Ministria e Financave përmes një udhëzimi shpjegon drejtoritë e tatimeve për procedurat që do të ndjekin për zbatimin e paketës së re fiskale që ka hyrë në fuqi në 1 janar. Udhëzimet janë përqendruar sidomos te biznesi i vogël, pasi kjo kategori është prekur më shumë nga ndryshimet ligjore dhe pjesa më e madhe e tyre nuk kanë të punësuar ekonomistë për ndjekjen e procedurave ligjore. Duke filluar nga 1 janari 2014, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, për subjektet me qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë, llogaritet në bazë të formularit të deklarimit tatimor të biznesit të vogël, i cili përcaktohet me udhëzim të Ministrit të Financave. Çdo subjekt që kryen një biznes, me anë të të cilit realizohet gjatë vitit fiskal qarkullim më i vogël ose i barabartë me 8 milionë lekë, i nënshtrohet detyrimit të pagesës së tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël. Për bizneset që kanë xhiro nga 2 deri në 8 milionë lekë, shkalla tatimore e aplikueshme mbi fitimin e tatueshëm është 7,5 për qind. Subjektet që kanë me qarkullim vjetor nga 0 deri në 2 milionë lekë, do të paguajnë një tarifë fikse prej 25 000 lekë në vit. Ndërkohë që me legjislacionin e vjetër fiskal bizneset e vogla paguanin një taksë fikse, katër herë në vit, sipas një formulari që miratohej nga bashkia çdo fillim viti. Kësti i tatim fitimit fiks varionte nga 6 mijë lekë deri në 15 mijë lekë për çdo tremujor dhe gjatë një viti, 24 mijë lekë dhe 60 mijë lekë në vit.
Deklarata tatimore vjetore
Sipas ligjit të ri, bizneset me qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë, janë të detyruar që, deri më 10 shkurt të vitit që pason periudhën tatimore, të dorëzojnë një deklaratë vjetore tatimore, ku të jepen hollësisht të ardhurat, gjithsej, shpenzimet e zbritshme, fitimi i tatueshëm, tatimi për t’u paguar, si dhe çdo hollësi tjetër e kërkuar nga Ministri i Financave në udhëzimin për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës tatimore vjetore. Deklarata dorëzohet në bankat, me të cilat administrata tatimore ka marrëveshje për pranimin e deklaratave dhe të pagesave dhe ajo shoqërohet me çdo kërkesë për rimbursim apo me çdo shumë për t’u paguar.
Pagesa
Sipas ligjit të ri, pagesat e kësteve të tatimit kryhen te bankat e nivelit të dytë për llogari të administratës tatimore, brenda datave 20 prill, 20 korrik, 20 tetor dhe 20 dhjetor të çdo viti. Me kryerjen e pagesës dhe marrjen e konfirmimit bankar të kryerjes së pagesës, tatimpaguesi shkon te zyrat e shërbimit tatimpagues tatimor dhe, kundrejt paraqitjes së dokumentit bankar të pagesës, merr “Pullën e tatimit” të këstit, për të cilin ka bërë pagesën. Dizenjot dhe elementet e pullës caktohen me udhëzim të Ministrit të Financave. Tatimpaguesi e vendos pullën e tatimit lart certifikatës së regjistrimit në QKR për të lehtësuar ushtrimin e kontrollit vizual nga organet kompetente. Këto dokumente prodhohen nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë dhe shpenzimet përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. “Pulla e tatimit” duhet të përmbajë elemente të sigurisë së lartë për të shmangur falsifikimin e tyre. Tatimpaguesit me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë në vit paguajnë tatimin fiks, në masën 25 000 lekë në vit, te drejtoritë rajonale tatimore brenda gjashtëmujorit të parë të çdo viti, te bankat e nivelit të dytë, për llogari të drejtorisë rajonale tatimore. Për kryerjen e pagesës dhe marrjen e konfirmimit bankar të kryerjes së pagesës, tatimpaguesit shkojnë te zyra e shërbimit tatimpagues tatimor dhe, kundrejt paraqitjes së dokumentit bankar të pagesës, marrin “Pullën e tatimit”, për të cilën kanë bërë pagesën.
Llogaritja e taksave
Ndryshimi i mënyrës së taksimit të biznesit të vogël, do t’i detyrojë këta të fundit të jenë më të kujdesshëm me mbajtjen e llogarive, ndryshe nga më parë, ku vetëm bizneset e vogla me TVSH ishin të detyruara të mbanin libra shitjeje e blerjeje. Sipas ligjit, “Librat dhe regjistrimet, që kërkohet të mbahen nga tatimpaguesit, janë: libri i shitjes ose i qarkullimit, libri i blerjeve, libri i shpenzimeve dhe i të ardhurave dhe libri i aktiveve të biznesit, të cilat përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Financave, në zbatim të këtij ligji.”
Bizneset me xhiro deri në 2 milionë lekë
Sipas ligjit të ri, të gjithë tatimpaguesit me qarkullim nga zero deri në 2 milionë lekë në vit, paguajnë si tatim të thjeshtuar mbi fitimin një tatim fiks, në masën 25 000 lekë në vit te drejtoritë rajonale tatimore. Kjo pagesë kryhet brenda gjashtëmujorit të parë të çdo viti. Kjo shumë rezulton pak a shumë e njëjtë me atë që paguanin këto biznese edhe me sistemin e vjetër të taksimit 6 mijë lekë për çdo tremujor.
Të ardhurat dhe shpenzimet
Të ardhurat gjithsej nga veprimtaria e biznesit të vogël nënkuptojnë çdo lloj të ardhure, të realizuar gjatë periudhës tatimore dhe përfshijnë, pa u kufizuar vetëm në to: të ardhurat e realizuara nga furnizimi i mallrave dhe shërbimeve, të ardhurat nga pjesëmarrjet, të ardhurat nga interesat, të ardhurat nga shfrytëzimi i pasurisë së luajtshme e të paluajtshme. Për përcaktimin e fitimit të tatueshëm në Republikën e Shqipërisë njihen si shpenzime ato që kryhen për qëllime fitimi, sigurimi dhe ruajtje të fitimit, në masën që këto shpenzime provohen dhe dokumentohen nga tatimpaguesi, si dhe kur janë objekt i kufizimeve të specifikuara nga ky ligj.
Shpenzimet e panjohura
Për efekt të përcaktimit të fitimit të tatueshëm, nuk njihen shpenzimet e mëposhtme:
1. Kostoja e blerjes dhe e përmirësimit të tokës e të truallit;
2. Kostoja e blerjes, përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të aktiveve të veprimtarisë, të cilat amortizohen
3. Vlera e shpërblimeve në natyrë;
4. Interesat e paguara, të cilët tejkalojnë normën mesatare të interesit 12-mujor të kredisë, për tregun bankar.
5. Gjobat, kamatëvonesat dhe kushtet e tjera penale;
6. Krijimi ose rritja e rezervave dhe e fondeve të tjera speciale, përveç rasteve të parashikuara në ligj apo në akte nënligjore;
7. Tatimi mbi të ardhurat personale dhe ato nga biznesi;
8. Shpenzimet për përfaqësim dhe për pritje-përcjellje, të cilat e tejkalojnë shumën 0,3 për qind të qarkullimit vjetor;
9. Shpenzimet e konsumit personal, të përcaktuara me udhëzim të Ministrit të Financave;
10. Shpenzimet, të cilat tejkalojnë kufijtë e përcaktuar me ligj apo me akte nënligjore. Për kufijtë e përcaktuar për qëllime tatimore. “Për sponsorizimet”, nuk njihen si shpenzime të njohura shumat e sponsorizuara që tejkalojnë masën 3 për qind të fitimit para tatimit dhe shuma e sponsorizuar për botuesit e shtypit, e cila tejkalon masën 5 për qind të fitimit para tatimit;
11. Shpenzimet për dhurata;
12. Çdo shpenzim, masa e të cilit nuk vërtetohet me dokumente nga tatimpaguesi;
13. Shpenzimet për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit, të faturuara nga persona të tretë, për të cilat nuk është paguar tatimi në burim, brenda periudhës tatimore nga tatimpaguesi”.
14. Humbjet, dëmtimet, firot dhe skarcot gjatë prodhimit, transitimit dhe magazinimit tej normave të përcaktuara në akte të veçanta ligjore dhe nënligjore;
15. Shpenzimet për pagat, shpërblime dhe çdo formë tjetër të të ardhurave personale, të cilat lidhen me të ardhurat nga marrëdhëniet me punësimin, që u janë paguar të punësuarve, përfshirë dhe administratorët, pa kaluar nëpërmjet sistemit bankar.
Taksa mbi automjetet e përdorura të transportit
Taksa mbi automjetet e përdorura të transportit është e vlefshme për 365 ditë dhe llogaritet sipas kësaj formule: Cilindër në cm3 x koeficienti i fiksuar sipas moshës x tarifa fikse për llojin e karburantit. Tarifa fikse për llojin e karburantit është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Koeficienti sipas moshës së automjetit paraqitet në shtojcën 1 bashkëngjitur këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij. Mjetet nga 0-3 vjeç nuk janë subjekt i kësaj takse. Në paktën e re fiskal ka ndryshuar e karbonit për benzinën, naftën dhe gazoilin. Taksa e karbonit është 1.5 lekë/litër për benzinën, 3 lekë/litër për gazoilin, 3 lekë/kilogram për qymyrin, 3 lekë/litër për solarin, 3 lekë/litër për mazutin, 3 lekë/litër për vajgurin dhe 3 lekë/kilogram për koks nafte. Një jtetër ndryshim në politikën fiskale për të cilin janë udhëzuar drejtoritë e tatimeve është edhe renta minerare. Sipas paketës së re fiskale çdo person fizik ose juridik, i cili është i licencuar dhe/ose vepron në industrinë minerare, sipas një marrëdhënieje kontraktuale me ministrin përgjegjës për ekonominë, duhet të paguajë qira për burimet natyrore të nxjerra nga, mbi dhe nën tokën e Republikës së Shqipërisë. Renta minerare llogaritet si një detyrim mujor i tatimpaguesit, në kohën kur ai shet produkte minerale. Në rastin e eksportit të produkteve minerale, qiraja paguhet në kohën kur bëhet deklarata e eksportit. 25 për qind e të ardhurave nga renta minerare i kalon pushtetit lokal, ku kryhet aktiviteti. Një tjetër ndryshim në paketën fiskale është ai për taksat për ambalazhet plastike njëpërdorimëshe, i cili është vendosur 100 lekë/kg dhe aplikohet mbi produktet vendase dhe ato të importit. Vetëm për industrinë e riciklimit, tarifa e ambalazhit, i prodhuar nga mbeturinat plastike të riciklueshme të gjeneruara në vend, është vendosur 50 lekë/kg. Kjo taksë mblidhet nga administrata doganore për produktet e huaja, në kohën kur ato importohen, ose nga administrata tatimore në rastin e produkteve vendase. Taksa për ambalazhet e qelqit njëpërdorimëshe është 10 lekë/kg dhe aplikohet për produktet vendase dhe ato të importit. Kjo taksë mblidhet nga administrata doganore për produktet e huaja, në kohën kur ato importohen, ose nga administrata tatimore në rastin e produkteve vendase.
Braçe: Shtrenjtimi i cigareve, abuziv
Grabitje për qytetarin dhe buxhetin e shtetit e konsideroi kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe rritjen e çmimit të cigareve me 50 lekë për paketë. Deputeti socialist reagoi në një postim në rrjetin social facebook duke e cilësuar të papranueshëm faktin që rritja e akcizës së cigareve është vetëm 20 lekë, por reflektimi i saj në treg u bë me 50 lekë për paketë. Sipas Braçes këto para nuk shkojnë në buxhetin e shtetit pasi ato shiten në kioska pa kupon tatimor. "Akciza e cigareve u rrit me ligj në fund të vitit me 20 lekë për paketë!! Unë vërtetë isha shumë fort pro rritjes së Akcizës së Cigares, por kjo është grabitje!! Ku shkojnë paratë? Në Buxhetin e Shtetit? Jo! Paketat shiten rrugëve dhe pa kupon tatimor! Paketat shiten në kioska dhe pa kupon tatimor! Kjo do të thotë se tregtarët bartin në çmimin me të cilin shesin paketat edhe akcizë edhe TVSH! Qytetaret paguajne!!
Buxheti i shtetit merr aq sa do tregtari, jo aq sa paguan qytetari, veçanërisht si TVSH për paketë!! Kjo është grabitje! Dy herë grabitje! Njëherë për qytetarin dhe herën e dytë për buxhetin e shtetit!", shkruan Braçe. Por çmimet e larta nuk po rëndojnë vetëm xhepat e duhanpirësve. Në tregjet e fruta perimeve çmimet vazhdojnë të ruajnë nivelin e ditëve të festave. Kështu për thuajse çdo produkt importi çdo konsumator paguan me 20 deri 30 leke më shtrenjtë. Në paketën e re fiskale është miratuar që nga 1 janari 2014 akciza për cigaret të rritet me 20 lekë/ paketë. Deri tani akciza ishte 70 lekë/paketë dhe nga fillimi i këtij viti ka shkuar në 90 lekë/paketë. Në paketën e re fiskale është parashikuar rritje e akcizës edhe për pijet alkoolike dhe burrat, si dhe janë përfshirë në akcizë pijet energjike, për të cilat është caktuar niveli 50 lekë/litër.