Pas emërimit të Dritan Dervishit si drejtor i përgjithshëm i Kukësit, u paralajmërua "gjuetia" e klubit verilindor ndaj futbollistëve të Partizanit. Kjo betejë është e justifikueshme, pasi për drejtuesit e ri të kuksianëve, lojtarët që kërkojnë të marrin nga të kuqtë e kryeqytetit nuk kanë nevojë të testohen apo të përshtaten me futbollin shqiptar.
Në mes të ofertave të bëra nga Kukësi në drejtim të lojtarëve të kuq, bën pjesë edhe mbrojtësi Ditmar Bicaj, i cili duhet thënë se nuk pati raporte të mira me drejtorin Dervishi dhe trajnerin Agostineli. Burime të ndryshme pranë lojtarit, por edhe klubit, bëjnë me dije se mbrojtësi lezhjan e ka refuzuar ofertën që i ka mbërritur nga kuksianët, pasi me ndryshimet e fundit, ai nuk ka ndërmend të lëvizë nga Partizani.
"Panorama Sport" e bëri të ditur që para një jave se lezhjani nuk do të ndryshonte ambient pas largimit të dyshes DervishiAgostineli. Ditmar Bicaj e mbylli para kohe sezonin me Partizanin për shkak të një postimi që bëri në profilin e tij në "Facebook" pas derbit të kryeqytetit. Mbrojtësi u pezullua pa afat dhe që pas atij takimi mbeti jashtë klubit. Lezhjani e shprehu qartë se problemet i kishte me trajnerin Agostineli dhe drejtorin Dervishi, të cilët e "salduan" në stol.
Me ndryshimet e fundit, që duhet pranuar se i kanë sjellë buzëqeshjen, Bicaj do të mbetet i kuq edhe për sezonin tjetër, duke ditur që para një viti firmosi kontratë 1+1. Kukësi tentoi edhe Dajën Në listën e dëshirave të merkatos së Kukësit thuhet se bën pjesë edhe mesfushori Asion Daja, të cilit në përfundim të sezonit i ka përfunduar kontrata me Partizanin. Gjasat janë që edhe mesfushori të ndjekë rrugën e Ditmar Bicajt duke mos ndryshuar ambjent edhe për sezonin pasardhës.
Burime pranë klubit kryeqytetas bëjnë me dije se parimisht është rënë dakord për rinovimin e kontratës me Dajën, por të kuqtë ende nuk e ka bërë zyrtare. Partizani i sezonit të ri për momentin mbetet i gjithi në letrat e drejtuesve, pasi deri tani zyrtar është bërë vetëm emërimi i drejtorit të përgjithshëm, Genc Tomori. Ndërsa trajneri i ri dhe prurjet e merkatos mbeten në listën e pritjes.
Ilir Cara