Bode dhe Noka kredi te pastrehesh per shtepite luksoze

Bode dhe Noka, kredi te 'pastrehesh' per shtepite luksoze

Ish-ministrat e qeverisë “Berisha” nuk janë kursyer për të përdorur çdo rrugë për të shtuar pasuritë e tyre. Madje duke e deklaruar veten edhe si të pastrehë për të fituar nga kreditë e buta të Entit Kombëtar të Banesave.

 

Deklaratat zyrtare të pasurisë të bëra në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive faktojnë përfitimet e tyre abuziv. Mes emrave përfitues janë ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ish-ministri i Financave, Ritvan Bode, por dhe ish-presidenti Bamir Topi.

 

Ministrat “e pastrehë” 

 

Deklaratat e pasurisë të bëra në ILDKP për vitin 2011 faktojnë se ish-ministrat e qeverisë “Berisha” kanë marrë kredi të buta nga Enti Kombëtar i Banesave duke shkelur krejtësisht kriteret ligjore për përfituesit.

 

Sipas këtyre deklaratave, ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, duke nisur nga viti 2009 kur ishte deputet i Partisë Demokratike, ka marrë një kredi  nga Enti i Banesave me një kohëzgjatje prej 25 vjet dhe me vlerën 5 000 000 lekë, ndërkohë që është deklaruar dhe pronar i një apartamenti 83.7 m në Tiranë me vlerë 5 000 000 lekë, i një vendparkimi 60 m me vlerë 1 000 000 lekë dhe i një veture tip “Mitsubishi” me vlerë 7000 euro. 

 

Në listë shtohet dhe ish-ministri i Financave, Ritvan Bode i cili krahas deklarimit të një llogari rrjedhëse me gjendje 611 990 lekë, një depozite në emër të E. Bodes, me gjendje 1 716 540 lekë ka deklaruar se ka një kredi për apartament, marrë nga Enti Kombëtar i Banesave, gjendja 1 520 000 lekë, një kredi në euro, marrë në vitin 2007, me gjendje 20 109 euro, ndërsa ka përfunduar riparimin e shtëpisë, pronë e rikthyer në fshatin Rakickë në Korçë, me vlerë 5 000 000 lekë. 

 

Tek “të pastrehët” e pasur hyn dhe ish-Presidenti Bamir Topi. Në deklaratën e tij të pasurisë thuhej se   kishte për të shlyer kredi për shtëpi banimi të marrë nga Enti Kombëtar i Banesave me vlerë 57 600 lekë. Në listën e përfituesve të kredive janë dhe 7 deputetë. 

 

Gazeta “Shekulli” publikoi dy ditë më parë emrat e 7 deputetëve që janë privilegjuar duke marrë kredi të buta strehimi. Rezulton se gjatë 8 viteve, 2005-2013, nga kjo mundësi kanë  përfituar 6 deputetë të Partisë Demokratike që kanë përfituar nga statusi i tyre si deputet.

 

Sipas dokumentit që disponohet, thuhet se deputetët janë trajtuar me kredi strehimi ‘bazuar në vendimin nr 600, datë 12.9.2010, të Këshillit të Ministrave “Për trajtimin me strehim të nëpunësve civilë të administratës së lartë shtetërore  dhe funksionarëve politikë”. 

 

Të shtatë kanë fituar nga 5 milionë lekë kredi. Sipas dokumentit, fituesit e kredive të buta janë: Arenca Trashani (deputete e PD-së, qarku Shkodër); Astrit Bushati (deputet i PD-së, qarku Shkodër), Edi Paloka (deputet i PD-së, qarku Lezhë), Gjergji Papa (deputet i PD-së, qarku Korçë);

 

Ndue Paluca (deputet i PD-së, qarku Shkodër);  Paulina Hoxha (deputete e PS-së, qarku Shkodër), Paulina Hoti (deputete e PD-së, qarku Lezhë). Ndërkohë që nga kreditë e buta të firmosura nga kreybashiaku Lulzim Basha ka përfituar nëna e Agim Llupos, i dënuar për të paktën një vrasje në 21 Janar po dhe babai i Esmeralda Mulajt, këshilltarja e tij e shtypit. 

 

Verifikimet 

 

Shkeljet e konstatuara në këtë proces kanë detyruar drejtuesit e rinj që të vendosin pezullimi i dhënies së kredive të buta. Drejtoresha e Entit Kombëtar të Banesave në një intervistë për “Shekullin”, ka sqaruar më herët se çdo person që ka përfituar një kredi të butë mbi dokumentacione të rreme do të penalizohet.

 

Masat nisin nga heqja e financimit të kredisë te pagesa e të gjithë penaliteteve, deri te masa për kalimin e kredisë me kontratë tregtare. Në proces verifikimi janë 3500 dosje në shkallë vendi, për të cilat Enti Kombëtar i Banesave ka nisur verifikimin e të gjithë dokumentacionit që përmban dosja. 

 

“Në qoftë se do të verifikohet që janë marrë kredi, për të cilat këto familje nuk duhet të ishin klasifikuar, në qoftë se familja do të ketë aftësinë për t'i përballuar interesat e tregut do të kalojë me interesat e tregut. Nëse ka dorëzuar dokumente false, nëse ka falsifikuar për nivelin e të ardhurave, nëse ka pasur banesë më të madhe se sa ka qenë normat e strehimi, atëherë kredia do të kalojë me interesat e tregut. 

 

"Auditi i brendshëm nga Ministria ka bërë një verifikim fillestar të disa prej dosjeve dhe ka verifikuar shkelje në nivele të ndryshme. Kemi parë të arsyeshme, që duke qenë se është një projekt, i cili është nisur me qëllimin e mirë për të mbështetur familjet në nevojë, duhet që ne të sigurohemi që këto fonde që dalin nga buxheti i shtetit shkojnë vërtetë dhe adresojnë vërtetë nevojën për strehim, për të gjitha bashkitë e vendit që kanë qenë pjesë e programit të kreditimit të lehtësuar, janë njoftuar për një ndërprerje të përkohshme të miratimit të listave dhe dërgimit të tyre pranë bankës që zbaton programin”, - ka deklaruar Doris Andoni.   

 

Zyrtarët e “pastrehë” 

 

Në bazë të deklaratës së pasurisë për vitit 2010 të dorëzuar pranë ILDKP-së, rezultonte se ish-kreu i shtetit Bamir Topi kishte një detyrim për shlyerje kredie për një banesë të tërhequr nga Enti Kombëtar i Banesave. 

 

Në deklaratën e pasurisë së ish-ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, listohej një kredi e marrë që në vitin 2009 nga Enti Kombëtar i Banesave me një kohëzgjatje prej 25 vjet dhe me vlerën 5 000 000 lekë.

 

Ish-ministri i Financave, Ritvan Bode ka deklaruar se ka një kredi për apartament, marrë nga Enti Kombëtar i Banesave, me vlerë 1 520 000 lekë; një kredi në euro, marrë në vitin 2007, me gjendje 20 109 euro ndërsa ka përfunduar riparimin e shtëpisë, pronë e rikthyer Rakickë- Korçë me vlerë 5 000 000 lekë.  

 

Ligji për strehimin, kredi për të mbeturit e pastrehë 

 

Ligji për strehimin i miratuar që në vitin 2004 përcakton më së miri se cilat janë kategoritë përfituese për kredi të buta. Sipas tij mund të përfitojnë kredi ato familje që nuk kanë një pronësi apo kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore.

 

“Përfitojnë nga programet sociale të strehimit 1. Familjet, që klasifikohen për t'u trajtuar me programe sociale të strehimit, miratohen me vendim të këshillit bashkiak, sipas kritereve të mëposhtme: 

 

a) nuk kanë në pronësi një banesë;

 

b) zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike, ku bëjnë pjesë këto familje;

 

c) kanë mbetur të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore”, thuhet në pikën 1 të nenin 4 të ligjit nr. 9232, datë 13.5.2004. Në të sqarohet më tej se administrimi i kërkesave për programet sociale të strehimit dhe caktimi i përparësive bëhen nga organet e qeverisjes vendore. Ndërkohë që dokumentacioni që duhet të paraqesë familja për t'u strehuar në banesa sociale me qira dhe afatet e procedurat përkatëse përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. 

 

Kompetencë e Këshillit të ministrave janë dhe caktimi i normave të strehimit. Sa u përket kritereve për përzgjedhjen e përfituesve neni 5 i po të njëjtit ligj sqaron se: “trajtohen me përparësi individët ose familjet që plotësojnë kushtet e nenit 4 pika 1 dhe që kanë këto specifika: familjet, të cilat vërtetojnë se  nuk kanë përfituar nga ligji nr. 7652, datë 23.12.1992 "Për privatizimin e banesave shtetërore"; 

 

b) familjet, ku kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar;

 

c) familjet një prindërore, që kanë në ngarkim fëmijë; ç) të moshuar që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t'u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror;

 

d) individët me aftësi të kufizuar, të cilët gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë, të invalidit paraplegjik ose tetraplegjik, të invalidit të punës dhe të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare;

 

dh) familjet me shumë fëmijë; e) çiftet e reja me moshë totale deri në 55 vjeç;

 

ë) familjet që kanë ndryshuar vendbanimin për efekt punësimi; f) individët me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30 vjeç”.  

 

Braçe: Hetim dhe sekuestrim të pasurive 

 

Kreu i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe, i kërkon drejtësisë të ndëshkojë zyrtarët që kanë përfituar kredi të buta në mënyrë të paligjshme. “As që më intereson publikimi i lajmit për zyrtarët e Berishës që kanë marrë kredi strehimi dhe kanë blerë vila në “Bllokun e ri të Lalëzit”!! (edhe pse e falënderoj Fiks Fare). Dua hetim dhe ndëshkim! Për zyrtarët e ministrisë së Ndërtimit që kanë dhënë kredinë, zyrtarët e Berishës që kanë përfituar kredinë”, - shkruan Braçe në FB.

 

Sipas tij,  që raste të tilla mos përsëriten duhet dhe sekuestrimi i pasurisë së përfituar nga mashtrimi. “Dua edhe më shumë se kaq. Sekuestrim i pasurisë së marrë përmes kësaj skeme mashtruese dhe detyrimin për të kthyer kredinë menjëherë!!

 

Mund të duken të palogjikshme, por duhet goditur rëndë, shumë rëndë që të mos ndodhë më!!”, - shton ai. Ligjvënësi socialist pohon më tej se: “Dua një hetim për të gjitha pasuritë (burimin e tyre) e berishëve të sistemuara bukur e qartë, një për një, ministër, zëvendësministër, drejtorë etj., në bllokun e Lalëzit!”. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama