Bilanci i 2014 TahiriUlem vrasjet sekuestruam 19 mln euro asete kriminale

Bilanci i 2014, Tahiri:Ulem vrasjet, sekuestruam 19 mln euro asete kriminale

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, bëri sot një përmbledhje të vitit 2014, duke theksuar faktin se Policia e Shtetit është në këmbë dhe besimi i qytetarëve është rritur. Në konferencën e parë për shtyp, Tahiri tha se është ulur ndjeshëm krimi dhe informaliteti. “Lufta ndaj krimit është një betejë e përbashkët dhe besimi i qytetarëve tek policia është një pikënisje e rëndësishme. Në qendrën operative të policisë gjatë vitit 2014 janë regjistruar rreth 192 088 thirrje në numrin 129 nga publiku, rreth 22 telefonata në orë, apo 19% më shumë se një vit më parë. Po ashtu, Policia e Shtetit ka bërë rreth 1000 takime me qytetarët, duke nxitur rritjen e besimit të qytetarëve tek uniformat blu. Kjo është një arritje”,- u shpreh ministri i Brendshëm.

Sipas rezultateve vitin e kaluar janë sekuestruar 19 milionë euro asete kriminale, e përkthyer ndryshe në 21% e planit të buxhetit të Policisë së Shtetit. Vitin që lamë pas, policia ka sekuestruar 1261 armë zjarri, ose 47.1% më shumë dhe 341324 fishekë të llojeve të ndryshme, e përkthyer ndryshe 76% më shumë. Treguesit janë pozitiv edhe në sekuestrimin e eksplozivëve, marijuanës e drogave të tjera. “Në lidhje me korrupsionin e punonjësve të policisë, janë proceduar penalisht 322 të tillë, ndërsa 897 punonjës policie janë ndëshkuar me masë disiplinore”,-theksoi Tahiri.

Gjithashtu në buletinin vjetor thuhet se krimet kundër pronës janë ulur, ka patur më pak vjedhje me armë, më pak shkatërrim të pronës me eksploziv dhe më pak raste të vjedhjes me pasojë vdekjen. Ministri i Brendshëm pretendon se numri i vrasjeve është uluar në masën 10.4%. Në total numri i tyre shkon në 103 vrasje, ndërsa në aksidentet rrugore janë 37 të vrarë më pak. Në aksionin kombëtar për vjedhjen e energjisë elektrike janë arrestuar 708 persona mes të cilëve 564 janë pronarë biznesesh dhe 50 punonjës të OSHEE-së.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama