Por megjithatë shumë janë ata që janë habitur nga popullariteti i këtij show, që u arrit në një kohë fare të shkurtër, që në edicionin e parë të tij. Banorë të tij janë bërë imazh kult për fansët e tyre, madje dhe politika është përpjekur ti përdorë ata për të fituar simpatinë e militantëve. A mos ndoshta ky “serial televiziv real” përmirëson inteligjencën tonë sociale, apo po sjell rregullat e botës së re moderne? Një gjë është e sigurtë, fenomenet e shoqërisë shqiptare po prezantohen me gjithë kompleksitetin e tyre në hijen e vëllait të madh, publikut
Shtëpia më e famshme në Shqipëri shtrihet në rreth 2 mijë metra katrorë në periferi të kryeqytetit. 24 orë në 24 transmetohet live në 2 kanale televizive gjithçka çka ndodh brenda mureve të saj, 50 telekamera ruajnë çdo lëvizje muskuli të banorëve, ndërsa për çdo sekuencë që transmetohet rreth 30 veta punojnë njëkohësisht në pika montazhi më vete për të ruajtur, përpunuar, e më pas transmetuar çdo detaj të jetës aty brenda. Një produksion i jashtëzakonshëm dhe i pakrahasueshëm në llojin e tij, që për tu realizuar e ka tejkaluar koston e 1 milionë eurove.
Shtëpia e mobiluar nga Rovena Agolli, reflekton ngjyra, komoditet dhe modernizëm në të njëjtin nivel me çdo produksion europian. Çdo të shtunë në mbrëmje, spektakli zbret në skenën e Top Channel në prezantimin tanimë ekskluziv të Arbana Osmanit, në një studio gjithashtu moderne dhe një transmetim live ku nuk mungojnë surprizat, të ftuarit dhe debate. Big Brother Albania renditet ndër produksionet më të suksesshme të kësaj patente në botë. Ky është një fakt i pranuar edhe nga homologët e tij, gjatë takimeve të përvitshme që autorët e kësaj patente bëjnë me producentët televizivë të vendeve që e realizojnë këtë spektakël. Por çfarë i bën shqiptarët të ndjekin këtë spektakël? Si ka arritur ai të fabrikojë personazhe të dashur e të urryer deri në atë pikë sa të tërheqin vëmendjen e departamentit amerikan të shtetit, kujtojmë këtu rastin e Klodit dhe homoseksualiteit të tij të komentuar edhe nga Hilary Klinton.
Formula duket të jetë e thjeshtë, një publiku që konsumon në shumicën e jetës së tij televizion e që dashuron thashethemet, duhet ti servirësh vetveten, ose me saktë një karakter të jetës së përditshme ku ai të gjejë të reflektuar nevojat dhe reagimet e tij. Rezi Aga, autor i Big Brother Albania që në edicionin e parë të tij thotë për Mapo se personazhet e përzgjedhur në këtë spektakël kanë qëllimin ti japin publikut karaktere që shpalosin në një këndvështrim të theksuar fenomene shqiptare.
-Qëllimi është të merremi me individin si një fenomen pjesë e realitetit tonë, por gjithmonë duke i lënë ata të lirë në sjelljet e tyre për të mos krijuar artifica të realitetit shqiptar, -thotë Rezi. Në këtë kontekst në edicionin e këtij viti është synuar të sjellin brenda shtëpisë një mori personazhesh me shumë diversitet mes tyre, në dy grupime kryesore: të rinj që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë me të rinj që jetojnë këtu. Si rezultat ky Big Brother rezulton të ketë patur një komunikim më të sinqertë mes personazheve se në edicionet e kaluara.
Por sa përqind të vetes së tyre shpalosin brenda mureve të shtëpisë banorët, e sa arrijnë të krijojnë një lojë apo strategji për të shkuar deri në fitimin e tij? Gënjeshtra më e madhe e këtij reality, është shprehja jam vetvetja. Askush s’mund të jetë vetvetja brenda një situate të imponuar, nën trysninë e telekamerave dhe situatave të improvizuara. E megjithatë, një lloj lëshimi i vetëkontrollit ndodh.
-Me kalimin e ditëve pjesë të karakterit, ndërgjegjes së banorëve shpalosen natyrshëm duke përbërë edhe asetet më të mira të çdo konkurrenti të Big Brother, -shpjegon Rezi. Ata harrojnë që ndodhen para kamerave pas një periudhe kohore dhe është e vështirë të “luajnë” deri në fund, ndaj situatat ekstreme nuk kanë munguar.
Dhe këtu jemi dakord të gjithë, kemi patur mjaft raste të shohim që konkurrentët e big-t kanë mbërritur deri në situata ekstreme në zbulimin e karakterit të tyre. E pikërisht këto ekstreme përbëjnë suksesin e tij. Mjafton të kujtojmë Olsin dhe Noçen, që nuk hezituan të kryejnë marrëdhënie seksuale që në edicionin e parë të tij. Agresivitetin e Adelaidës për tu kthyer në faktor brenda shtëpisë dhe jashtë saj dhe historinë e dashurisë së saj me Bjordin. Pranimin e homoseksualitetit nga ana e Klodit, që zbuloi dhimbshëm edhe realitetin e opinionit publik shqiptar në lidhje me këtë fenomen. Apo historinë e Adit dhe të kaluarës së tij si përdorues i substancave narkotike. Për hir të lojës duhet shkuar deri në fund. Kjo është filozofia e Big Brother. Në fund është publiku ai që do të zgjedhë.
Arbana Osmani: BB4, të reja & surpriza
27 vjeçarja Arbana Osmani është imazhi televiziv i Big Brother Albania. Një nga figurat kryesore të televizionit Top Channel që prej vitit 2002, ajo është brenda produksionit të këtij reality show që në momentin që u vendos të blihej patenta ndërkombëtare. Ajo është përballur me çdo të papritur brenda këtij spektakli, duke e menaxhuar atë e mbi të gjitha duke ruajtur deri në fund me profesionalizëm arbitraritetin në trajtimin e personazheve. Valët e simpatisë apo debateve nga ana e publikut shpeshherë kanë prekur drejtpërsëdrejti dhe atë, megjithatë Arbana shprehet se në Shqipëri është ende herët për të folur për situata ekstreme
Si e kujton edicionin e parë të Big Brother?
Big Brother i parë ka qenë një edicion i paharrueshëm, por i vështirë. Spektakli është anuluar për dy të shtuna , ngjarja e Gërdecit jo vetëm na tronditi por shembi edhe pjesë të shtëpisë. Më pas një tjetër moment shumë prekës ishte ndarja nga jeta në mënyrë tragjike e Dritan Hoxhës, zija tre ditore për të cilin bëri që spektakli të shtyhej sërish. Megjithatë kujtoj që vëmendja e publikut ishte maksimale, kurioziteti ishte shumë i madh dhe banorët ishin më të panjohur për atë që i priste. Konkurrentet ishin më të predispozuar për të vënë veten e tyre në lojë, publiku më kureshtar për të ndjekur jo vetëm të shtunave, por orë e çast banorët.
Ju i shihni nga jashtë, si janë reagimet e banorëve tani pas katër edicioneve, a hyjnë ata me strategji të qartë në lojë?
Më duhet të pranoj se më shumë se një strategji, banorët kanë një ide se cila do të jetë karta apo ideologjia që ata do të ndjekin. Tani ata hyjnë në lojë duke përcaktuar një model sjelljeje, dikush duke tentuar të fitojë simpatinë e publikut me urtësi, dikush tjetër me agresivitet, dikush me nacionalizëm e dikush me lot ...natyrisht që një “planifikim” i tillë jo gjithmonë funksionon...
Kush ka qenë moment më i vështirë për tu përballuar në këto edicione?
Padyshim homoseksualiteti i Klodit, një çështje shumë delikate e cila rezultoi një bombë me sahat vetëm pasi “plasi” bomba. Unë në ato çaste kur ai lexonte letrën të ëmës sinqerisht, ndieja një emocion të fortë ndaj tij por asnjë lloj frike, paniku për atë çka mund të ndodhte më pas. Ishte pas deklaratës së Klodit që unë dhe besoj edhe shumë shqiptarë të tjerë kuptuam se në fakt, për homofobinë në Shqipëri nuk paskëshim ditur asgjë. Kanë qenë dhe janë vazhdimisht momente të tilla, tema delikate të cilat edhe pse ne i kemi diskutuar me miqtë, të afërmit në të përditshmen tonë, vetëm kur i sheh në një ekran të madh e kupton se sa sensitive janë në të vërtetë për publikun.
Cilët janë personazhet e tu të preferuar, të paktën për tre edicionet e kaluar meqë për të fundit nuk mund të shprehesh?
Unë do të doja të kisha në spektakël sa më shumë Olsi e Adelaida, Qetësor apo Noçe, këta janë personazhet e mi të preferuar. Për mua ata janë njerëz që bëjnë spektakël dhe që kanë dhënë shpirtin e tyre në këtë reality.
A ke ndonjë model prezantimi që ndjek nga homologet e tua në vende të ndryshme të botës?
I kam ndjekur te gjitha “koleget” nëpër botë, pak në tv e pak në You Tube. E preferuara ime është Davina, (Mc Call, prezantuesja e BB Angli) por edhe Alessia Marcuzzi është jashtëzakonisht e këndshme. Përpiqem të mos kopjoj asnjërën prej tyre, dhe në fakt nuk është ndonjë gjë e vështirë, për aq kohë sa unë në ekran kam qejf të kënaqem. Kjo ndodh vetëm kur jam tërësisht e përfshirë si vetvetja.
Cilat janë të rejat e spektaklit Big Brother Albania 4?
Edicioni i fundit është një strukturë e menaxhuar krejt ndryshe, e imponuar si e tillë nga karakteret që janë brenda shtëpisë. Dashje pa dashje ka sjellë shumë të reja dhe surpriza. Ajo që më befason mua është se, nëse më parë konkurrentët e këtij reality show kanë patur ambicie botën e spektaklit, këtë herë asnjë nuk e ka këtë aspiratë. Kanë hyrë vërtet për ta shijuar këtë përvojë, për qejfin e tyre. Nga ana tjetër, çdo lëvizje e tyre, vëzhgohet dhe studiohet nga një staf i vërtetë profesionistësh... Megjithatë jemi gati në gjysmë të spektaklit dhe ka akoma shumë javë për të kuptuar si do të shkojë, jam e bindur që do kemi ende shumë për të zbuluar.