Bie volumi i mallrave të përpunuar në Portin Detar të Durrësit. Megjithëse qeveria ka shtuar përpjekjet për të lehtësuar biznesin e Kosovës për të kryer veprimet në doganën e Durrësit dhe të Morinës, flukset nuk po e reflektojnë këtë ndryshim. Ndërkaq, kjo shifër është surprizë edhe për shifrat që tregojnë gjallërim të importit dhe eksportit në muajt e parë të vitit, sipas Bankës së Shqipërisë. Gjatë periudhës janar-prill të këtij viti në kalatat e Portit të Durrësit janë përpunuar 56 594 tonë mallra më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kështu, statistikat e 4-mujorit të parë të vitit tregojnë se nga anijet dhe tragetet janë ngarkuar dhe shkarkuar 1,036,581 tonë mallra gjithsej, ose 5% më pak sesa në 4-mujorin e parë të vitit paraardhës. Eksportet kanë shënuar një rënie me 15%, duke arritur në shifrën e 455,239 tonë mallra ose 81,130 tonë më pak mallra të eksportuar se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kjo diferencë prej 81,130 tonësh, sipas raportit të Autoritetit Portual Durrës është krijuar nga rënia e eksportit të çimentos dhe mineralit të hekur-nikelit që në vitin 2013 nisi të eksportohet. Diferenca, sipas zëdhënëses së APD-së, Elitjona Doko, do të kishte qenë dhe më e thellë, por ajo është zbutur nga eksporti i mineralit të kromit i cili në këtë fillim viti duket premtues. Ndikim negativ ka pasur edhe tonazhi i eksportuar me kontejnerë, po që pritet rritje e tij në muajt e ardhshëm. Duke iu referuar të dhënave, vihet re se importi ka pësuar një rritje me 4% ose 24,536 tonë mallra të importuar më shumë se e njëjta periudhë e 2013-s, përgjatë së cilës janë importuar 556,806 tonë mallra. Rritjet janë regjistruar kryesisht në importin e skrapit, melaminës dhe plehrave kimikë për shkak të sezonit të mbjelljeve.
Në të njëjtën periudhë edhe numri i udhëtarëve të cilët kanë preferuar të udhëtojnë me traget ka njohur rënie. 149,575 persona kanë preferuar të kalojnë kufirin me tragete, ose 1,684 pasagjerë më pak së viti i kaluar, ndërkohë që numri i veturave, kamionëve dhe trajlerave të përpunuar gjatë 4-mujorit 2014 ka qenë 20,567 mjete.