Bicaj i kerkon letrat Partizanit nis negociata me klube te tjera

Bicaj i kërkon letrat Partizanit, nis negociata me klube të tjera

Ditmar Bicaj pritet të nisë një aventurë të re në sezonin 2016- 2017, pasi kapitulli "Partizani" konsiderohet i mbyllur për mbrojtësin lezhjan. Ftohja e 27- vjeçarit me të kuqtë nisi që më 4 maj, ku pas derbit ai shpërtheu në "Facebook". Për atë status që kishte lidhje me lënien në stol nga ana e trajnerit Agostineli dhe drejtorit Dervishi, Partizani e pezulloi pa afat Bicajn.

bicaj

Me largimin e kësaj dysheje u la të kuptohej se mbrojtësi nuk do të ndryshonte ambient, por me sa duket e ardhmja e lezhjanit nuk është në të njëjtën korsi me "demat e kuq". Bicaj nuk u përfshi në përgatitjet e skuadrës për Ligën e Europës dhe në këto kushte emri i tij nuk figuroi as në listën që klubi dorëzoi në UEFA për dy sfidat me Slovan Bratislavën. Mësohet se bashkëpunimi mes palëve është i pamundur për sezonin e ri, kështu që Bicaj ka kërkuar lejekalimin nga Partizani për të dalë lojtar i lirë.

Me shumë mundësi, ky operacion do të finalizohet në fund të këtij muaji dhe lezhjani do të nisë shqyrtimin e ofertave për të vendosur se pjesë e cilës skuadër do të jetë në edicionin e ri. Në dy fazat e para të sezonit të shkuar, kur ekipi drejtohej nga Sulejman Starova, Bicaj ishte titullar i padiskutuar te Partizani, por me ndryshimet që ndodhën në janar, mbrojtësi humbi terren karshi nigerianit Sodiq Atada, i cili u afrua te "demat" në merkaton e dimrit.

Ofertat

Para mbylljes së kampionatit të fundit, kohë e cila përkonte me pezullimin e Ditmar Bicajt, u përfol se lezhjani mund t'i bashkohej Skënderbeut ose Kukësit në merkaton e verës. Por këto dy opsione duken të parealizueshme për momentin, pasi te këto klube lojtari do të gjente protagonistët, me të cilët pati probleme te Partizani. Në Korçë ka kaluar trajneri Andrea Agostineli, ndërsa Dritan Dervishi ka marrë detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Kukësit.

Gjithsesi, gjatë ditëve të fundit në skenë kanë dalë disa pista të reja nga klube të Superiores për Bicaj. Flamurtari dhe Vllaznia kanë shprehur dëshirën që ta bëjnë të tyre shtatlartin lezhjan. Por nuk përjashtohet mundësia edhe për një rikthim të mundshëm të 27- vjeçarit te Tirana. Për momentin, mësohet se mbrojtësi kërkon që të ndahet sipas rregullave me Partizanin dhe pasi të marrë dokumentacionin, atëherë ai do të nisë bisedimet me klubet që janë të interesuara për shërbimet e numrit 15-të të të kuqve të kryeqytetit.

Ilir Cara



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama