Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, sqaroi lajmin lidhur me bllokimin e importit të perimeve shqiptare. Panariti theksoi se në atë ngjarje nuk kishte gisht pala shqiptare, duke e konsideruar vendimin e Rusisë të pajustifikuar.
“Nga monitorimet doli se, prodhimet shqiptare ishin me certifikatë shqiptare të falsifikuara, që e kishin origjinën gjetkë. Ishin rezultatet e një falsifikimi që ndodhi në një vend të tretë, i cili vendoste etiketat shqiptare në prodhimet e tyre. Vendimi i palës ruse është i pajustifikuar, pasi nuk ekziston mosrespektim i rregullave nga ana jonë. Por do të vazhdojmë bisedimet, duke dërguar misionin tonë të diskutojë me Ministrinë e Bujqësisë ruse, për të sqaruar dhe për të zhbllokuar situatën, që penalizon Shqipërinë në mënyrë të padrejtë”, theksoi Panariti.
Nga ana tjetër kreu i Ministrisë së Bujqësisë, theksoi se do të vijojnë diskutimet për rikthimin e marrëdhënieve tregtare me Rusinë. Gjithsesi për Panaritin shkëmbimi tregtar me territorin rus është vetëm një alternativë nga 18 vendet, ku eksporton vendi jonë. Qëllim për Ministrinë tonë të Bujqësisë mbetet Bashkimi Evropian.
“Rusia ka mbyllur importin me Malin e Zi, shumë shpejt mund të marrin masa dhe me Maqedoninë , Zvicrën, për kontrabandimin e produkteve të BE-së me ato të vendeve të treta. Shqipëria nuk ka asnjë element të abuzimivizmit të produkteve të freskëta në Rusi. Kjo është e vërtetueshme. Nuk gjeneron nga Shqipëria, ne duam të mbajmë marrëdhënie tregtare me Rusinë. Për këtë bëmë një hap, ndryshuam tipologjinë e certifikatës filo-sanitare. Ngjarja ka ndodhur në vendet e treta, është përgjegjësi e tyre të monitorojnë shtypshkronjat falsifikuese. Nuk bëhet fjalë për dëmtim të bujqësisë, pasi eksportojmë në 18 vende”, deklaroi ministri Panariti.
Rritja e çmimit të vezëve, e pajustifikushme
Ministri i Bujqësisë, Panariti theksoi se rritja e çmimit të vezëve në treg është e pajustifikushme. Ai i bëri këto deklarata gjatë një takimi me rritës së shpendarisë dhe prodhues të sektorit të vezëve.
Kreu i Bujqësisë tha se, "me afrimin e festave ka gjithnjë rritje të çmimeve, ndaj do të shtojmë monitorimin e tregut dhe nuk do të lejojme situatë monopolesh në treg dhe rritje fiktive të çmimit pë prodhimet ushqimore".
Nga ana e tyre, prodhuesit e vezëve kërkuan mbështetjen e qeverisë për rritjen e prodhimit vendas të vezëve
Panariti u shpreh se, do të analizojnë kostot e tregut të prodhimit të vezëve dhe do të ndërmarrin zhvillimin e ankandeve për caktimin e çmimit të tregut të shumicës.