Blushi Pse Te jetosh ne ishull

Blushi: Pse

Jo vetëm libri, por edhe situata më e fundit politike, lëvizjet në PS dhe zhvillimet brenda së majtës, drejtimi nga Rama, ndryshimet e fundit kushtetuese, ishin pjesë e debatit që Blushi zhvilloi me publicistët Ardian Klosi, Ermal Hasimja, Alban Bala dhe historianin Apollon Baçe. I pyetur nga Dudushi, se arriti që në 6 muaj të shkruajë një libër të tillë, ku çdo rresht ka mendim, Blushi u përgjigj: "Një volum i tillë nuk është për t‘u habitur. Libri është shkruar në 100 ditë të plota, koha tjetër ka qenë hulumtim".

Në lidhje me historinë e sjellë në libër, Ben Blushi tha: "Kam gjetur një mënyrë për të treguar, pse ne kemi arsye për të qenë të pakënaqur me historinë tonë. Nuk ia vlen të marr në referencë ç‘thotë Berisha. E para, sepse nuk i njoh ndonjë shije të kultivuar artistike dhe miq të përbashkët e kanë bindur që është personazh i librit. Kështu që ai ka të drejtën të mendojë dhe gjykojë".

Apollon Baçe theksoi se në librin e Blushit, Skënderbeu shikohet ndryshe: i shkurtër, intrigant etj., ndërkohë që botuesi thotë në libër se është hulumtim historik. Autori i librit shpjegoi se Skënderbeu nuk është personazh dhe nuk duhet të spekulohet me të. "Mendoj se duhet ta riinterpretojmë Skënderbeun. Për kohën, ai ka qenë një lider ambicioz, që kishte një raport me princërit që gjeti këtu. Dhe unë këtë kam thënë në libër", tha Blushi.

"Me periudhat që flasim në roman dhe se si shihen në histori jam i pakënaqur, megjithëse libri në fillim të tërheq, por më pas, tek pjesa historike mund të zhgënjehem. Nuk jam dakord me interpretimet historike të personazheve në libër", konstatoi publicisti Ardian Klosi.

I pyetur në lidhje me pakënaqësitë e krijuara nga ky libër, Blushi theksoi se nuk bëhet fjalë për një lëvrim historik. "Unë vendos historinë në funksion të imagjinatës sime dhe kjo është një histori e rikrijuar dhe e stilizuar. Kadare është mjeshtri i kësaj. Ai mund të ketë gabime historike, por është mjeshtër i madh. Ali Pasha i Kadaresë është më interesant se ai i Godos, kjo, për faktin se tek Kadare njerëzit e pëlqejnë si sillet", tha ai, duke shtuar: "Historia jonë është e varfër, ka shumë fetishe dhe është shkruar mbi bazën e një metode, u bë shumë otomane, pastaj komuniste".

Në lidhje me evropianizimin e shqiptarëve, autori tha se evropianizimi është penguar për disa arsye, që në mënyrë të cekët i kam prekur në libër. I pyetur për ikjen e një prej personazheve për të vdekur diku tjetër, që duket tejet provokues, Blushi u shpreh se ikja e personazhit në libër tregon atë se si kanë ikur shumë nga njerëzit e mëdhenj të këtij vendi, si Konica, Noli apo Kadare para 20 vitesh, por edhe 1 milion shqiptarë. Nuk është faji i politikës, por kjo është pjesë e historisë së këtij vendi të vogël dhe të copëtuar. Ishulli në roman, Shqipëri e rrethuar nga myslimanët apo një vend i izoluar. Blushi thotë se e dyta është më e vërtetë. "Shqipëria ka jetuar si një ishull, e ndarë nga bota që i takonte, jo dhe aq për arsye fetare, por ato kanë ndikuar, por Shqipërisë i ka munguar liria, një koncept ndryshe i lirisë në atë kohë", shtoi ai.

I pyetur nga Hasimja në lidhje me ndryshimin në kohë, autocensurën e përdorur apo jo në libër, Blushi theksoi se njerëzit, në mënyrë individuale apo në grupime, zgjedhin mënyrën për të mbijetuar, duke u përshtatur me kohën. "Por mund t‘u them se krahasimi është i pabazë, sepse këtë teori e ka pasur Berisha në vitin ‘91, kur ai ishte properëndimor dhe ne të tjerët nuk dihet se çfarë ishim. Por, për mua, Berisha është terrorist kulturor", theksoi Blushi.


Nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama