Blerta Xhomo E angazhuar per nje mesazh ndikues

Blerta Xhomo: E angazhuar per nje mesazh ndikues

“Transhendenca si trup i mendjes” është ekspozita e cila u çel dje në Galerinë “Fab”. Sipas piktores Blerta Xhomo, kjo ekspozitë ka në themel mesazhin e rrugëtimit jetik, ndërsa ajo ndjehet e angazhuar për të  përçuar këtë mesazh te publiku.

 

Transhendenca, akti i të ngjiturit në një gjendje superiore, i të kapërcyerit të dijes njerëzore, përtej perceptimit të zakonshëm…Transhendenca si trup i mendjes. Ashtu siç e sjell piktorja Blerta Xhomo në ekspozitën e saj personale të çelur dje në mbrëmje në galerinë “Fab”.

Portrete gjigante me vështrime hetuese, të kithëta do i quante dikush, disi melankolike,  ndërsa përmasat dhe përzierja e ngjyrave i bën sytë e tyre hipnotizuese…

Pasione të brishta të shkrira mes tradhtisë e arratisë, shpirtra të çartur dhe shije shpirtrash të kuq në formë shegësh e ëndrra të  kaltra të një deti transhendent e stacione të fundme të shpirtrash të vuajtur me duar e këmbë të regjura…janë këto disa nga tematikat që piktorja ka servirur për publikun në teknikën vaj mbi kanavacë në tablo të mëdha  të përmasave 120 me 120 centimetra. Shkrirja e ngjyrave mbi pëlhurë e bën syrin e vëzhguesit të humbasë në përzierjen mes kësajbote dhe së përtejmes. E për të mbërritur deri te bota e prekshme, përditshmëria e fizikes i është dashur të bëjë një rrugëtim të gjatë nga mendja e artistes duke u trupëzuar në penelata të fuqishme.

“Kjo ekspozitë ka në bosht një mesazh dhe është pikërisht ai mesazhi i perkorsit jetik.  Të gjitha këto, natyrshëm kanë gjetur rrugë te unë. Kanë ndenjur gjatë dhe gjetën rrugën e kësaj  forme shprehie.  Kësaj radhe, pastaj nuk e di” –shprehet  piktorja Xhomo, e cila duket si misionare  për ta sjellë atë lloj forme të artit transhendent.

“Artisti angazhohet edhe më tej për të kaluar një mesazh mbase më të drejtpërdrejtë, më ndikues, më i absorbueshëm. I rëndësishëm është realiteti i këtyre dy trajtave. I këtyre dy qenieve për mua.  Herë njëri herë tjetri si sfond. Këtu kam vendosur t’i përball”.

Ajo çka vëren ndërsa sodit pikturat e ekspozuara në të dy katet e galerisë pranë Akademisë së Arteve, është vendi qendror që piktorja i ka dhënë femrës, mes tundimit dhe pendesës, mëkatit  modern, kompromisit e arratisë e përhumbjes në ëndrra.

“Zonat e pavetëdijshme na vijnë në radhë në transe nga personaliteti i femrës, me një formë refleksi deri në adhurim; apo koka të zbuluara, sikur modelon të njëjtën përkorje pa praninë e të kundërtës, pra të mashkullit. Ose zona pikturore ku sërish sundon elementi femër, në një shpellim komunikimi si narcizist, të dhunshëm në sipërfaqe e në detaj (portrete mbinatyrale që e justifikojnë këtë epërsi)”- është i mendimit kuratori Vladimir Myrtezaj, i cili e quajti piktoren Xhomo një natyrë timide, e cila parapëlqen të shprehet përmes pikturës.  Sipas tij, piktura e Xhomos  ngre struktura  të nënvetëdijes, duke i përplasur  në një konflikt gati melankolik mes subjektit dhe plastikës.

“Të gjitha këto zona të aplikuara të ndërgjegjes e bëjnë subjektin në fjalë të ketë një lidhje unike me rrugëtimin e triumfit femër”- vijon Myrtezaj, duke e quajtur pikturën e saj  një konflikti karakterial e të brendshëm. “Përfytyrimi im mbi një alternim të psikës, se si përmes saj mund të zbulojmë zona të heshtura, që do ishin me interes për publikun, mendoj se do gjeneronte përjetimin e veçantë mbi pikturën e Xhomos, si një bashkudhëtim zbulues”-përfundon ai.

Në ceremoninë e përurimit të kësaj ekspozite personale të  Xhomos ishin mbledhur kolegë e artdashës, studentë të arteve të bukura, por edhe figura politike si Aldo Bumçi dhe Eduard Halimi. E pranishme ishte edhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila duke uruar  piktoren u shpreh se ndodhej aty në cilësinë e artdashëses.

Blerta Xhomo ka kryer studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura Tiranë, dega pikturë,

specialiteti grafikë, në vitet 1987 – 1991.

Zhvillon aktivitetin artistik midis artit figurativ e filmit të animuar.  Me një eksperiencë të gjatë  si piktore, animatore e  regjisore ajo ka marrë pjesë në  një sërë  festivale ndërkombëtare filmi dhe ka marrë pjëss në disa ekspozita brenda dhe jashtë vendit.  Ajo është vlerësuar me  një sërë çmimesh  si “ Contemporary Aëard fort Art”, I”nternational Panorama

of Indipendent Filmarker”,  Çmimi i parë si piktore në festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar me filmin “Gjiganti i Vetmuar” Bashkë me piktorin Ilirjan Shima është përzgjedhur në 5 finalistët në konkursin ndërkombëtar për Monumentin e 100–vjetorit të  Pavarësisë së Shqipërisë. Ekspozita “Transhendenca si trup i mendjes”, që duke cituar edhe njëherë kuratorin e saj, të lë si të mbërthyer në pikëpyetje, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 16 janar.

S.Balliu


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama