SULEJMAN STAROVA
Shqipëria luajti mirë vetëm në pjesën e parë. Po, ishte një lojë e kënaqshme, ishte një skuadër që bënte presingun e duhur dhe që qendërmbrojtësit ishin zhvendosur shumë lart.
Kjo e ndihmoi skuadrën që ta mbante larg kundërshtarin, por ndërkohë të mbërrinte më shpejt te porta. Sigurisht, goli i pësuar shpejt që në fillim të pjesës së parë nuk la një shije të mirë. Ishte rast i përsëritur dhe kjo do të thotë se diçka nuk shkon.
Por gjithsesi loja e ekipit ishte e mirë dhe ai 11-ësh funksionon. Komplimente Sadikut, sepse është një lojtar goli.
Ai bën presing mjaftueshëm, por është edhe cinik në mundësitë që ka. Kjo do të thotë se tani është një luftë sportive e mirëfilltë mes tij dhe Cikalleshit në majën e sulmit dhe pa dyshim që kjo është në të mirë të skuadrës. Nga ana tjetër, edhe mesfusha u përgjigj mirë.
Pjesa e dytë
Le ta nisim me golin që e pësuam sërish shumë shpejt. Kjo është mungesë eksperience e theksuar. Lojtarët tanë nuk duhet të presin që të bëhet "ceremoni nderimi", pasi është shkelmuar topi që t'u tregojë dikush se ka filluar loja...
Është shqetësuese që në ndeshjet e fundit kemi pësuar sistematikisht sapo nis loja. Duhet korrigjuar sa më shpejt kjo mungesë eksperience.
Rënia e Shqipërisë
Pësuam dy gola dhe dikush mund t'ua vërë fajin zëvendësimeve, por kjo për mendimin tim qëndron pjesërisht.
E them këtë sepse skuadra, përveçse nuk mundi të ndryshojë asgjë me zëvendësimet që bëri, nuk mundi as të jetë e qartë se si duhej të reagonte kur u gjend sërish në avantazh. Dhe aq më keq që Ukraina vazhdonte të eksperimentonte me lojtarë shumë të rinj.
Dakord, Basha nuk është më ai i pari dhe fakti që luan në një skuadër jo të nivelit të lartë e ka penalizuar. Çështja Gashi Përfundimisht, Gashi nuk është një lojtar krahu.
Nuk dua të them i ngadaltë, por jo edhe aq i shpejtë sa për të luajtur në krah. Vendosja e tij në të djathtë dhe kalimi i Roshit në të majtë e mjegulluan ekipin.
Skuadra humbi shpejtësi, qartësi dhe mbi të gjitha nuk bënte presingun e duhur si në pjesën e parë kur nuk kishte topin.
Gashi mund të luajë si sulmues i parë ose sulmues i dytë, por nëse De Biazi me të drejtë vlerëson se ai nuk e bën dot këtë, atëherë duhet të mendojë seriozisht që të mos e vendosë më në krah.
Mbrojtja
Tre gola janë shumë kur mendon se si luajtëm në pjesën e parë, por nuk mund të mos përmend gabimet në koordinim mes Ajetit dhe Mavrajt te goli i dytë dhe i tretë.
Vendosje jo e mirë dhe kësi rastesh në një kompeticion si Europiani janë të pariparueshme. Por edhe këtu ka një problem që vjen nga mesfusha dhe që trajneri ndoshta do ta shohë më pas.
E kam fjalën për zgjedhjen e De Biazit për të luajtur me Cikalleshin dhe Balajn njëkohësisht dhe nga krahët ishin Roshi me Gashin.
Nëse në një ndeshje ku duhen pikë patjetër vendos të luash kështu sepse mund të jesh në disavantazh, atëherë duhet të kesh në mesfushë dy diga të mira dhe jo Bashën me Kaçen. Duhen shkatërrues si tipi i Abrashit, i Xhakës apo edhe Lilës.
Nuk mund të jesh aq ofensiv pa pasur muskuj në mesfushë. Sigurisht, i mbetem besnik mendimit se në miqësore si këto nuk është primar rezultati, por ajo çka jep ekipi në fushë, e megjithatë jam i bindur se nëse do të na duhet që në raste të veçanta të hidhemi në sulm, këtë nuk e bëjmë dot me Roshin në të majtë dhe Gashin në të djathtë.
Asnjëri nuk jep më të mirën aty. Sa për Memushajn, nuk e gjykojmë dot për këtë ndeshje, sepse hyri në një moment kur skuadra ishte në rrëmujë dhe ai u bë pjesë e saj, por jo për faj të tij.