Çeku i çmimit të madh të Big Brother është vetëm një nga shpërblimet që përfitoi Ermela. Një tjetër fitim i madh i saj ishte shndërrimi i emrit të saj në një nocion të njohur dhe publik. Teksa disa e arrijnë këtë me punë shumëvjeçare dhe investim në imazh, ajo e arriti përmes disa muajsh lojë në Big Brother. Ndërsa shumëkush kërkon të përfitojë nga popullariteti i saj, një pjesë të këtij popullariteti Ermela duket se po ia jep politikës.
Vajza 26-vjeçare, fituese e çekut prej 100 milionë, është angazhuar gjatë fushatës së kandidatit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në njësinë bashkiake numër 10, minibashki që drejtohet nga Gerti Bogdani.
Edhe 24-vjeçari nga Shkodra, Ergys Bamçi, i cili hyri në “Big Brother” për të dhënë një tjetër dimension të botës, atë të artistit në fushatën e zgjedhjeve të fundit lokale ishte i vetmi konkurrent që mbajti fjalime politike për Partinë Demokratike.
Aktori i teatrit “Migjeni” hyri në politikë me dëshire dhe vullnet të plotë, siç thotë ai. Ai ishte i angazhuar në fushatën e kandidatit të Aleancës për Qytetarin, Lorenc Luka, pasi ky i fundit ka lindur në Savër të Lushnjës. Përfshirjen në politikë, Ergys Bamçi nuk e pa si ftesë nga Partia Demokratike, por një detyrim “për të përfaqësuar shtresën dhe krahun të cilit i përkas”.
Një tjetër ish-banore e Big Brother Albania është Republika Kazma. Në edicionin e dytë të tij u njoh me nofkën “Bika”. 26-vjeçarja nga Lazarati, kandidoi për kryetare komune në një zonë të pamundur për partinë e saj, por që përkon edhe me vendlindjen e saj. Republika Kazma ishte kandidate socialiste në zgjedhjet e fundit. Konkurrimi i saj bëhej më i vështirë nëse mendojmë se Bika ishte e vetmja femër kandidate në historikun e zgjedhjeve elektorale në Lazarat, gjë që u mendua si avantazh i saj.
Në zgjedhjet e 2009-ës ata u shfaqën si katër musketjerë, ish-protagonistët e "Big Brother Albania", Qetësor Ferrunaj, Shkëlqim Borshulli, Dritan Shehaj dhe Adrian Pojana i pamë të përfshirë në politikë. Qetësori, i cili kandidoi për deputet nën logon e PDK-së në komunën e Orikumit, të Qarkut të Vlorës, duke pranuar që fama e programit ka bërë të sajën.
Ndërsa pjesëmarrësi i edicionit të parë, Shkëlqim Borshulli, po në këto zgjedhje kandidoi në Tiranë për Partinë Republikane. “Kandidoj në Tirane për Partinë Republikane. "Big Brother" më dha seriozitetin për të treguar se unë jetoj në shoqërinë shqiptare dhe se thesari më i rëndësishëm për mua janë familja dhe
prona”, do të shprehej ai.
Një tjetër ish-pjesëmarrës i Big Brother Albania 2 iu atashua një force politike. Bëhet fjalë për Dritan Shehajn, i cili kandidoi në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Gjirokastrës. Kandidimin e tij Shehaj e shihte si një event të ndarë nga eksperienca televizive në Big brother.
Ndërsa Adrian Pojana, iu bashkua G99-ës, një organizate që sipas Pojanës ka të bëjë me ndryshimin. “Pasi u bë oferta nga G99, vlerësova se ka disa plagë të shoqërisë që duhet të amplifikohen dhe prandaj u bashkova”, është shprehur ai.
Jetmir Salaj, fitues i edicionit të tretë të Big Brother Albania, është koordinator i Klubit të Patriotëve të Rinj, në Partinë për Drejtësi dhe Unitet.
Duke mbyllur kështu edhe listën jo të shkurtër të pjesëmarrësve në edicione të ndryshme të Big Brother në radhët e njerëzve të angazhuar me politikë në Shqipëri.