Sot, Matteo Renzi do të flasë në Harvard. Përveçse për të promovuar veten, mendoj se ka dashur të vijë në Harvard për të promovuar në Itali reformën e tij për universitetet. Kryeministri italian, disa muaj më parë, e tha qartë: duhet të kopjojmë modelin amerikan.
Dhe tani erdhi për t'i treguar bashkëatdhetarëve dhe votuesve të tij që atë model ai e njeh mirë.
Harvardi është universiteti më prestigjoz në botë dhe Renzit kaq i mjafton: nuk pyet se cilat janë kushtet dhe pasojat e një epërsie të tillë--për shembull, që Harvardi është një institucion me kapital më shumë se 36 miliardë dollarë dhe që pranon vetëm 0,04 për qind të studentëve që shkojnë çdo vit në universitet--e aq më pak nuk pyet se cili është niveli i 4 139 universiteteve të tjera amerikane. Jo, ai do të kthehet i kënaqur në atdhe dhe do të trumbetojë që universiteti italian, më i hershmi në botë, duhet të bëhet si ai amerikan, i bindur se nëse bëhet kështu, nuk do të jetë thjesht një kopje e keqe jashtë konteksi dhe jashtë kohe, por një novacion i madh. Është pak a shumë si të hapësh një kafene Starbucks në qendër të Firences, apo, akoma më mirë, në Sheshin Republika të Rignano sull'Arnos [fshat turistik 20 km nga Firence].
Por nuk është kjo arsyeja që nuk do të shkoj ta dëgjoj, sot, dhe as mospajtimi im me projektin e tij. Nuk do të shkoj ta dëgjoj sepse ka ardhur në Harvard me të njejtën frymë me të cilën do të shkonte të inaguronte edhe një qendër tregtare ose të çelte vitin e ri në Bursën e Milanos. Të gjitha gjëra që një kryeministër duhet t'i bëjë: por duke kuptuar që janë të ndryshme dhe duke respektuar diferencat e tyre. Për Renzin në fakt janë e njëjta gjë: raste për t'u shfaqur në televizor, të zhveshura krejtësisht nga përmbajtja.
Në mënyrë domethënëse, ai nuk do të flasë në Shkollën Kennedy të Qeverisë në Harvard, ku do të kishte kuptim për rolin e tij institucional. As në atë të ekonomisë, si vlerësim për reformat e tij liberale. Do të flasë në Muzeumin e Harvardit. Ma do mendja, e ka zgjedhur për të konfirmuar imazhin që Italia ka tek amerikanët: vendi i kulturës dhe i të bukurës. Ndoshta kush e ka ftuar ka ende në kujtesë foton e Renzit me Angela Merkelin nën Statujën e Davidit gjatë takimit të një viti më parë në Galerinë Akademia të Firences: pa vënë re (ose më keq, pa u shqetësuar) se sa e pavërtetë ishte ai sfond: një mjedis i mbushur me histori, i përdorur në mënyrë abuzive për të promovuar politika globaliste, që shkatërrojnë pikërisht atë identitet kulturor.
Por më shumë se një "shkatërrues" i të shkuarës, ai është, në fakt, një disney-fikator: njeri që banalizon gjithçka që prek, duke e ulur në nivelin e një shfaqje mediatike; duke e konsideruar njësoj të rëndësishme çfarëdo lloj gjëje që tërheq vëmendjen e gazetave dhe të rrjeteve televizive, pa asnjë prioritet, pa asnjë dallim, pa asnjë vlerë referuese.
Dimensioni i tij i vetëm është ai i publicitetit dhe i shfaqjeve të tipit "reality show", në të cilat bëhet "gjoja" sikur je i vërtetë, por duke mos e besuar me të vertetë; në të cilat maskohesh, por duke ruajtur një distancë ironike që shmang keqkuptimet; duke u përkujdesur që të mos rrezikosh ta kthesh një një përvojë autentike që si rrjedhojë mund të ndryshojë ndonjë gjë.
Në këtë gjë, Renzi është qenësisht ithtar i tregut të lirë, i angazhuar në derregullimin sistematik të vlerave, kundër të cilave përdor teknika të provuara si gjepura, që i zhveshin nga çdo domethënie kontrastet "e vërtetë-e gënjeshtërt" dhe "realitet-virtualitet".
Nuk e di se për çfarë do të flasë në Harvard. Njoftimet për fjalën e tij nuk ndihmojnë--"A keynote address", një fjalim zyrtar, pa shjegime të mëtejshme, si për të konfirmuar që nuk ka ardhur se ka pasur ndonjë gjë për të thënë.
Erdhi sa për të thënë që ishte. Marr me mend se ka sajuar ndonjë fjalim, në momentin e fundit, duke kërkuar në Google ndonjë anekdotë mbi Harvardin; siç bëri rreth një muaj më parë në një universitet tjetër, atë të Buenos Aires, ku në fund të një fjalimi konfuz dhe të mbushur me shprehje si ato të çokollatave Baci Perugina, citoi në spanjisht disa vargje të Borgesit "nuk ka fjalë më të madhe se sa miqësia për të përshkruar historinë e popujve të ndryshëm" (a ka ndonjë që mund të më shpjegojë çfarë do të thotë). Vetëm se ato nuk ishin vargje të Borgesit, sikurse vuri menjëherë në dukje gazeta e njohur El Pais, por një citim fallco që nuk dihet kush ia ka veshur Borgesit, i cili shfaqet në Google kur kërkon me togfjalëshin "borges-miqësi".
Ndokujt mund t'i vijë në mendje koncepti rilindas i "lehtësisë së shtirur" në Librin "Oborrtari" të Baldasar Kastilionit, një nga librat italianë që kanë ndikuar më shumë qytetërimin europian. Kastilione priste nga klasa sunduese që, në shkëmbim të privilegjeve që ajo gëzonte, të demonstronte aftësi dhe stil pa u sforcuar: duhej të dije çdo gjë e të dije të bëje çdo gjë, por duhej të dukeshe sikur ato të vinin natyrshëm. Por ajo ishte një shoqëri me rregulla të forta. Në kohën e derregullimit të çdo gjëje, fituesit alla Renzi ndjekin rregullin e kundërt: duhet të dukesh, pa patur as aftësi dhe as stil.
Për këtë arsye nuk do të shkoj ta dëgjoj në Harvard, këtë mëngjes. Sepse në ndryshim nga Berluskoni dhe nga shumë politikanë të tjerë, Renzi nuk mjaftohet vetëm në injorimin apo përçmimin e kulturës. Kultura mund t'i mbijetojë edhe injorancës, edhe përçmimit. Jo, Renzi po e boshatis atë.
Me vogëlsirat e tij programatike ai po fyen edhe arsyen, edhe gjuhën; po e redukton komunikimin-- aftësinë më të qenësishme njerëzore e shoqërore--në një thashethem. Nevoja për të qenë i qartë dhe i saktë të shtyjnë drejt një niveli koherence; kurse mungesa e saktësisë të zhveshin nga përgjegjësia dhe të bëjnë indiferent mes të vërtetës dhe fallcos, të drejtës dhe të padrejtës, virtytit dhe të metës, përfituesve dhe viktimave të tyre. Dhe kur zbraztia shndërrohet në stil dhe në program, fundi i demokracisë është tmerrësisht i afërt.