Qendërmbrojtësi i Gjermanisë, Zherom Boateng, ka folur me tone kritike për ofensivën e dobët kundër Polonisë.
"Luajtëm mirë në lojën difensive, por në ofensivë na mungoi freskia dhe kombinimet. Nuk fituam dyluftimet dhe në sulm nuk lëviznim aspak. Duhet të jemi të kënaqur që luajtëm për 0-0. Ne duhet të gjuajmë ndonjëherë edhe në kuadrat.
Duhet të përmirësohemi, në të kundërt nuk kemi për të shkuar larg", kritikoi mbrojtësi shtatlartë, i cili bëri një paraqitje dinjitoze.
Nga UEFA ai u vlerësua edhe lojtari më i mirë i ndeshjes. Teksa Gjermania gjuajti vetëm tri herë në portë ndërsa Polonia asnjëherë, Boateng analizon: "U rrezikuam vërtet në këtë ndeshje, pavarësisht se nuk pësuam.
Nuk ishim mirorganizuar për të pasur një rrjedhshmëri loje. Polonia ishte kompakte dhe e fortë në dyluftime. Është merita jonë që nuk gjuajtën asnjë në portë, por që të ishim më të qetë, duhej të kishim shënuar të paktën një gol. Ky do të jetë një mësim për ndeshjen e radhës", përfundoi Boateng.