Oliver Bierhof është menaxheri i kombëtares gjermane: ka një rol primar në Federatë, në të cilën është pikë referimi në gjithë sektorin e futbollit.
Në Itali e njohin mirë pas viteve të tij tek Askoli, Udineze dhe Milani. Si dje 20 vite më parë, ishte 30 qershori i 1996-ës, kur goli i tij i artë i dorëzoi Gjermanisë në finalen e "Uemblit" ndaj Republikës Çeke titullin e fundit europian.
"Sot në kombëtare ka lojtarë që 20 vite më parë sapo kishin lindur dhe nuk kujtojnë asgjë. Është koha ta freskojmë historinë", thotë ish-sulmuesi për "La Repubblica".
Jeni i bindur se këtë herë është Gjermania ajo që do të kalojë?
Kemi shumë respekt për Italinë, sepse na ka vënë gjithnjë në vështirësi. Por, nga ana tjetër, i njohim cilësitë tona. E dimë që mund të jetë momenti i duhur për ta prishur traditën. Italia është rivalja më e vështirë që mund të kemi takuar.
Përse më e vështira?
Sepse cilësitë tuaja janë pak a shumë të njëjtat: organizim i shkëlqyer, inteligjencë e madhe taktike. Shoh një grup të bashkuar lojtarësh që kuptohen përmendësh dhe që kanë armët për t'i vënë në vështirësi kundërshtarët. Por ne kemi individualitete fantastike dhe lojtarë krijues. Jemi të fortë në zotërimin e topit. Do jetë e rëndësishme të kuptojmë se në çfarë ritmi do arrijmë ta dërgojmë lojën.
Mund të bëhet një krahasim mes Gjermanisë së 20 viteve më parë dhe Italisë së sotme?
Po, analogji ka. Ajo skuadër, si juaja tani, përbëhej nga lojtarë shumë ekspertë, të cilët nuk kanë frikë përballë vështirësive. Por ne kishim shumë elementë, të llojit Klinsman, Këpke, Hesler apo Mëler, të cilët ishin mësuar të luanin në nivele të larta. Për më tepër, ka diferenca mes Gjermanisë së 1996-ës dhe kësaj së sotmes: në atë epokë nuk ishim të lidhur si sot, por dhomat e zhveshjes ishin të ndara në shumë grupe të vogla.
Trapatoni ka thënë se kombëtarja juaj është si Merkel: kërkon të dominojë botën, por vuan me italianët. Jeni dakord?
Po ju jep kurajë. Nëse shikohen rezultatet historike, mund edhe të ketë të drejtë, por situatat janë të ndryshme. Ne ndiejmë se ky është një moment i mirë për ne, që askush nuk mund të na nënvlerësojë, sepse jemi shumë të fortë.
Edhe sepse tani Gjermania është një kombëtare krejtësisht e ndryshme nga ajo e së shkuarës?
Nuk jemi më "pancera" (tanke). Loja jonë dhe futbolli ynë kanë ndryshuar. Jemi treguar të zotë të integrojmë lojtarë të kulturave të tjera si Ozil, Boateng, Khedira, njerëz që japin ide të reja. Kemi investuar shumë në edukimin teknik dhe mbështetemi më pak te fiziku dhe më shumë te teknika. Shoh që njerëzit na vlerësojnë për këtë në të gjithë botën.
Por cili do të jetë çelësi taktik i ndeshjes së Bordosë?
(Qesh) Po ju si kujtoni se do t'ua them? Pikërisht juve?! Jeni çmendur?!
Çfarë mendoni për Lëv dhe Konten?
Lëv ka më tepër përvojë ndërkombëtare, Konte më duket më shumë i ashpër. Trajneri ynë u lejon pak më shumë liri lojtarëve.
Ozil, Kros, Khedira nga njëra anë, Parolo, Xhakerini dhe Sturaro nga tjetra: A nuk duket një përballje e pamundur?
Në fakt është e mundur, sepse Italia ka elementë të tjerë si organizimi, grupi. Dhe në këtë Europian ndikon shumë freskia. Kemi parë lojtarë të mëdhenj që kanë ardhur pak të lodhur psikologjikisht, Spanja për shembull.
Konte, Ranieri, Ançeloti: a është shkolla e trajnerëve italianë më e mira në botë?
Unë e dashuroj Italinë dhe e di sa vlen në futboll. Më vjen keq që e shoh në një moment të tillë futbollin italian, i cili është pak më prapa në krahasim me Anglinë dhe Gjermaninë. Por ju keni traditën dhe lojtarë shumë të edukuar teknikisht dhe jeni të përgatitur në aspektin tekniko-taktik. Uroj që Seria A të rikthehet shpejt në nivelet që i takon. Dhe jam i gëzuar që te Bajerni vjen një trajner italian.
Nëse Gjermania për Italinë është Everesti, siç thotë Florenci, po për Gjermaninë, Italia çfarë është?
Është minimalisht K2 (mali i dytë më i lartë në botë).