TIRANË, 24 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Partia Demokratike ka bere te ditur se do të tregojë çdo ditë me fakte, manipulimet dhe të pavërtetat e qeverisë dhe përpjekjet e saj për të fshehur vjedhjen e 600 milionë eurove.
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, nëpërmjet një deklaratë për mediat të shtunën ka deklaruar se "Skandali i 600 milionë eurove të aferës me CEZ, bëhet më ulëritës sa më shumë e mohon kryeministri".
"Partia Demokratike do tregojë çdo ditë me fakte, manipulimet dhe të pavërtetat e qëllimshme të kryeministrit, me të cilat mundohet të fshehë vjedhjen e 600 milionë eurove. Afera me CEZ ka parashikuar që autorët e marrëveshjes nga të dy palët të kenë imunitet, të mos hetohen. Por, kryeministri e mohon sërish nëpërmjet një interviste të trasmetuar në një kanal televiziv", tha Boçi. /a.ke/