Zherom Boateng do të jetë pjesë e delegacionit të Bajernit ditën e martë kundër Atletikos. Shtatlarti gjerman u rikthye kundër Gladbahut dhe do jetë pjesë e rekordmenëve në gjysmëfinalen e Champions-it. Gjatë një interviste për "Kicker", 27-vjeçari flet për barazimin me Gladbahun, rikthimin dhe kërcënon Atletikon.
Boateng, u gëzuat për rikthimin pas 99 ditësh?
Jam shumë i lumtur që më në fund arrita të jem pjesë e ekipit. Rezultati nuk ishte i duhuri. Megjithatë, duhet të durojmë deri javën tjetër.
Cili ishte shkaku që nuk fituat ndaj Gladbahut?
Në pjesën e parë duhet të kishim shënuar më shumë gola, por nuk ishim efikas në kundërsulme. Humbëm shumë topa dhe i lamë shumë hapësira për veprim Gladbahut. Duhet të ishim treguar më kompakt dhe më të kujdesshëm. Tani duhet harruar 1-1. Fokusi është tek Atletiko.
Jeni gati për të tronditur "çolizmin" e Atletikos?
Mund të luaj dhe për këtë do vendosë trajneri. Do nxjerr gjithçka nga vetja, për të mundur "çolizmin" dhe prerë biletën për në finale. Jam i bindur që forma ime do më mjaftojë t'i jap përgjigjen e duhur Atletikos. Nëse me Gladbahun luajta 69 minuta, për Atletikon shpresoj të jem 90. Nga fusha dal vetëm fitues. Nuk pres asnjë rezultat ndryshe.
Si i shihni shanset për kualifikim pas humbjes 0-1 në Madrid?
Shumë mirë. Ne luajmë në shtëpi, në fushë cilësorë dhe optimale. Do bëjmë presion që në fillim. Jam i bindur që do të shënojmë, por për këtë duhet të mbajmë nervat dhe duhet të tregohemi të duruar.
Kur fitoi Atletiko në shtëpi, pse mos fitojmë edhe ne?Cilat do të jenë disa nga këshillat tuaja për gjysmëfinalen?
Nuk është hera e parë që përballemi me një ekip të këtij formati. Kemi mundur dhe sfiduar shumë ekipe të tjerë, ndoshta më të fortë se Atletiko. Ne mjafton të dalim në lojën tonë. Të jemi të përqendruar. Mos bëjmë gabime, sepse Atletiko atë pret. Nuk duhet të vrapojmë pa adresë drejt sulmit. Në 2014 dhe 2015, Bajerni u skualifikua nga Reali dhe Barcelona.
Keni mësuar nga gabimet e së kaluarës?
Ne kemi mësuar nga triumfet dhe zhgënjimet e së kaluarës. Mos harrojmë që vitin e kaluar fituam 3-2 ndaj Barcelonës. Në ndeshjet brenda fushe jemi "makth" për rivalët. Jemi shumë të fortë para tifozëve tanë. Duam me patjetër të shkojmë në finale.
A është Atletiko ekip kundërsulmi si Reali dhe Barcelona?
Nga shpejtësia dhe mënyra e lojës nuk janë si Reali dhe Barcelona. Ata luajnë mirë, por jo në nivelet e dy të tjerave. Lojtarët e Atletikos njihen shumë mirë me njëri-tjetrin dhe u rri për shtat kjo lojë e fortë. Ata nuk ndërtojnë aksione, por përfitojnë nga gabimet e kundërshtarit.
Përgatiti: ENIAR IBRO