Biznesi i vogel kunder rritjes se takses per naften

Biznesi i vogel kunder rritjes se takses per naften

Në prag të diskutimit në parim të buxhetit dhe paketës fiskale, edhe biznesi i vogël ka dalë kundër qeverisë për rritjen e taksave për vitin 2014. Në një tryezë të organizuar nga Partia Demokratike, përfaqësues të biznesit të vogël kanë ngritur shqetësimin e ndryshimit të nivelit të disa taksave, prej të cilave ata preken direkt.  Kjo kategori biznesi është kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe dyfishimit të taksës për ndërtesën, duke paralajmëruar rritje të çmimeve në treg dhe shkurtim të vendeve të punës.

 

Basha


Duke folur në tryezën e djeshme, kreu i PD-së, Lulzim Basha, bëri thirrje për ndërgjegjësim të të gjithë shqiptarëve kundër buxhetit të shkatërrimit të mirëqenies dhe stabilitetit të vendit. “Ditët, jo javët e ardhshme, do të jenë përcaktuese dhe ne si opozitë jemi të vendosur të qëndrojmë të fortë, por natyrisht të qëndrojmë fort për interesin e çdo shqiptari, dhe për këtë kërkohet ndërgjegjësimi dhe qëndresa e çdo shqiptari përballë buxhetit të katastrofës ekonomike, buxhetit të shkatërrimit të mirëqenies, buxhetit të shkatërrimit të stabilitetit të vendit tonë”, u shpreh lideri i opozitës. Sipas tij, nuk janë vetëm qytetarët ata që humbasin nga ndryshimi në këtë masë i taksave, por edhe qeveria. “Humbet edhe vetë kjo qeveri, pret degën ku qëndron, ndaj sa nuk është vonë, i drejtoj, besoj edhe në ermin tuaj, të gjithë ju që përfaqësoni, një thirrje që të reflektojë, dhe mënyra më e sigurt për të reflektuar është të ulet dhe të rishikojë buxhetin në konsultim me të gjithë faktorin e interesit, por koha po ecën shumë shpejt. Minutat e orës që vetë ka përcaktuar me arbitraritet në mënyrë të kundërligjshme po rrahin edhe në këto momente që flasim”, theksoi më tej kreu i demokratëve. Kreu i PD-së tha se është shqetësues fakti që buxheti dhe paketa fiskale janë miratuar në qeveri dhe dërguar në Parlament pa u konsultuar me biznesin dhe grupet e interesit. “Jemi këtu për të trajtuar bashkë me ju shqetësime ekzistenciale, që kanë të bëjnë me mirëqenien dhe fatin e çdo shqiptari, nga zero deri në 120 vjeç, nga më i varfëri te më i kamuri, nga më i shëndetshmi te më i sëmuri. Fati i gjithsecilit prej nesh do të ndryshojë shumë shpejt dhe për keq nëse kjo paketë fiskale dhe ky buxhet katastrofik për ekonominë do të miratohet dhe do të vihet në funksionim”, u shpreh Basha.

Deklaratat ne tryeze
“Nuk votuam as FMN-në, as BB”


Albert Nasto, kryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm: Shikojmë se u hoq taksa e biznesit të vogël, por kur shikojmë llogarinë e fundvitit, nëse unë kam harxhuar 90 milionë lekë të vjetër në vitin 2014 dhe në 2013-n kam harxhuar 7 milionë lekë të vjetër, atëherë barra fiskale është rritur. Ne nuk kemi votuar as për FMN-në, as për BB-në, ne kemi votuar për një program dhe jemi përmbajtur si europianë atij programi.

“Do zvogëlohen vendet e punës”


Besnik Dervishi, biznesmen: Pasojat janë indirekte, zvogëlohen vendet e punës, fuqia blerëse e atyre njerëzve që marrin këtë pagë zvogëlohet etj. Ky është një shqetësim që shpresoj se paneli që organizon tryezën ta trajtojë, pasi ne nuk kemi mundësi tjetër ta trajtojmë. Zëri ynë tashmë është opozita. Do ishte mirë që zëri i biznesit të ishte edhe pozita.

“Ndryshimet e reja janë regres”


Albert Shopi, përfaqësues në fushën e agrobiznesit: Nëse do pranohet, dhe unë nuk jam fare dakord me këto lloj rritjesh, ose duhet pranuar që ato që janë biznese që kanë kredi, derisa të shlyejnë kreditë duhet të vazhdojnë me tarifat e vjetra. Kjo mund të jetë një alternativë. Unë nuk jam dakord me gjithë ato argumente që solli zotëria, edhe ju. Ndryshimet e reja që paraqiten janë vetëm regres.

“Taksat për 2014-n na penalizojnë”


Flamur Hoxha, fasoneri: Mendojmë që ndryshimi i taksave për vitin që vjen do ta penalizojë këtë sipërmarrje, pasi përkthehet në rritje kostoje. Unë dua të ndalem pak të sqaroj se për specifikën që ka ky sektor, ndodhet përballë ofertës gjithmonë në ulje të tregut europian, gjithashtu si rrjedhojë edhe e rritjes së kostos. Nga ana tjetër, ndodhemi përballë një ngushtimi shumë të madh dhe të një norme shumë të vogël fitimi.


“Të subvencionohet nafta në bujqësi”


Agim Rameta, inxhinier agrar – Këshilli i Agrobiznesit Bujqësor: Mendoj që nëpërmjet këtij takimi të sugjerojmë që TVSH-ja e imputeve bujqësore ose të subvencionohet, ose të hiqet.  Nafta për imputet bujqësore ose të subvencionohet, ose të hiqet TVSH-ja, varet si do jenë mundësitë e këtij programi. Parlamentarët që na ndjekin dhe ata që ndodhen këtu në sallë duhet ta ndihmojnë akoma më shumë fermerin, fshatarin dhe tregtarët në të gjitha fushat.

Dyfishohet taksa e ndërtesës”


Pashkë Mjekaj/ bar-kafe: Unë jam absolutisht kundër kësaj pakete, sidomos bar-kafetë i çon drejt falimentit të plotë, drejt informalitetit. Thuhet se do të ulet nga 10% në 7.5% taksa, ndërkohë që do të rritet dyfish taksa e ndërtesës, nga 40 mijë lekë të rinj që paguaja, do më duhet të paguaj 80 mijë lekë. Do të rriten sigurimet. Unë punonjësit i kam të siguruar. Ndërkohë që si do t’i paguaj unë kur rritet çmimi i kafes, i alkoolit dhe duhanit, elemente që baret punojnë? Pra, sipas kësaj pakete, do të thotë që unë ta mbyll, t’i vë çelësin, ose të punoj familjarisht dhe të heq punonjësit nga puna.

“Presion nga Tatimet e Doganat”


Alfred Kosta, biznesmen: Kam një presion shumë të madh. Jam administrator i firmës vetë, në çdo aspekt kam presion që nga tatimet, që nga transporti, që nga Policia e rendit, që nga Doganat e të gjithë me radhë. Për çfarë arsye? Me një maune, procedurën e doganës e ndjek vetë normalisht, më parë paguaja 400 mijë lekë tatim, faturë, para disa ditësh kam paguar 700 mijë lekë të rinj, 70% më shumë te Dogana në Vorë, 25 mijë lekë parkingu te Dogana Tiranës. Paguaja 10 mijë lekë kur ishte ministër Ridvan Bode, tani paguaj 25 mijë lekë.

“Do rriten çmimet”


Florian Arapi, pjesë e biznesit të vogël: Jemi të shqetësuar lidhur me rritjen e taksës për biznesin. Ne quhemi biznes i vogël, por në fakt quhemi të gjithë biznes, e nëse do të themi së është ulur taksa e biznesit të vogël, mua më duket e pavërtetë për arsye se është rritur taksa e biznesit të madh dhe biznesi i vogël është një varësi e biznesit të madh. Ne kemi rritje të taksës, ulje të xhiros e të blerjeve, pasi nëse biznesit të madh (aty ku marrim mallin) do t’i rritej taksa, automatikisht do rrisë çmimet, e kështu çmimet do rriten për ne, te konsumatorët, si rezultat do ulen blerjet.

Berisha: FMN të dërgojë ekip tjetër, të mos bëhet dëshmitar i rremë i Ramës


Ish-kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar Fondit Monetar Ndërkombëtar të mos bëhet dëshmitar i rremë i Kryeministrit Rama, duke thënë se nuk ka asnjë vend në botë që rrit borxhin me 13% brenda një viti. Duke folur në tryezën e organizuar dje nga PD-ja me biznesin e vogël, ai tha: “Edi Rama ka gjetur edhe dëshmitarin e rremë, FMN, dhe unë i kërkoj Fondit, drejtorit të Fondit, kryeekonomistit të Fondit, të sjellin ekip tjetër. Ne nuk duam të konfrontohemi me të, por ne nuk mund të pranojmë kurrë që shqiptarët të trajtohen në këtë mënyrë. Ne duhet të qëndrojmë absolutisht për çdo të vërtetë. Nuk kemi frikë nga asnjë e vërtetë, por jo mbi realitetin që ka krijuar një i sëmurë psikik për ekonominë shqiptare, do tani ta rregullojë atë me çdo kusht”.

ADI SHKEMBI


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama