Bijte e Europes te rinjte pa kufij

Bijte e Europes, te rinjte pa kufij
Është një brez i ri, ai i lindur pas hedhjes në qarkullim të euros, që është mësuar t’i konsiderojë shtetet e Bashkimit Europian si një vend të vetëm, ku mund të udhëtosh, studiosh dhe punosh. BE, për të rinjtë e sotëm, është sinonim i lirisë dhe mundësive që fshin çdo kufi...

“Jam francez, spanjoll, anglez, danez, pak nga të gjitha. Jam ashtu si Europa, me pak fjalë një rrëmujë e vërtetë”. Batuta e Xavier-it, studenti protagonist në filmin “Apartamenti spanjoll”, është tashmë gjendja mendore e miliona të rinjve europianë, të rritur në epokën e euros. Janë këta të rinj që lëvizin përtej kufirit me shumë lehtësi, që as që e kujtojnë se si ishin kontrollet e dikurshme doganore para hapësirës Shengen, 20-vjeçarët e mësuar të studiojnë në shumë universitete dhe në gjuhë të ndryshme. Brezi “Europa”, i pari brez transnacional dhe poliglot sipas studimit të bërë nga “Europena Policy Centre” dhe nga City University në Londër, që “fotografon” brezin e ri të të rinjve europianë që nuk njohin kufij.

E kush e ka thënë që Bashkimi Europian është në krizë? Teksa ndjek kronikat politike të këtyre ditëve, me zënkat e zakonshme në Bruksel mund të mendosh se konstrukti europian ka perënduar vërtet. Por të rinjtë e sotëm besojnë akoma në ëndrrën e gjyshërve të tyre themelues të BE. Nuk kanë motivet që kishin ata në fillim dhe shumë prej tyre nuk duhet të bëjnë as shërbimin ushtarak. Kanë lindur në një Europë të Bashkuar e paqësore, ku muri i Berlinit kishte kohë që ishte rrëzuar. Nuk kanë pasur as nevojë për të votuar në referendumet e shumta kombëtare, apo të dëgjojnë polemikat e shumta për BE. Ndoshta për këtë arsye, sot në të gjitha vendet evropiane, 20-vjeçarët janë pjesa e popullsisë më entuziaste.

Të rinj që jetojnë nga Atlantiku deri në kufijtë me Lindjen, nga Poli i veriut në Mesdhe dhe kanë vlera dhe ideale të përbashkëta. Pikërisht si tek “Apartamenti spanjoll” ku tregohen zakonet dhe jetesa e një komuniteti të vogël të studentëve Erasmus. Është e ardhmja që avancon në krahasim me mendimet e vjetra nacionaliste që praktikohen ende nga shumë liderë qeverish dhe nga qytetarët me moshë të madhe. Europa për ta është shumë afër. “Kjo tendencë duket shumë qartë tek institucionet komunitare, me një vizion pozitiv mbi Bashkimin Europian”, tregon Benedetta Guerzoni, analiste dhe mes kërkuesve që bënë studimin. Thuajse të gjithë të rinjtë europianë, rreth 90 për qind, i bashkëngjisin Bashkimit Europian lirinë për të udhëtuar, studiuar dhe punuar jashtë vendit. Janë ata qytetarët që u kushtohet një vëmendje e veçantë në vendimet e marra në nivel europian.

Në fushën e shëndetit dhe politikave sociale, mbështetja në Bruksel është 44 për qind për personat me moshë nga 15 deri në 24 vjeç, në krahasim me 30 për qind për ata mbi 65 vjeç. Bashkimi Europian shihet nga të rinjtë si një formë mbrojtjeje për të drejtat e tyre qytetare (72 për qind) dhe si një mjet për të përmirësuar gjendjen e tyre ekonomike (71 për qind). “Për këtë arsye, te të rinjtë, koncepti i Bashkimit Europian është diçka shumë më pak abstrakte. Kush është sot nga 20 deri në 30 vjeç e ka përdorur euron për më shumë se një të tretën e jetës së tij”, shpjegon Guerzioni. Për ta, monedha e përbashkët europiane është mjet nga i cili nuk heqin dot dorë. Ashtu si programet komunitare “Erasmus” apo “Leonardo”, të përdorur tashmë nga miliona të rinj. Por nuk ngelet pas edhe marrëveshja “Shengen” që akoma sot vazhdon të jetë nën akuzë.

“Është një dimension më pragmatik i vizionit të Europës që me siguri ka kontribuuar të humbasë pak idealizmi i atij projekti të madh të ngritur pas luftërave dhe ndarjeve apo si kurorëzim i një procesi demokratizimi”. Pastaj ekzistojnë edhe qytetarët e rinj të Bashkimit Europian. Plot 12 nga 27 vendet anëtare u bënë pas vitit 2004. “Nuk mund të mendohet për një brez europian pa marrë në konsideratë numrin e vajzave dhe djemve polakë, çekë apo rumunë që tani mund të lëvizin lirisht në Europë. “E kanë parë zgjerimin e Europës me sytë e tyre, për këtë arsye tentojnë të jenë më entuziastë”. Por ndërsa qeveritë kombëtare diskutojnë për rishikimin e Traktatit të Lisbonës, dhe të një qeverisjeje të re europiane, të rinjtë kërkojnë më shumë forcimin e vendimeve të BE-së në fushën e terrorizmit, kërkimit shkencor dhe teknologjisë apo mbrojtjes së ambientit.

Në mënyrë të habitshme, kanë edhe një ide të tyren për shtetin “e butë”, duke mos treguar varësi ndaj shtetit të mirëqenies sociale dhe ndaj erërave nacionaliste në sektorin e shëndetësisë apo pensioneve. “Janë gjithmonë më pak të interesuar ndaj funksioneve të shtetit në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre amerikanë”, saktëson analistja e EPC. Pjesa më e madhe e të rinjve të sotëm europianë mbrojnë thuajse çdo vendim që merret prej saj. Të rinjtë italianë për shembull janë më eurofilët e kontinentit. Vetëm 30 për qind e të rinjve me moshë nga 15 deri në 30 vjeç e sheh Bashkimin Europian si harxhim kohe dhe parash, apo si një kërcënim për kulturën kombëtare, kundrejt 42% dhe 32% të mesatares europiane. Por diferenca mes italianëve dhe bashkëmoshatarëve të tyre europianë qëndron te meritokracia dhe mundësia për të gjetur punë.

Vetëm 46 për qind e tyre e konsideron të rëndësishëm të kesh një shkollim të mirë për të ecur përpara në jetë, kundrejt 62 për qind të europianëve. Përkundrazi, 32 për qind e konsideron më efikase të njohësh njerëzit e duhur (26% në BE). Të jesh i zgjuar dhe inteligjent është thelbësore për 7 për qind të të rinjve të italianëve (shifra më e ulët në Europë) ndërsa të vish nga një familje e pasur është e rëndësishme për 18 për qind të italianëve (7 për qind mesatarja europiane). Pavarësisht diferencave të veçanta, kërkimi i publikuar nga EPC dhe “City University” në Londër, njeh te 20-vjeçarët e sotëm një “bllokim social”. “Mosha është bërë një faktor diskriminues në pothuajse të gjitha shoqëritë europiane”, tregon Eric Harrison, analist i “City University” të Londrës. “Kur nisëm këtë studim menduam se do të gjenim karakteristika shumë të ndryshme në shtete të ndryshme të Bashkimit Europian.

Përkundrazi, gjetëm se pabarazitë më të mëdha ekzistojnë mes grupmoshave të ndryshme. Hendeku më i madh mes europianëve nuk influencohet më nga kufij apo nga kultura e origjinës. Qytetarët e rinj e të shkolluar ngjajnë në shumicën e 27 vendeve anëtare, ndërsa ato më të vjetrat tentojnë akoma të riprodhojnë dallimet e dikurshme mes shteteve”. Ky brez i ri mund të nisë një kthesë të vërtetë. “Kur të rinjtë do të përpiqen të hyjnë në jetën aktive politike do të rritet mbështetja e tyre për rolin e Bashkimit Europian”. Dikush nga studentët që tregohen tek “Apartamenti spanjoll” mund të zërë vendin e Sarkozy, Merkel, Cameron. Atëherë kufijtë e vjetër nuk do kenë më rëndësi dhe të gjithë do të mësohen të thonë si Xavier: “Jam italian, polak, gjerman, çek”.

Skandinavët, më të lumturit

Janë vende që ndodhen në Veri, në të ftohtë dhe shpesh në errësirë, por që vazhdimisht cilësohen si më të lumturat në botë. Vitet e fundit po kryesojnë bindshëm. Kur u hedh një sy klasifikimeve të përvitshme në listën e vendeve që kanë përqindjen më të madhe të lumturisë në botë, sheh se të rinjtë nordikë janë ata që kryesojnë vazhdimisht. Edhe në klasifikimin e fundit të bie në sy një vend skandinav si Finlanda, që zë vendin e parë dhe më pas Suedia, në vendin e tretë, e ndjekur nga Norvegjia në vendin e gjashtë dhe Danimarka në të dhjetin. Pra 10 vendet, popujt e të cilëve gëzojnë një jetë shpirtërisht të shëndetshme, janë kryesisht vende nga veriu i botës. Pyetja që të lind natyrshëm në një rast të tillë është se përse ndodh gjithmonë që kjo popullsi ka arritur të krijojë balanca të tilla për të qenë e lumtur, madje edhe në kohë krizash, kur vende të tjera vuajnë?

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama