Të paktën 70 për qind e bizneseve sezonale që operojnë në zonat turistike të vendin nuk kanë shlyer faturat e energjisë elektrike, duke akumuluar një borxh prej rreth 2 miliardë lekë ndaj shtetit. Këto biznese debitorë janë evidentuar nga OSHEE gjatë kontrollit të përqendruar në bregdet, në muajt maj e qershor, pasi zotëruesit e tyre është e pamundur të kontaktohen pas përfundimit të sezonit turistik, në muajin shtator. Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela paralajmëron se në rast të mos shlyerjes së faturave, këto biznese nuk do të furnizohen më me energji elektrike. “70 për qind e këtyre bizneseve janë debitorë. Për këto biznese nuk ka skema klasike, 12 muaj apo 24 muaj.
Për këto biznese që janë sezonale dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në muajin gusht apo shtator, brenda fundit të qershorit, fillimit të korrikut, duhet të shlyejnë debinë. Në rast të kundërt nuk do të kenë asnjë shans të furnizohen me energji nga Operatori i Shpërndarjes”, tha Adrian Çela, administrator i OSHEE-së.Kompania ka përqendruar kontrollin në zonat turistike, pasi sipas operatorit, zotëruesit e këtyre aktiviteteve është e pamundur të kontaktohen me mbylljen e sezonit në muajin shtator. Çela publikoi ndërkohë shifrat e reja të arkëtimeve, të cilat në muajin maj janë rritur me 35 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe nivelin e humbjeve në rrjet.
“Nëse kishim parashikuar të ardhurat për muajin maj, diku në shifrën 4.53 miliardë lekë, në fund të muajit maj regjistruam shifrën 4.98 miliardë lekë. Më 2014-n ishin 3.7 miliardë lekë. Humbjet në muaji maj regjistruan shifrën e 31.2 për qind, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar regjistruam 36.8 për qind”, tha Çela. Në mesin e muajit maj u rilançua skema lehtësuese për konsumatorët familjarë, prej së cilës, sipas OSHEE, kanë përfituar falje në masën 80 për qind të kamatëvonesave rreth 10 mijë abonentë, ndërsa aktualisht numri i debitorëve familjarë është 170 mijë gjithsej.