Bien dergesat financiare te emigranteve shqiptare ne vendlindje

Bien dërgesat financiare të emigrantëve shqiptarë në vendlindje
Shqipëria është një vend me nivel të lartë emigrimi. Në 17-18 vitet e fundit besohet se janë larguar jashtë kufijve afër 1 milion shqiptarë, kryesisht në dy vendet fqinjë Greqi dhe Itali, por dhe në vende të tjera europiane, Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Francë, apo më larg si  në SHBA, Kanada, Australi, Zelenda e Re etj. Mbështetja e tyre fininciare dhe materiale ka qënë një ndihmë e konsiderueshme jo vetëm për famijet, por dhe për ekonominë shqiptare.

Por kohët e fundit është evidentuar ulje e dërgesave të tyre në Shqipëri, ndërkohë që është vënë re fenomeni i rritjes së investimeve dhe kursimeve në vendin pritës. Duke rregulluar letrat e qëndrimit dhe të punësimit, duke u pajisur me pasaporta, një pjesë e tyre ka nisur të mendojë më shumë për stabilitetin ekonomik në vendin ka ka emigruar dhe ku tentohet integrimi.

Në një studim të fundit të Bankës së Shqipërisë kalkulohet se në tre muajt e parë të këtij viti nga emigrantët ka hyrë një kapital rreth 210 milion euro, por po të krahasohet me të njëjtën periudhë të një viti më parë  kjo vlerë është 5 përqind më pak.

Shkaku kryesor i rënies së transfertave: raportet e emigrantëve me vendlindjen

Profesor Adrian Civici, anëtar i bordit të Bankës së Shqipërisë, dhe një analist I njohur i zhvillimeve ekonomike  shikon si shkak kryesor raportet e tyre me vendlindjen pas kaq vitesh në emigrim.

Vërtetohet që pas 15 ose 16 vjet në emigracion bie fluksi i dërgesave monetare për pjesën e familjeve që jetojnë në vendlindje , si pasojë tendencës se shkëputjeve të brezave. Një fenomen i ri që është vënë në studimin më të fundit të Bankës së Shqipërisë është dërgimi i më pak parave dhe realizimi i më shumë investimeve, kryesisht në sektorin e shërbimeve, thotë profesor Civici.

Ekspertët:autoritetet të mendojnë seriozisht për zëvëndësimin e të ardhurave që vinin nga emigrantët

Ulja e dërgesave të emigrantëve është një fenomen i pashmangshëm që ka shoqëruar dhe vënde të tjera dhe për këtë autoritetet, sipas ekspertëve, duhet të filllojnë të mendojnë seriozisht për zëvëndësimin e të ardhurave që deri më tani vinin nga ky burim i konsiderueshëm.

 Në 10 vitet që vijnë ne do të presim ulje të valutës së emigrantëve kryesisht në euro, pasi dhe pjesa më e madhe e tyre janë të përqëndruar në eurozonë. Qeveria duhet të mendojë për burime të reja në zbutjen e bilancit tregëtar, në nxitjen e  eksporteve, ose mënyra të tjera, shprehen ekspertët.
 

Arben Muka/ Tiranë (DW)

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama