Ju thoni, në librin tuaj “Jeta ime”, se të bësh një intervistë nuk është aspak e lehtë dhe nga zhanret e gazetarisë është ndoshta më e vështira, por sot shohim se ky zhanër është më i aplikuari në media. Pyetja që unë kam për këtë është: Intervista që shihni dhe lexoni sot në shtypin dhe televizionin shqiptar a është ajo që duhet të ishte?
Nuk ka asnjë dyshim që intervista është zhanri më i vështirë ndër ata që unë kam aplikuar në emisionin tim. Por edhe më gjerë. Po flas për emisionet në studio, sepse dokumentarët ose emisionet dossier po ashtu kanë një tjetër lloj vështirësie. Që të intervistosh dikë duhet të kesh njohje shumë të mira të personit, aksionit të tij, profesionit dhe gjithë tematikës për të cilën e ke ftuar në studio dhe e interviston. Duhet të jesh 100% i vëmendshëm dhe po ashtu të ndërhysh në kohën e duhur dhe mënyrën e duhur. Po ju them që zakonisht për një intervistë unë punoj 5 - 6 herë më shumë sesa për një emision debat. Sa për intervistat e shkruara të shtypit shqiptar, them se ato janë vetëm intervista në formë, d.m.th me pyetje dhe përgjigje, por 90% e tyre s’kanë asnjë lidhje me subjektin për të cilin zhvillohen dhe kam vënë re që shpesh gazetarët s’kanë as njohje të detajeve dhe as të problemit për të cilin zhvillojnë intervistën. Kjo ka krijuar një lloj shpërdorimi të këtij zhanri në Shqipëri, por vetëm kaq. Një intervistë e mirë, mbetet gjithnjë një intervistë e mirë.
Intervista juaj e parë i përket vitit 1989 në gazetën “Studenti”. Çfarë kujtoni nga përvoja e parë me procesin e të shkruarit në shtyp?
Intervista e parë ishte pjesë e një cikli intervistash me shkrimtarë të njohur, që bashkë me Ben Blushin zhvilluam në gazetën “Studenti” në vitin 1989, kur ishim studentë të vitit të dytë të Gjuhës dhe Letërsisë. Intervistat qenë disi ndryshe dhe shumë shpejt ranë në sy edhe të shtypit qendror dhe të personazheve më në zë të letërsisë shqiptare në atë kohë. Mbaj mend që ato botoheshin çdo dy javë. Para disa muajsh gjeta fletët e përgatitjes për intervistën me Nasi Lerën. Bashkë me Ben Blushin kishim plotësuar 19 fletë format, kishim bërë 71 pyetje për të përfunduar në 15 që i kishim drejtuar Nasi Lerës. Natyrisht, gazetaria e sotme s’e ka këtë luks, por kur interviston dikë minimalisht të duhet të shpenzosh disa orë për pyetjet. Sa për përvojën e parë, për fatin tim të mirë ishte interesante. Qe e tillë sepse gazeta “Studenti” nuk kontrollohej shumë dhe unë isha 19 vjeç. Kjo më dha mundësi të isha më i lirshëm dhe të mos i njihja kufizimet e kohës dhe censurën që kishin shkatërruar ndërkohë shumë talente të ardhshëm.
OPINION është emisioni i parë politik në Shqipëri, që prej 31 gushtit 1997. Natyrshëm ju etiketojnë me këtë emision. Por a e sheh veten ndonjëherë të ndarë nga ky format, Blendi Fevziu?
Padyshim. Më shumë janë njerëzit që më identifikojnë me të, sesa unë vetveten. Ka shumë gjëra të tjera me të cilat identifikohem më shumë.
Po nga Televizioni Klan? Kam parasysh faktin se jeni imazhi i këtij televizioni që nga viti 1998...
Unë jam lidhur me Klanin shumë herët, që në ditët e para të ekzistencës së këtij grupi dhe gjithë karriera ime në të ka qenë mjaft komode. Në këtë rast jam unë që e shoh veten shumë të identifikuar me Klanin dhe besoj edhe njerëzit po ashtu.
Së fundmi ju kemi parë (lexuar) edhe si një dëshmitar të 20 viteve të historisë postkomuniste. Sa e madhe është pesha e rrëfimit të këtyre 20 viteve dhe mendoni se është koha për ta bërë një gjë të tillë?
Besoj se ju e keni fjalën për një libër që unë e kam mbaruar që vjet dhe që u përmend në shtyp, por që unë s’kam vendosur ta botoj ende. Bëhet fjalë për një ditar politik që nis më 9 nëntor 1989, kur isha student i vitit të tretë në fakultet dhe mbaron në 31 dhjetor 2009. Pra, janë 20 vite të Shqipërisë post komuniste dhe vitet e fundit të regjimit komunist. Kam shënjuar ngjarjet ku kam qenë vetë, herë dëshmitar e më rrallë protagonist, falë një kujdesi metodik për të shënuar të gjitha momentet e rëndësishme me kujdes, për vite me radhë. Është një ditar i gjatë, një libër me afër 780 faqe, që duhet të vendos se kur dhe si do ta botoj. Aty do të gjeni gjithë transformimin e këtij vendi, bashkë me rrugën e personazheve të tij, diku më shumë e diku më pak të famshëm dhe problematikë. Them se është një dëshmi unikale që do të ngjallë interes.
Sa e vështirë është të kalosh nga faktet te fiction në një vepër? Ju i keni lëvruar të dyja?
Nuk e di sepse s’e kam menduar këtë gjë. Ka qenë një kalim normal dhe besoj se nuk i kam përzier të dyja zhanret.
Si lindi pasioni për të shkruar letërsi? Zakonisht gazetarët mundohen t’i largohen letërsisë...
E para ishte letërsia… do të thosha, nëse do të perifrazoja një thënie të famshme të Sokratit. Në vitet e studimeve unë mendoja se do të bëhesha shkrimtar dhe letërsia ishte sfida ime. Pastaj e kuptova se një tjetër pasion doli më i fortë sesa ai i shkrimtarit. Pasioni i politikës, gazetarisë, historisë. Ndjekja e fakteve dhe manipulimi me to. Manipulimi në sensin pozitiv. Ky pasion i ri, që me siguri kish qenë brenda meje, e zbehu atë të vjetrin, por nuk e zhduku dot. Një moment, pasioni i vjetër u ngrit sërish dhe produkt i tij ishte romani “Hiri i Vullkanit”. Nuk e di nëse ky pasion i vjetër do të mbijetojë dhe do të prodhojë diçka tjetër në letërsi, apo përditshmëria do ta mbysë atë. Gjithsesi, jam i kënaqur që unë i pagova pasionit të rinisë një borxh të vjetër dhe shkrova një roman.
Cila ka qenë familja juaj, ambienti ku jeni rritur?
Një familje fenomenale. Një familje që më shumë sesa prindërit, dominohej nga tri stërgjyshe. Tri plaka të bardha, që vinin nga familje të mëdha dhe me ndikim të fortë në historinë e Shqipërisë. Një prej stërgjyshërve kish qenë anëtar i Këshillit të Naltë në vitet 1921-1923, ndërsa stërgjyshi tjetër, ministër i Brendshëm dhe deputet në vitet 1921-1924. Shtëpia ishte e mbushur me detaje nga historia e Shqipërisë, me kujtime gojore, por edhe letra, dekorata, shpata të vjetra dhe uniforma ushtarake, që më mrekullonin me shkëlqimin e tyre. Ishte një botë që s’ekzistonte më, e harruar dhe që komunizmi e luftonte, por ishte aty. Në atë familje u rrita me dy mësime: që komunizmi gënjente për historinë dhe e shkruante atë siç donte; dhe e dyta, që unë kisha përse të mburresha me të parët e mi. Ishin njerëz që kishin punuar për të ndërtuar një shtet indipendent Shqiptar dhe kishin luajtur rol në vitet e para të konsolidimit të tij. Por kishte dhe një dimension tjetër. Tri stërgjyshet me të cilat unë u rrita kishin studiuar për shumë vite në Vjenë, Paris dhe Firence. Kujtimi i këtyre qyteteve dhe i asaj bote ishte i gjallë tek to dhe unë u mësova që përtej kufijve të ndryshkur të regjimit komunist, ekzistonte një botë tjetër, shumë më interesante. Qenë mësime të mëdha në jetën time. Siç qe politika. Dëgjoja me orë bisedat politike të tim eti me kushërinjtë e tij, kryesisht për politikën e jashtme dhe sot, ende sjell në mend detaje nga evente botërore, me komentet që ata bënin për to. Sot e kuptoj, që e gjithë kjo ishte një shkollë, një shkollë që paralel me atë tjetrën (zyrtaren), që bëja çdo ditë, më dha shumë më tepër njohuri se sa kishin moshatarët e mi.
Ju krahasojnë me Bruno Vespën, jo vetëm profesionalisht por dhe për lidhjet e ngushta me Kryeministrin. Në fakt cilat janë marrëdhëniet tuaja të drejtpërdrejta me kryeministrin Berisha?
Janë marrëdhënie shumë të mira, perfekte për momentin. Por si me çdo njeri politik edhe kjo marrëdhënie ka kaluar këto 20 vite nëpër shumë ulje dhe ngritje. Natyrisht që e vlerësoj dhe besoj se në historinë e Shqipërisë vendi i tij nuk do të jetë modest. Por marrëdhëniet e mia me kryeministrat e këtij vendi kanë qenë herë të mira dhe herë të këqija, por gjithnjë ka pasur një marrëdhënie. Që nga Ylli Bufi, që u bë Kryeministër i Qeverisë së Stabilitetit; nga i ndjeri Gramoz Pashko, që ishte zv.kryeministër; e deri te moshatarët e mi Pandeli Majko e Ilir Meta, me të cilin jam njohur që në shkollë. Po këtu hyn edhe raporti me Nanon, që ka qenë herë i mirë e herë i keq, por raport solid gjithsesi. Nga ana tjetër ju garantoj se kam raporte me të gjithë njerëzit politik të këtij vendi dhe kam shumë miq, të vjetër apo të rinj, që janë pjesë e politikës. Të majtë ose të djathtë.
Po me pushtetin në përgjithësi ç’marrëdhënie keni?
Pushteti është shumëdimensional. Është pushtet politik, mediatik, gjyqësor, ekonomik. Të siguroj që me të gjitha pushtetet kam marrëdhënie komplekse. Diku shumë të mira, diku problematike. Por këto janë raporte që ndryshojnë varësisht ngjarjeve, njerëzve, kontakteve dhe angazhimeve. Është miopi të flasësh për pushtet në një drejtim dhe një dimension. Pushtet, madje shumë i fortë, është edhe politika.
Ju thoni se “Të jetosh në një shoqëri politike, të jesh pjesë e saj, të punosh çdo ditë me të, e ke shumë të vështirë të mos prekesh prej saj”…A ju ka ndodhur që për shkak të kësaj të keni devijuar nga e vërteta?
Nga e vërteta nuk besoj, nuk mbaj mend. Por askush nuk mund të jetojë mbi diçka. Mund të jetojë vetëm brenda saj. Dhe duke jetuar Brenda saj do të marrësh huqet e saj, do të ngatërrohesh e jo rrallë duhet të bëhesh edhe pis.
Nëse do ta kalonit shtypin në një skaner, si do të ishte grafika sipas Fevziut?
Nuk kam asnjë mendim për këtë gjë. Për të bërë një skaner të tillë duhet një libër më vete.
Si e keni njohur bashkëshorten?
E kam njohur shumë vite më parë, kur ajo ishte 15 vjeç dhe unë s”kisha asnjë ide që 11 vjet më pas do të bëhej bashkëshortja ime.
Çfarë kujtoni nga fëmijëria sot?
Mbrëmjet në familje, kur mblidheshim të gjithë bashkë, rrëfimet e stërgjysheve dhe lojërat e zakonshme të fëmijërisë.
Si është marrëdhënia juaj me femrën në përgjithësi?
E mirë, besoj!
Sa vlerë kanë idealet për ju në kohët që jetojmë?
Nuk e di!
A besoni në Zot?
Jo!
Çfarë bëni kur jeni i mërzitur (reagimi i parë)?
Lexoj. Kryesisht libra që i kam lexuar më parë dhe më kanë lënë mbresë.
Jeta është vetëm e jotja apo edhe e të tjerëve?
S’e di, s’e kam menduar këtë gjë.
Thashethemi i fundit që keni dëgjuar për veten?
Ku e di unë. Pyesni një herë rrotull.
Keni ndonjë tatuazh në trup? Nëse jo, a jeni tunduar ndonjëherë për ta pasur një të tillë?
Jo, s’më ka shkuar nëpër mend.
Çfarë ngjyre ka martesa për ju?
Nuk e di. Dhe unë nuk i dalloj mirë ngjyrat, i ngatërroj.
Jeni hakmarrës?
Duhet të pyesni të tjerët për këtë.
Një fjalë me të cilën do ta etiketonit veten tuaj?
Nuk e di, s’e kam menduar.
Një fjalë me të cilën të tjerët ju etiketojnë më shpesh?
S’kam qenë i vëmendshëm. Do tentoj të jem më i kujdesshëm për ta kapur se cila është kjo fjalë.
Makina e parë që keni pasur?
Një Volvo 245!
Po makina e fundit?
Një Mercedes Benz ML 320.
Çfarë do të bëje dhe çfarë nuk do të bëje për para?
As këtë s’e kam menduar. Por të siguroj që jeta ka qenë po aq e bukur, si kur kisha fare pak të ardhura edhe tani që kam shumë më tepër.
5 gjërat për të cilat, sipas jush, ia vlen të jetohet?
S’i kam menduar.
Besoni te martesa me dashuri apo te dashuria pa martesë?
Nuk jam thelluar kaq shumë në këtë çështje. Duhet të reflektoj për të arritur një përfundim.
Si është një ditë e juaj ideale?
S’ka ardhur akoma, kështu që s’di t’ju them.
Udhëtimi që keni ëndërruar dhe që nuk e keni bërë akoma?
Në Polinezinë Franceze. Dhe besoj se do ta bëj së shpejti.
Njeriu të cilit i besoni më shumë?
Vetes sime!
Personi që njihni më mirë dhe personi që ju njeh më mirë?
Ime shoqe!