Blushi sjell Shqiperine e Lek Dukagjinit Enverit dhe Mehmetit

Blushi sjell Shqiperine e Lek Dukagjinit, Enverit dhe Mehmetit
Vetëm në Shqipëri një njeri mund të mendonte se mund të zëvendësonte Zotin, se mund të bëhej krijues, të rrafshonte të gjitha dallimet, t’i bënte të gjithë të barabartë “kokëqethur”, ku gratë të mos dalloheshin nga burrat. Vetëm në Shqipëri mund të krijohej “njeriu i ri”. Vetëm në Shqipëri… Po pse vetëm në Shqipëri?! Ndoshta kjo ishte pyetja që e shtyu Ben Blushin të shihte brenda vetes dhe tej përtej bashkëkombësve të vet, për të zbuluar misterin dhe… të shkruante një tjetër roman të titulluar thjesht “Shqipëria”. Dje, në ambientet e “Sheraton”, në praninë e një numri të madh të ftuarish, shkrimtari dhe politikani Ben Blushi promovoi librin e tij më të ri, nën logon e botimeve “Mapo”. Dukej sikur e gjithë selia rozë kishte zbarkuar në “Sheraton” me në krye kryetarin e saj, Edi Rama.

Shumë pak të djathtë, ndërsa nuk mbeti pa rënë në sy edhe prania e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Sigurisht nuk mund të mungonin në këtë ngjarje analistë e gazetarë, por edhe shumë të njohur të Blushit. Pas një mirëseardhjeje të botuesit Henri Çili, i cili do të vlerësonte penën e Blushit, vlerësimeve të shkrimtares Diana Çuli, vetë Blushi ndau me të pranishmit ndjesinë e çlirimit pas daljes së librit në qarkullim. Por, në një farë mënyre ishte edhe një lloj parathënieje e munguar e librit, ku ai shpjegon se përse i lindi nevoja për ta shkruar këtë roman, i cili ende pa u lexuar po bën që njerëzit të flasin për të. “Ky libër nuk i jep askujt asnjë këshillë. Ai është një lexim për të tjerët dhe një kalim për mua. “Shqipëria” është një përpjekje për të njohur veten dhe të ngjashmit e mi, me të cilët ndaj të njëjtin vend, që quhet Shqipëri”, tha Blushi, i cili gjithashtu nxiton të sqarojë se nuk bëhet fjalë për një libër historik. Më tej, një gotë dhe shumë autografe, të cilat Blushi nuk preferoi t’i jepte siç ndodh rëndom, ulur në tavolinë e me radha të gjata, por bashkë me një shtrëngim duarsh me miqtë, të hidhte dhe një firmë në romanin e tij të tretë.

Pas “Të jetosh në ishull” dhe “Otello, arapi i Vlorës”, të kthyera në fenomene letrare, por dhe shitjesh, “Shqipëria” vjen në të njëjtën hulli metaforike e simbolike, por ndoshta edhe më fuqishëm se më parë. Nëse në librat e parë luajti me emra si Komnenët apo Ali Pashën, apo me heronjtë tragjikë shekspirianë, Otello e Desdemona, në këtë roman ai luan jo vetëm me emrin e hartuesit të Kanunit, Lek Dukagjinit, por edhe me emra personazhesh, si Enveri, Mehmeti, tek të cilët ndonëse të zhvendosur në një kontekst tërësisht fiksional, lexuesi mund të lexojë e shquajë tipare të njohura. Në atë ishull-shtet, të krijuar nga Lek Dukagjini “që nuk kishte prona, nuk kishte para, nuk kishte familje, nuk kishte dashuri, prandaj nuk kishte vrasje, vjedhje, varfëri, tradhti dhe mërzi”, lexuesi shquan Shqipërinë totalitare, ëndrrën komuniste të barazisë dhe të “lugës së florinjtë”, të rrafshimit të vlerave, të transformimit të njerëzve robotë e të bindur, të burrërimit të grave, të servilizmit…

Por jo vetëm të socializmit, por edhe litarin që “i varuri” la pas në sistemin e ngritur, me shpresën që të ishte i ri, por në xhaketa të vjetra. Jo më kot libri i Blushit, që në daljen e tij është quajtur një “befasi letrare”. Por, më së shumti karakteristikë e librave të Blushit është provokimi. Një libër i tij nuk mund të shijohet thjesht dhe vetëm estetikisht. Ai të trondit me guximin për të thyer të gjitha limitet kohore e historike. Ai i merr mesjetarët e i vendos në ca ishuj imagjinarë të pakohë, ngre diktatorë nga varret dhe i kthen fëmijë, të tjerë i bën kuzhinierë dhe përmes fijesh artistike shpalos tema tronditëse, të cilat lënë shenja të pashlyeshme, që ndryshojnë histori, siç mund të jetë asimilimi, ndryshimi i feve, konformizmi, racizmi apo diktatura. Tema, të cilat gjithnjë kanë hapur debat të gjerë. Dhe as këtë herë, me shumë gjasë debati nuk do të mungojë.

Henri Çili: Blushi na ktheu shijen e të lexuarit

“Ben Blushi është një shkrimtar shumë i mirë, është një shkrimtar mjaft i preferuar dhe mjaft i suksesshëm në treg dhe, përveç kësaj, është një mik i mirë prej kohëve të vjetra”, u shpreh në ceremoninë e prezantimit të librit “Shqipëria”, botuesi Henri Çili. Pas dy botimeve të para me shtëpinë botuese “Toena”, tashmë “Mapo” do të jetë shtëpia botuese e këtij shkrimtari. “Ben Blushi ka krijuar një risi, një surprizë në dekadën e re në botën kulturore dhe letrare në Shqipëri, sepse ka rikthyer një lloj shijeje të të lexuarit të letërsisë, e cila dukej fort e tronditur në këta 20 vjet për shumë arsye. Për arsye të çstrukturimit të shoqërisë shqiptare, për arsye të ndërrimit të kodeve kulturore, për arsye të shumëfishimit të mjeteve të komunikimit dhe për arsyen e madhe, për të cilën gjithë botën e zhvilluar, letërsia është në një lloj lufte me lexuesin, sepse njerëzit kanë sot më shumë mënyra për t’u argëtuar. Në një prani rekord në të gjitha libraritë, të gjitha mediat, në një debat të shumëfishtë, në një diskutueshmëri, e cila fillon që nga simbolika e tij letrare, simbolika shoqërore e sociale apo politike e veprës së tij, Ben Blushi ia ka arritur të kthehet në shkrimtarin korrent më të shitur të letërsisë shqiptare. Ambiciet tona janë për më shumë”, tha Çili.

Diana Çuli: “Shqipëria”, një befasi letrare
Një “befasi letrare” e ka quajtur Diana Çuli librin e ri të Ben Blushit. “Kur ta lexoni, do të shikoni se metafora është krijimi i një Shqipërie utopike ishullore, ku njerëzit, personazhet të kujtojnë emra realë, por gjithmonë mbeten personazhe letrare. Është befasi letrare, sepse në të ndërthuret në mënyrë krijuese dhe të papërsëritshme koncepti i shoqërisë utopike me atë të domosdoshmërisë së ekzistencës së Zotit dhe debatit rreth tij. Rreth përpjekjes së pandërprerë të njeriut për t’i ngjarë kësaj shëmbëlltyre dhe për ta zëvendësuar atë. Deri këtu jemi ende në përmasat universale që letërsia i përdor shpesh dhe që Ben Blushi i ndërton me mjeshtëri mjaft të rrallë. Më pas, universaliteti zbret në gjëra lokale, ku lexuesi dashur pa dashur kërkon veten e tij”, tha Çuli. “Kjo befasi letrare është një pikëpyetje e madhe jona për rrënjët, për origjinën, për kombin, për pse-të, për të shkuarën për të ardhmen, por nuk është histori, nuk ka kurrfarë lidhjeje me historinë për këdo që do ta debatonte në argumente të kësaj natyre. Ka lidhje me krijimin e pastër letrar që trajton tema ekzistenciale, si: dashuria, jeta, vdekja, familja, hapi personal dhe varësia e tyre ndaj sistemeve të ndryshme politike nga individët dhe nga fati i përbashkët”.

“Shqipëria”, për të njohur veten dhe të tjerët

Shumë njerëz më pyesin pse ky libër quhet “Shqipëria”. Unë mund të them atë që di. Ky është një libër për shqiptarët dhe duke qenë një prej tyre, unë dua t’i shpjegoj dhe t’i kuptoj. Të kuptosh shqiptarët, të shpjegosh mënyrën se si janë sjellë përgjatë kohës me veten, me njëri-tjetrin, me të tjerët, me tokën dhe me Zotin, besoj se është një argëtim, në kuptimin artistik të fjalës, është një detyrim, në kuptimin historik dhe është një torturë, në kuptimin politik. Për ata që merren me letërsi, shqiptaret janë një gur për të ndërtuar, për ata që merren me histori, janë një urë për të kuptuar, për ata që merren me politikë, shqiptarët janë një mur për t’u kaluar. Por libri “Shqipëria” nuk është historik, prandaj nuk është detyrë, nuk është politik, prandaj nuk është torturë, ai është letërsi, prandaj është argëtim. Të paktën për mua. Ky libër quhet “Shqipëria”, sepse përpiqet të shpjegojë atë që shqiptarët i kanë bërë vetës.

Dhe kudo ku kanë jetuar shqiptarët nuk e kanë trajtuar njëri-tjetrin më keq se në Shqipëri. Dhe kudo ku kanë shkuar nuk e kanë trajtuar një vend tjetër më keq se vendin e tyre, Shqipërinë. Ky libër përshkruan një eksperiment njerëzor. Ai tregon se si shqiptarët i lejuan njërit prej tyre të bëhej Zoti i tyre, duke i ndarë nga Zoti, nga bota, nga prona dhe nga familja. A ka ndodhur kjo në historinë tonë. Kam arsye të them se po, ka ndodhur, megjithëse romani nuk merret as me fakte, as me ngjarje, as me emra, por vetëm me gjurmët e ngjarjeve mbi tokën dhe refleksin e fakteve mbi qiellin tonë. Kjo është Shqipëria që kemi pasur përpara 20 vitesh. E megjithatë, libri “Shqipëria” nuk mbaron para 20 vitesh. Shpresoj që ata që do ta lexojnë do kuptojnë se problemet që ne kemi me veten nuk janë zhdukur dhe se Shqipëria vuan ende nga shqiptarët.

Një gjë tjetër që dua të them shkurt është se Shqipëria nuk përshkruan vetëm fatin e shqiptarëve, prandaj do të thosha se ky është një libër me dy kate. Njerëzit jetojnë në katin e parë, Zoti në të dytin, ndërsa shqiptarët lëvizin nga kati në kat. Ky libër përpiqet të tregojë historinë e një njeriu, i cili një ditë vendosi të zëvendësonte Zotin. Ky njeri ishte shqiptar dhe ndoshta shqiptarët e kanë këtë dëlir, sepse raporti i tyre me Zotin ka qenë shpesh kaotik, disa herë teknik dhe asnjëherë praktik. Ata e kanë pranuar, e kanë mohuar, e kanë vrarë dhe kanë lejuar që Zoti të zëvendësohet nga qenie të tjera. Marrëdhënia e shqiptarëve me Zotin shpjegon disa nga problemet tona. Dhe dua të jem i qartë: Kur flas për Zotin nuk e kam fjalën për një qenie të epërme në kuptimin hyjnor, por për një numër normash dhe rregullash si liria, dashuria, paqja, puna dhe besimi. Ky është Zoti dhe kjo është arsyeja pse është shpikur nga njerëzit, kur ata nuk kishin ligje apo nuk kishin aftësi për të bërë ligje.

Duke ia mohuar lirinë, paqen dhe lumturinë njëri-tjetrit në shekuj, shqiptarët kanë mohuar Zotin dhe lirinë që ai lejon. Sepse Zoti, në fund të fundit, është një kod të drejtash dhe detyrash pa të cilat njerëzimi do kishte vuajtur më shumë nga çka vuajtur. Libri “Shqipëria” këtë do të thotë: Zoti mund të zëvendësohet, por jo nga një njeri. Në të kundërt, Zoti mund të zëvendësohet nga çdo njeri, që është Zoti i vetes dhe i askujt tjetër. Por ky libër nuk i jep askujt asnjë këshillë. Ai është një lexim për të tjerët dhe një kalim për mua. “Shqipëria” është një përpjekje për të njohur veten dhe të ngjashmit e mi, me të cilët ndaj të njëjtin vend, që quhet Shqipëri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama