihmojne te sherohesh

Biblioterapia, kur librat të ndihmojnë të shërohesh
"Kam lexuar një libër që më bëri të kuptoj më mirë atë që ndiej", kjo është fraza që e dëgjojmë të përsëritet pafundësisht gjatë gjithë jetës sonë. Tashmë, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh anglezë ka menduar që ta transformojë këtë "fuqi" të veçantë të librave në një lloj sistemi të vërtetë kurimi. Iniciatorët e kanë quajtur "biblioterapia" dhe është një nga shërbimet e shumta që i ofrohet lexuesit nga një librari e re, e cila është hapur në "Bloomsbury", lagje e Londrës, ku lulëzoi këndi letrar me të njëjtin emër, i lidhur me Virginia Woolf, që ende sot ka mbetur zemra letrare e kryeqytetit.

Ky vend është i mbushur plot me shtëpi botuese, revista dhe librari. Libraria e fundit është hapur këto ditë dhe quhet "School of Life" ("Shkolla e Jetës"). Është një lloj "farmacie kulturore" shumë e veçantë, që u ofron vizituesve të saj ushqim për barkun dhe mendjen. Mbi të gjitha kjo librari u garanton një recetë letrare, e cila të ndihmon të kthjellosh problemet e mëdha dhe të vogla të çdo dite: një depresion të përkohshëm, një angazhim që nuk të kënaq, një pasion që të zhgënjen apo një rutinë të mërzitshme familjare.

Që nga emri që ka, libraria tregon se librat, të paktën ata edukativët, mund të na mësojnë shumë gjëra të reja. Shkrimtarët kanë menduar se kultura mund dhe duhet t‘u japë përgjigje edhe problemeve të jetës së përditshme, si ngatërresat familjare, ashtu dhe dhimbjet e dashurisë, apo "torturat" në punë. Pas projektit qëndrojnë shkrimtarë si Alan De Botton (veprat e të cilit janë publikuar në shumë vende të botës), akademikë të njohur si profesor Robert Macfarlane nga Universiteti i Kembrixhit dhe Sophie Howart, ish-kuratore e "Tate Modern Museum".

Këtu njerëzit mund të rrinë pafund duke lexuar, të konsumojnë një briosh, kafe, t‘u kërkojnë mendime personave që ndodhen brenda në bibliotekë, ose thjesht të qetësohen dhe të mendojnë për veten e tyre. "Shpesh jam ndier kaq e zhgënjyer përballë refuzimit të botës intelektuale për të përballuar problemet e përditshme. Njerëzit që vijnë te ne duan të diskutojnë për çështje që i mendojnë vazhdimisht, nga puna te familja. Problemi i vërtetë është se protagonistët e kulturës nuk u flasin kurrë njerëzve për këto gjëra", thotë Howart. Kjo ishte edhe një nga arsyet që Sophie u kërkoi akademikëve dhe shkrimtarëve ta mbushnin këtë zbrazësi komunikimi.

Biblioterapia funksionon kështu: nëse dikush ka një problem, mjafton t‘i shpjegojë një prej bibrashitësve të "School of Life" se për çfarë bëhet fjalë: punë, dashuri, familje apo çfarëdolloj gjëje tjetër dhe do të marrë menjëherë një kuti me gjashtë libra, këshilluar nga profesor Mcfarlane për ndodhi të këtij lloji, shoqëruar bashkë me një shkresë informuese, e cila shpjegon pse janë përzgjedhur pikërisht ata tituj.

Ndërsa për ata që dëshirojnë të thellojnë edhe më shumë njohuritë, biblioteka ofron një program debati pesë mujor, për të folur për çdo lloj problemi dhe se si mund të zgjidhen këto të fundit duke lexuar një libër. Debati do të drejtohet nga shkrimtarja Susan Elderkin. Rezultatet jepen përmes e-mail -it ose telefonit; i gjithë kursi kushton vetëm 50 sterlina, pra më pak se një seancë te psikoanalisti. Kështu, kush dëshiron të bëjë një aventurë në botën magjike të "School of Life", mund të zbresë në katin e parë të një klase të mobiluar me poltronë të kuq lëkure dhe divane me copë leopardi, ku profesorë të ndryshëm bashkëbisedojnë me studentët e tyre jo për formula filozofike, por për vështirësinë e të jetuarit ditë pas dite.

 "School of Life" ofron edhe pushime të shkurtra, ekskursione të ndryshme, lexim romanësh dhe poezish, debate, shoqëruar me një kafe të ngrohtë, për të çlodhur sadopak personat e stresuar. Ideja, shpjegon për të përditshmen "Indipendent" Sophie Howart, është ajo e një farmacie kulturore, ku librat shërbejnë si terapi, të stimulojnë dhe të bëjnë të reflektosh. Për momentin, në dispozicion janë pak libra, por duke parë suksesin, numri i tyre do të rritet ndjeshëm. Përmbajtja e tyre është e ndryshme, mund të gjesh nga këshillat psikologjike "Si mund t‘i mbijetosh jetës familjare", deri tek ato më filozofiket, "Pas ateizmit" dhe manualet e jogës. Çdo titull i destinohet një lexuesi të ndryshëm dhe librat zgjidhen në bazë të problemit. Nuk duhet harruar se për disa lloje depresionesh, një libër i zgjedhur me dashuri vlen më shumë se një "Prozak".

"Librat janë mjaft edukativë dhe një ndër pasuritë më të mëdha që njeriu ka në jetë". E megjithatë, që librat të ndihmojnë dhe të maturojnë, kjo është absolutisht e vërtetë. "Pasi përfundova së lexuari për të 12-ën herë librin ‘Lufta dhe Paqja‘, shkruante në 1951 në ditarin e tij shkrimtari rus Mikhail Prishvin, kuptova më në fund domethënien e ekzistencës sime".

Intervista

"Është një strehë kundër trishtimit"

"Gjithmonë kam menduar se librat janë shpëtimi im". Një shkrimtare tregon se, që në moshën e adoleshencës, kush ishte e trishtuar, ndiente një nevojë fizike për të lexuar medoemos. Ajo pohon se kjo ishte mënyra më e mirë dhe më e thjeshtë për të arritur qetësinë absolute.

Shkrimtarët thonë se të bën mirë për shëndetin, madje për shumë njerëz librat mund të zëvendësohen me ilaçet...

Gjithmonë ka qenë kështu. Nëse ke mendime të ngatërruara, leximi të ndihmon të nxjerrësh të keqen jashtë vetes. Të shpie në një aventurë ndryshe, të çon në një tjetër botë, në një udhëtim special.

Tregimi është si arratisje?

Kryesor është përqendrimi. Në libra mund të gjesh mënyrën për t‘u zhdukur dhe zbavitur, kënaqësinë dhe dëfrimin, por edhe mjetet për të zbuluar botën dhe vetveten. Historitë janë terapeutike, të tillë janë edhe personazhet e gjithashtu dhe jetët e të tjerëve.

Më sipër përmendët "nevojë fizike" dhe "shpëtim". Mund të na e shpjegoni?

Leximi të shkëput nga konfuzioni: unë dhe libri im, hapësira ime private, sekreti dhe koha ime. Një vetëdije dhe nevojë fizike për të rigjetur veten. Kur isha një vajzë e vogël, kërkoja atë moment nga i cili mund të arratisesha diku për të rinisur një histori të lënë pezull, ndieja padurim, emocione për atë takim, ku më në fund të mbetesha vetëm përballë fjalëve. Pikërisht para atyre që të shpëtojnë, sepse leximi të vë në vijë, u jep kuptim gjërave, jep besim dhe të lehtëson.

Mund të thoni titullin e një libri që i përmbledh të gjitha këto?

Natyrisht janë të shumtë, por do të veçoja librin e shkrimtarit Mark Haddon, "Rasti i çuditshëm i qenit të vrarë në mesnatë". Nuk e prisja, nuk e besoja, ishte një surprizë e paparashikueshme, i jashtëzakonshëm. Një himn i optimizmit në vështirësitë e qetësisë, dëlirësia e vështrimit, drita e ekzistencave që të dhemb.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama