Igli Tare
Igli Tare tashmë e ka lënë futbollin dhe është një nga drejtuesit më të lartë të klubit të Lacios në Itali. Por, ish-kapiteni i ekipit kombëtar ka edhe një biznes ndërtimi në Romë, gjë që e ka pranuar edhe vetë në intervistat e shumta për shtypin shqiptar. Tare ka qenë nga lojtarët më të njohur të Shqipërisë, por edhe nga më të paguarit, duke luajtur në klubi si Kaizerslautern, Breshia, Bolonja apo Lacio. Ish-futbollisti i kombëtares ka menduar që pas futbollit të ketë edhe një siguri financiare më shumë, pavarësisht se tashmë ka një detyrë si dirigjent i Lacios.
Geri Çipi
Geri Çipi ka qenë një nga futbollistët më të njohur të përfaqësueses dhe për disa vjet lideri i mbrojtjes kuqezi. Por, është e çuditshme që vlonjati e la futbollin vetëm në moshën 28 vjeçare, duke iu përkushtuar sidomos biznesit të ndërtimit në Vlorë. Ata që e njohin thonë se është mjaft i suksesshëm edhe në këtë punë. Geri Çipi ndërkohë mbulon edhe rolin e drejtorit në klubin Flamurtari
Altin Lala
Kapiteni i kombëtares ka hapur disa dyqane prodhimesh të kozmetikës, fjala e fundit, bashkë me një mikun e tij në Gjermani. Janë produkte bio, të cilat mesfushori i Hanovërit dhe përfaqësueses i tregton në mënyrë të suksesshme në disa qytete të Gjermanisë.
Edvin Murati
Edvin Murati, pasi la futbollin është bërë një zbulues i suksesshëm talentesh për Paris Sent Zhermen, por ish-lojtari i kombëtares nuk ka lënë pas dore edhe biznesin. Bashkëshortja e tij Karolina është vajza e një biznesmeni të madh të sigurimit të automjeteve në Paris, një detyrë që pritet ta trashëgojë pikërisht Edvin Murati. Pavarësisht kësaj, ky i fundit dëshiron të jetë më shumë pranë futbollit.
Paulin Dhëmbi
Paulin Dhëmbi është një tjetër futbollist shqiptar i prirur për biznes. Mesfushori i Vllaznisë ka disa qyqane të QTU, por kjo nuk e pengon të vazhdojë të luajë dhe të jetë në krye të listës së golshënuesve në Superligë.
Eldorado Merkoçi dhe Altin Rrakli
Lokali i Eldorado Merkoçi në kryeqytet ka qenë për shumë kohë qendra e futbollistëve të Tiranës, në kohën që kjo e fundit kishte mbledhur disa nga yjet e futbollit shqiptar. Ndërkohë edhe Altin Rrakli ka patur përqindje në një lokal në bllok.
Dyqanet, një biznes i preferuar për Futbollistët
Hapja e dyqaneve duket se është biznesi më i preferuar për futbollistët shqiptarë. Një gjë të tillë e ka bërë Lorik Cana me butikun e tij në Paris, por edhe Altin Lala me rrjetin e dyqaneve të kozmetikës me produkte bio në disa qytete gjermane. Madje, kapiteni i kombëtares ka ndërmend ta përhapë rrjetin e tij edhe në Shqipëri. Një tjetër futbollist që ka disa dyqane në QTU, është mesfushori i Vllaznisë Paulin Dhëmbi. Ndërsa Çipi dhe Tare kanë preferuar më shumë biznesin e ndërtimit.
Bogdani, lojtari më "Intekejtual" në Itali
Vetëm pak ditë më parë, në Itali ka marrë diplomën futbollisti i Leçes Guljelmo Stendardo, por kjo ka zbuluar edhe faktin se Erjon Bogdani është lojtari më intelektuar në Serinë A. Në fakt, sulmuesi i kombëtares shqiptare është nga të parët futbollistë që kanë marrë një diplomë nga ata që luajnë në Itali. Bogdani ka gradën “doktor” në ekonomi, gjë që nuk e zotëron asnjë futbollist tjetër në këtë vend. Në Itali, lojtarët që kanë mbaruar një universitet numërohen me gishtat e njërës dorë.
Gazeta: Shqiptare