Blendi Fevziu Me kete biografi kam guxuar shume

Blendi Fevziu: Me kete biografi kam guxuar shume
Ai ka guxuar siç vetëm një gazetar mund ta bëjë për të kërkuar të vërtetën. Guxoi me të parin emision politik, që edhe sot mban emrin Opinion; guxoi në letërsi, së fundmi guxoi të sjellë dhe të parën biografi bazuar në dokumente të ish-udhëheqësit komunist të shqiptarëve “Enver Hoxha”- kështu titullohet edhe libri biografik me autor gazetarin Blendi Fevziu, që vjen si një botim i “UET Press”.

Për shumë vite me radhë - thoni në librin tuaj - Enver Hoxha i imponoi historisë versionin e tij ... pas vitit '90-të figurën e Hoxhës u orvatën ta zhdukin nga çdo piedestal... Midis këtyre dy qasjeve, ku qëndron e para biografi e shkruar prej jush, që është bazuar në dokumentet e arkivit personal, rrëfimet e atyre që e njohën Enver Hoxhën?

Ajo që kam thënë unë, është fakti se figura e Enver Hoxhës është parë në dy kënde ekstreme dhe në dy kohë ekstreme. Në kohën e tij, në kohën e diktaturës që ai ngriti në Shqipëri, Hoxha ishte një gjysmë perëndi. Asnjë monark i globit nuk mund të krahasohej me të, fjala e tij ishte ligj dhe ai shihej si një figurë poliedrike, që dinte gjithçka dhe fliste për gjithçka. Hoxhës i kishin ndërtuar një histori jete që nuk ishte ajo që ai kishte pasur realisht, por ajo që do të kishte dashur të kishte. Atij ia kishin fshehur mëkatet, ia kishin lëmuar problemet, ia kishin theksuar anët pozitive, e kishin vizatuar si një model, por jo si një njeri kompleks. Kjo kryesisht për vitet para angazhimit komunist. Vitet si lider absolut i vendit qenë edhe më të ngurta, ato kishin një version dhe vetëm një, dhe në thelb të tij qëndronte ideja se Hoxha kish gjithnjë të drejtë dhe ai ishte i pagabueshëm.

Pas vitit 1990, kjo ndryshoi kryekëput. Çdo gjë që u shkrua për Enver Hoxhën ishte e nisur në princip nga ideja që ai ishte një personazh i keq, që i kishte kushtuar shumë këtij vendi dhe që në asnjë rast dhe asnjë rrethanë nuk mund të analizohej me një regjistër tjetër veç këtij. Për të u shkruan me mijëra faqe, në shumë raste i thanë të vërtetat e fshehura, por në shumë raste të tjera denigrimi ishte pa sens dhe i padrejtë. Padyshim që edhe kjo ishte e kuptueshme dhe e justifikueshme, por jo normale.

Vitet e ftohën pasionin e parë dhe brenda përcaktimit të patjetërsueshëm, që ai ishte një diktator i frikshëm dhe i pamëshirshëm, aktiviteti dhe sidomos aksioni i tij politik duhen parë me realizëm dhe nën dritën e dokumenteve. Kjo është pak a shumë ajo që unë kam thënë dhe jam i bindur që gjithçka do të vijë më pas do të jetë më realiste dhe më e dokumentuar.

A kishit qoftë edhe për një moment dilemën se ndoshta ende nuk kishte ardhur koha për t’i bërë biografinë diktatorit, sepse shqiptarët kanë akoma ndjeshmëri të ndryshme për atë periudhë dhe sidomos për figurën e Enver Hoxhës?

Nuk e pata për asnjë moment këtë dilemë, sepse nuk u nisa të shkruaj një biografi të tij. Madje, kam bindjen se, nëse do të kisha menduar një libër biografik për të, nuk do ta kisha shkruar kurrë. Do të më dukej i pamundur. Shumë projekte të miat në fakt kanë nisur kështu. E kam thënë disa herë këto ditë, stafi i emisionit OPINION ra në gjurmët e disa filmimeve të jashtëzakonshme të Enver Hoxhës, dy vjet më parë, dhe ideja ishte që me to të ndërtonim një dokumentar për jetën e tij. Dokumentari kërkonte edhe dokumente shtesë dhe duke kërkuar në arkiv, ramë në gjurmë të dokumenteve të rëndësishme të arkivit të tij personal. Dokumente shokuese, që dëshmonin shpeshherë një personazh edhe më të frikshëm dhe kompleks sesa ai që besonim se kishim njohur ne. Me to ndërtova skenarin e dokumentarit dhe në fund, kur mbarova, skenari ishte shumë, shumë i gjatë. Ai llogaritej në afro 110 faqe libri dhe shumë prej dokumenteve të paraqitura aty qenë shkurtuar ndjeshëm. Paraqitja e tyre qe gati-gati telegrafike dhe kisha lënë jashtë shumë të tjera. Atëherë mendova që projektin e dokumentarit ta shtyj për më vonë dhe të shkruaj një libër biografik për të. Mendova një libër 200 - 250 faqe. Për këtë rilexova edhe një herë të gjithë librat e tij me kujtime dhe thuajse shumicën e gjërave që janë botuar për të pas vitit 1990. Takova njerëz të afërt të tij dhe njerëz që i kanë shërbyer për dekada. Njerëz që e urrejnë dhe njerëz që e duan. Kur e mbarova këtë version, ia nisa për ta lexuar dhe për të më dhënë një gjykim thuajse 30 vetave që njoh. Reagimi i tyre qe mjaft i mirë dhe disa më ndihmuan me dokumente shumë të rëndësishme shtesë. Në fund, doli ky libër prej 400 faqesh.

Njerëzit që ju ndihmuan për këtë libër. Konkretisht cili ishte kontributi i tyre dhe çfarë vendi zënë ata në shkrimin e këtij libri, si p.sh. Ismail Kadare, Aurel Plasari, Nevila Nika apo Kastriot Dervishi?

Së pari, duhet të nënvizoj ndihmën e madhe të Aurel Plasarit, i cili më vuri në dispozicion me bujari kujtimet e babait të tij, një militant i njohur i lëvizjes komuniste shqiptare që prej vitit 1925, që më dha mjaft dokumente të arkivit të tij dhe ndau në libër një histori të tijën personale. Ai qe i pari që disiplinoi stilin tim prej gazetari të shpenguar, duke më kërkuar për çdo citim dhe dokument burimin. Shumë gjëra të dëgjuara aty - këtu ranë poshtë dhe vetëm ato që kishin një referencë mbijetuan. Redaktimi i tij qe tejet i rëndësishëm për t’i dhënë librit formën që ka në botim. Ismail Kadare pranoi me mjaft xhentilesë ta lexonte dorëshkrimin dhe e bëri këtë në një kohë rekord për ngarkesën e tij. Vërejtjet e tij qenë kryesisht stilistike, por përkrahja e tij, qoftë dhe inkurajimi, ishte me mjaft vlerë për mua. Nevila Nika dhe Kastriot Dervishi kanë një rol shumë të rëndësishëm, se thuajse pjesa më e madhe e dokumenteve të cituara në libër kanë ardhur nga AQSh (Arkivi Qendror Shtetëror) dhe nga Arkivi i MPB (Ministrisë e Punëve të Brendshme), pra nga institucionet që ata drejtojnë, me kujdesin dhe angazhimin e atyre vetë. Unë u jam referuar shpesh katër librave të Kastriot Dervishit, që janë libra me mjaft vlerë.

Po kështu më kanë ndihmuar edhe shumë persona të tjerë që kanë lexuar librin dhe kanë bërë vërejtje thelbësore.

Vërejtjet dhe sugjerimet e atyre që ju ndihmuan ku konsistonin më shumë?

Kanë qenë të ndryshme, kryesisht saktësime të detajeve historike dhe sugjerime të ndryshme, duke nisur që nga dokumentet e deri te librat që mund të përdorja si burime.

Sa të hapur ishin me ju në rrëfimet e tyre ata që e kanë njohur Enver Hoxhën?

Besoj se shumë të hapur. Ata që pranuan t’i citoj dhe ata që, për hir të viteve të gjata të punës në familjen e Hoxhës, më kërkuan që mos t’ua përmend emrat. Por këta nuk kanë qenë thelbësorë, në libër thelbi janë dokumentet.

Familja e Enver Hoxhës ka dhënë ndonjë kontribut në informacion apo qoftë edhe me fotografi për këtë biografi?

Indirekt padyshim. Unë kam cituar në libër dy intervistat që Liljana Hoxha ka dhënë në emisionin OPINION, por edhe 4 libra me kujtime të Nexhmije Hoxhës, librin me kujtime të djalit të Hoxhës etj.

Si ju ra në dorë ditari i Enver Hoxhës dhe çfarë përshtypje krijuat për të ndërkohë që lexonit ditarin?

Ditari i Enver Hoxhës ndodhet në AQSh dhe deri tani unë kam parë vetëm disa data të tij të botuara në shtyp. Shumë pak në krahasim me afro 7000 faqet që ka lënë ai trashëgim. Por jo i gjithi vlen. Madje mund të thuhet që më shumë vlen për të krijuar një ide mbi situatat e ndryshme politike dhe situatën familjare që ka pasur ai; mbi paranojat, mbi idenë e mënyrës sesi funksiononte njeriu numër një i shtetit komunist; mentalitetin e tij meskin dhe shpesh banal. Bëhet fjalë për një ditar të ndarë në tri pjesë, por që unë nuk e kam lexuar të gjithin.

Pasi keni hulumtuar nëpër arkiva, keni parë foto, filmime etj. etj., si do ta karakterizonit Udhëheqësin dhe Njeriun Enver Hoxha?

Ashtu siç shumë vetë e njohin. Një tiran i pashembullt, një prej fatkeqësive më të mëdha të këtij vendi, por padyshim një njeri me një talent të spikatur politik, edhe pse një talent kriminal.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama