Bllokimi i hotelit gjykata demshperblen trafikantin

Bllokimi i hotelit, gjykata demshperblen trafikantin

Tiranë, Alket Hatija u arrestua në shtator 2010, iu sekuestrua biznesi. “Shteti t’i japë 22.5 milionë lekë për fitimin e munguar”.

Ministria e Financave duhet t’i paguajë 22.5 milionë lekë të vjetër një të dënuari me 10 vjet e 8 muaj burg për akuzën e trafikut të drogës. Alket Hatija ka fituar një përballje gjyqësore në lidhje me sekuestrimin e një hoteli në pronësi të tij pas arrestimit për trafik droge. Një vendim i Gjykatës së Tiranës urdhëron Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara pranë kësaj ministrie t’i paguajë Hatijës një shumë prej 22.5 milionë lekësh si “fitim i munguar”. Kjo shumë është fitimi i përfituar nga shfrytëzimi 2-vjeçar i një hoteli në Durrës, pronë e të dënuarit. Hoteli gjatë periudhës së sekuestrimit u administrua nga ana e agjencisë. Ai u konfiskua në bazë të ligjit “Antimafia” si pronë e siguruar me “para të pista”, por më pas u lirua me vendim të apelit të Krimeve të Rënda.

HISTORIA


Më 10 shtator 2010 Alket Hatija bashkë me katër persona të tjerë nga Shijaku, u arrestuan për akuzën e “trafikut në narkotikëve”. Prokuroria për Krimet e Rënda i kërkoi Gjykatës që sipas ligjit “Antimafia”, të konfiskonte një hotel në pronësi të Hatijës. Organi i akuzës pretendoi se hotel-barrestorant “K…”, në Durrës, ishte ndërtuar me para të siguruara në rrugë kriminale. Më 18 nëntor 2011, Gjykata e pranoi këtë kërkesë dhe vendosi konfiskimin e pasurisë së ndërtuar mbi një truall 600 metra katrorë, pronë e Hatisë. Pas këtij vendimi pasuria u vendos në administrim dhe përdorim të AAPSK-së. Në vijim, më 11 maj 2012, Apeli i Krimeve të Rënda vendosi rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë për konfiskimin e hotelit. Në dhjetor 2012, Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin e Prokurorisë, duke lënë kështu të pandryshuar vendimin e Apelit. Pas këtij momenti, Alket Hatija dhe bashkëshortja e tij, M. Hatija, depozituan një padi civile kundër Ministrisë së Financave dhe AAPKS-në. Përmes saj ata kërkonin nga Agjencia shumën prej 3.2 milionë lekësh, që sipas tyre, ishte përfituar nga përdorimi i pasurisë së konfiskuar, duke iu lënë me qira të tretëve gjatë periudhës korrik 2010-korrik 2012.

VENDIMI


Vendimi i shpallur pak ditë më parë nga gjyqtarja Blerina Muça pranon kërkesëpadinë e bashkëshortëve Hatija. “Rezulton që nga ky objekt të jenë realizuar të ardhura në shumën totale 3,6 milionë lekë, si dhe të jenë kryer shpenzime në shumën 1,37 milionë lekë”, thuhet në vendim. Gjykata ka vlerësuar se shuma e shpenzimeve duhet t’i hiqej shumës në total. Sipas gjykatës, vlera përfundimtare e këtyre të ardhurave, për të cilat legjitimohej pala kërkuese, mbetej në shumën 2,25 milionë lekë. “Gjykata vendosi: Pranimin e pjesshëm të kërkesë-padisë. Detyrimin e palës së paditur, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, t’i paguajë palës paditëse shumën 2,25 milionë lekë”, thuhej në vendimin e gjykatës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama