Blerjet qe na ngushellojne

Blerjet qe na ngushellojne
Ekziston një klasifikim i çuditshëm, jo shumë i njohur i produkteve që tërheqin më shumë klientët. Janë sendet që blihen me pavendosmëri dhe çohen në shtëpi pa asnjë brejtje ndërgjegje. Po flasim për tregun e produkteve me kosto të ulët dhe kënaqësi të madhe. Konkretisht, bëhet fjalë për patatinat dhe vitaminat, përbërësit për torta dhe receta të ndryshme, zbukurime për kopshtet, “smartphone”-ët e fundit, kremrat kundër rrudhave, si dhe shumë komplekse vitaminike.

Këto janë disa nga produktet për të cilat femrat shpenzojnë shumë para. Edhe në këtë periudhë krize produktet e lartpërmendura nuk janë prekur prej saj, madje duhet thënë se nuk mund të heqësh dorë prej tyre. Duke bërë një krahasim të vogël me produktet e tjera, kryesisht ato kozmetike kanë pësuar rritje.

Të mirat e tyre vërehen si në anën materiale ashtu edhe atë shpirtërore. Duke bërë një llogaritje të shpejtë, në vitin 2011 shumë persona blenë gjithçka që duhej për të përgatitur aperitivë në shtëpi, nga patatinat me aroma të ndryshme te pijet, birrat jo alkoolike dhe buka për sanduiç. Po ashtu, gjatë vitit 2011 u blenë më shumë sesa vitet e kaluara përbërës për ëmbëlsira, nga majaja te sheqeri për karamele, si dhe zbukurime për të organizuar festa në shtëpi.

Ndoshta si pa e kuptuar njerëzit u janë rikthyer traditave të vjetra familjare, duke shpenzuar më pak para jashtë. Kështu numri i personave që blejnë gota dhe tenxhere është rritur 21%; po ashtu është rritur edhe konsumi i detergjenteve (+14%) për të mbajtur pastër shtëpinë. “Familjet kalojnë më shumë kohë në shtëpi, shpenzojnë më shumë për mëngjesin, aperitivët, ëmbëlsirat dhe festat”, thotë menaxheri i një qendre kërkimi.

“Rikthimi i zakoneve të vjetra shtëpiake është një prej tendencave aktuale të konsumit. Një aspekt i kësaj çështjeje është ‘enjoy cooking’ (kënaqësia e gatimit), gjë që ka rritur shumë kërkesën në dyqanet e elektroshtëpiakeve, ku së fundmi njerëzit janë të interesuar të blejnë sende si mikseri, thekësja e bukës, mulliri. Përkrah këtyre produkteve që shiten shumë, janë pastaj ato me përmbajtje të lartë shërbimi, që të kursejnë kohën, ose ushqimet e gatshme (nga sallatat e lara, te lëngjet e frutave të gatshme). Gjithashtu një tendencë tjetër shumë e përhapur kohët e fundit, është ajo e shëndetit dhe mirëqenies”, shton ai.

Në një botë të mbushur plot me të papritura dhe ku asgjë nuk është e sigurt, gjëja më e rëndësishme është shëndeti dhe të qenët në formë të shkëlqyer. Për të ruajtur shëndetin duhet të merrni komplekse vitaminike, të konsumoni panine pa glutinë, shitjet e të cilave janë dyfishuar, si dhe mos e ndani qumështin (kërkesat për të kanë arritur në 88%).

Kozmetika është reparti i mëkateve të vogla, i flijimeve që nuk mund të heqësh dorë, por mbi të gjitha i dëshirave. Kuti tualeti për makijazh, kremra kundër rrudhave, llak, buzëkuqe, parfume: të gjitha këto janë produkte që nuk e njohin krizën. “Konsumi i produkteve kozmetike nuk ka fare lidhje me krizën, madje është bërë pjesë e pandarë e higjienës së femrave. Për larjen e trupit përdorën të paktën pesë produkte në ditë”, shpjegon një studiuese. “Edhe llaku i flokëve përdoret shumë si nga femrat ashtu edhe meshkujt. Një repart tjetër që lulëzon nga blerjet është ai i parfumeve. Vlen të përmendet që kohët e fundit një të tretën e tregut të parfumerisë e përbëjnë meshkujt”.

Në fakt kujdesi ndaj vetes nuk ka lidhje vetëm me mirëqenien fizike. Njerëzit shpenzojnë edhe për të hyrë në internet, për të blerë pajisje që nuk i lënë kurrë vetëm, siç janë “Smartphone”-t, “iPad”-ët, etj. Ata janë të gatshëm të bëjnë sakrifica vetëm që të jenë të pashoqëruar. Në vitin 2011 u dyfishuan shitjet e pajisjeve të vogla (mikroçip) dhe u rrit me 20% numri i përdoruesve të internetit përmes telefonave. Ky është tregu i të rriturve, që paralelisht me të ekziston edhe ai i fëmijëve. Për të vegjlit, mamatë nuk blejnë shumë rroba nëpër butikë. 13 për qind e mamave i shpenzojnë paratë për sendet e nevojshme dhe 5% për ëmbëlsira, lodra, patatina, çokollata.

Intervista
Sociologu
“Mes lodrave dhe vlerave familjare, rikthemi në origjinë”

Profesor a ka produkte që nuk e njohin krizën?

Po ndonjëherë kur mungon burimi ekonomik, blerjet bëhet me shpirt, duke ndjekur impulset më të thella. Ka blerje që na bëjnë ta kapërcejmë realitetin, që në këtë rast janë lodrat.

Edhe pse po kalojmë një periudhë krize linja e kozmetikës nuk e ndjen këtë. Si është e mundur?

Trupi është burimi ynë i frymëzimit. Kur trupi im është mirë, edhe unë gjithashtu ndihem mirë. Kujdesi ndaj trupit forcon identitetin, gjë që mund të vihet në diskutim kur njeriu nuk është i pastër.

Rritje po pëson edhe tregu i telefonave dhe i pajisjeve të tjera teknologjike…

Këto pajisje kanë një funksion të dyfishtë: nga njëra anë janë sende luksi, ndërsa nga ana tjetër i përgjigjen kërkesave tona që duam të ecim në një hap me kohën. Megjithatë sipas mendimit tim, ndryshimet frenetike që karakterizojnë teknologjinë, mund të shtojnë më shumë ankthin sesa sigurinë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama