Zoti Bojaxhi, nëse do t'ju pyesnin sot se me çfarë do e krahasonit ngjitjen në Everest, cili do të qe krahasimi?
Nuk do ta krahasoja me asgjë tjetër në botë. Në kuptimin e simbolikës asgjë tjetër nuk i afrohet, sepse ishte 100 vjetori i Pavarësisë dhe është maja më e lartë e botës, e për më tepër ishte për herë të parë. Ndërsa në aspektin e ngjitjes në vetvete, në kuptimin e vështirësive etj., etj., të paktën nga eksperienca ime alpinistike, dhe unë jam marrë për shumë vjet me alpinizëm, asnjë gjë që ne kemi bërë deri tani nuk krahasohet me këtë ekspeditë. Qoftë në kuptimin e gjatësisë si ekspeditë, qoftë në aspektin e lartësisë së majës, sepse maja më e lartë që unë dhe grupi im kemi ngjitur deri para Everestit ka qenë 5600-5900 metra dhe në aspektin e lodhjes fizike dhe e vështirësive fizike
Çfarë menduat më së pari kur vutë këmbën në majë?
Nuk kam menduar, kam qarë nga gëzimi. Kjo që gjëja e parë që kam bërë. Siç duket stresi i dy muajve, presioni i përgjithshëm, fakti që kishim arritur në majë dhe pavarësisht se kishim besim tek vetja, prapë ishte diçka e pabesueshme, gati sureale. Kështu që reagimi i parë ka qenë emocional, nuk ka qenë logjik.
Cili ka qenë momenti më i vështirë i gjithë ekspeditës? A ka patur ndonjë moment kur keni rrezikuar jetën?
Unë do të thosha që momenti më i vështirë ka qenë periudha e aklimatizimit, ose e stërvitjes që ne bëmë atje në majë. Sepse aklimatizimi është përshtatje e trupit me atë lloj klime dhe atmosfere. Katër javët e para ka qenë periudha më e vështirë gjatë gjithë ekspeditës. Mendoj, jo vetëm për mua, por për të gjithë anëtarët e grupit, ose për një pjesë të tyre më saktë, jo e të gjithëve. Dhe periudhë tjetër e vështirë, ka qenë edhe përballja me pasojat, nëse mund ta quaj. Përpara dy-tri ditësh kam bërë një vizitë tek mjeku, një grafi. Sepse ishte një moment kur fillova të ndiej dhimbje shumë të mëdha në krahun e majtë të trupit. Pas ekzaminimit të para pak ditëve mësova që këto dhimbje janë shkaktuar, sepse shpretka është zgjeruar. Ajo është organi që bën gjithë përpunimin e gjakut dhe gjatë procesit të përshtatjes së trupit me atë lloj klime dhe atmosfere, shpretka ka qenë një nga organet kryesore që është sforcuar në superpunën e saj. Dhimbja ishte shumë serioze dhe aq e madhe, sa pothuajse nuk po ecja dot dhe nuk lëvizja dot. Kjo ka qenë gjithashtu një periudhë e vështirë, sepse ne nuk kishim mjek me vete dhe nuk arrija të kuptoja se çfarë ishte.
A mund të na i përshkruani shkurtimisht cilat janë sfidat kryesore që paraqet ngjitja e asaj maje?
Nëse do i vendosje në një rend kronologjik, do të thoja se e para me të cilën duhet të përballesh është sfida financiare, sepse kostoja për të ngjitur këtë majë është shumë e lartë, për shkak të taksave të qeverive përkatëse që kanë malin, për shkak të pajisjeve alpinistike që duhen siguruar për këtë lloj aktiviteti, që janë shumë të specializuara dhe shumë të kushtueshme. Më pastaj për shkak të kostove reale që ka ushqimi që do të duhet të kesh atje për dy muaj, tendat, menaxhimi i gjithë infrastrukturës mbështetëse që ka nevojë një alpinist, që të ngjisë këtë lloj mali për një ekspeditë kaq të gjatë. Kështu që sfida e parë është një sfidë financiare, për të pasur mundësi sponsorizimi, si në rastin tonë.
Sfida e dytë është me veten, sepse dihet që kërkohet një përgatitje shumë e mirë fizike. Për këtë kërkohet një impenjim paraprak, për një periudhë minimumi 6-mujore apo një vjeçare, që të bësh një stërvitje serioze. Unë kisha rreth një vit që përgatitesha, por gjashtë muajt e fundit kanë qenë një përgatitje intensive, që do të thotë gjashtë herë në javë nga 4-5 orë në ditë. Praktikisht, zyra ime, për gjashtë muaj, ka qenë palestra. Përgatitja ka dy faza kryesore. Është përgatitja fizike atletike që ne e kemi bërë këtu në Shqipëri dhe përshtatja, apo aklimatizimi, që ka të bëjë me përshtatjen e trupit me atë lloj klime dhe atmosfere që është atje. Kjo kërkon lëvizje të caktuara, me metodikë të caktuar. Kjo është sfida e tretë dhe zgjat rreth një muaj e dhjetë ditë. Gjatë kësaj kohe, mbi të gjitha duhet të kesh vullnetin dhe durimin që të përshtatesh me këtë lloj atmosfere. Duhet të mësosh të pranosh metamorfozën që kalon trupi yt, e cila është shumë e dhimbshme. E dhimbshme në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, sepse je 24 orë nën një lloj dhimbje fizike konstante. Është një lloj dhimbje ku ti ndihesh shumë keq në të gjitha aspektet, dhimbja e kokës, lodhja fizike, frymëmarrja.
Keni thënë se keni gjetur trupa alpinistësh të vdekur gjatë rrugës. Sa e vërtetë është kjo? a mund të na jepni ndonjë detaj?
Është e vërtetë që ne kemi parë rreth 10-12 trupa të vdekur në majë, në 300 metrat e sipërme të majës. Njëri prej tyre ishte një alpinist spanjoll, i cili kishte vdekur një javë përpara ngjitjes sonë dhe ai dallohej nga të tjerët, sepse edhe rrobat i kishte më të reja. Ndërsa trupat e tjerë dalloheshin që nuk ishin të këtij viti, ishin të viteve të mëparshme, sepse veshjet ishin më të djegura nga dielli dhe dalloheshin.
Një pjesë të këtyre trupave i pamë gjatë natës, kur po bënim marshimin në ngjitje, sepse ishin praktikisht në buzë të shtegut ku ne kalonim. Madje ndonjëherë na duhej të shmangeshim nga shtegu, duke bërë ndonjë devijim të tij rreth një metër më në anë, për të mos kaluar mbi trupa që ishin aty të vdekur në shtegun e kalimit. Të gjithë këto trupa dukeshin që nuk ishin raste aksidentesh në kuptimin e rënieve, ishin njerëz që u kishin mbaruar energjitë, nuk lëviznin dot më dhe pastaj, në mënyrë graduale kanë ngrirë. Pra nuk ishin rrëzime, sepse po të ishin të tilla do ishin poshtë në humnerë dhe nuk do arrije t’i shikoje dot.
Atyre thjesht u kanë shterur fuqitë dhe askush nuk ka pasur mundësi t’i ndihmojë, sepse siç ua thashë edhe pak më parë, në atë lloj lartësie është praktikisht e pamundur që dikush tjetër të të ndihmojë, nëse nuk arrin të ecësh vetë, në atë formë terreni. Duhet të theksoj që nga faqja tjetër e malit nga ana e Nepalit në pjesën jugore, - pasi në ngjitjen e bëmë nga ana e Tibetit, - për arsye të terrenit dhe të relievit, është më e mundshme për të shpëtuar dikë kur nuk ecën dot, sepse terreni ka tjetër lloj karakteristike dhe është e mundur ta zbresësh poshtë. Ndërsa nga ana veriore që ne bëmë ngjitjen, që ka vështirësi më të larta teknike, në atë lloj lartësie, në 300 metrat e fundit, ishte praktikisht e pamundur të ndihmoje dikë që të lëvizte, nëse s’kishte fuqi ta bënte vetë. Në këtë krah, njerëzit, edhe kur kanë pasur shoqërues apo kolegë të tjerë që e kanë ngjitur malin bashkë me ta, nuk kanë arritur të japin ndihmë, sepse shtigjet janë kaq të ngushta dhe të pjerrëta, sa kjo bëhet kategorikisht e pamundur.
Disa nga këto trupa, rreth 4-5, mund t’i kemi parë edhe gjatë natës, ndërsa disa të tjerë i pamë ditën, kur ishim duke bërë zbritjen, sepse gjatë ditës mund të shikonim edhe të tjerë që mund të ishin diku 4-5 apo 10 metra larg shtegut dhe dallohej më kollaj.
Në Everest ka rreth 100-120 trupa te vdekur, të ngrirë ndër dekada, njerëz që kanë humbur jetën në lartësi të tilla dhe askush s’ka pasur mundësi t’i ndihmojë dhe kanë ngelur aty. Në disa raste vetë familjarët e tyre e kanë gjykuar që t’i lënë atje trupat e tyre, sepse nga ana simbolike kanë menduar që alpinisti vetë do të donte të prehej në mal. Por nuk mund ta mohoj, pamja e këtyre trupave, sidomos gjatë ecjes natën, ishte mjaft tronditëse dhe e frikshme nga njëra anë, por nga ana tjetër edhe të bënte të mblidhje veten dhe ta merrje më seriozisht ngjitjen dhe të ishe dhe më i kujdesshëm gjatë ecjes.
Është shkruar në mediat botërore se ai që quhet biznesi i Himalajës ka marrë një zhvillim të madh në vitet e fundit. A është e vërtetë se kishte një numër të madh alpinistësh që kërkonin të kapnin majën e Everestit?
Në krahun që ne ngjitëm, pra në krahun verior, nga krahu i Kinës, kishte rreth 120 alpinistë që kishin ardhur për të ngjitur majën këtë vit. Sigurisht që jo të gjithë ia arritën, por kishte 120 të tillë. Ndërsa nga krahu i Nepalit, nga çfarë na thanë kolegët tanë, kishte më shumë alpinistë, por nuk di të them një shifër të saktë se sa. Duhet thënë se një pjesë e madhe nuk e ngjisin dot majën, janë më të pakët ata që e ngjisin. Por kjo varet edhe nga viti, edhe nga moti i atij viti. Ka vite që niveli i ngjitjes është me i lartë, e ka vite të tjera ku niveli i ngjitjes është më i ulët. Moti është vendimmarrësi kryesor në kapacitetin e njeriut për të ngjitur një majë të tillë. Në qoftë se ka reshje apo ka shumë erë, ajo majë është praktikisht e pamundur për tu ngjitur, sado i mirë që të jetë alpinisti.
Kur e keni kuptuar se maja do ishte e juaja? Në cilën lartësi dhe sa larg saj?
Më tepër sesa një pikë fikse, kjo ndjesi ka të bëjë me fazat. Është më shumë një lloj procesi. Pak a shumë, pasi kaluan 4-5 javë të procesit të aklimatizimit dhe pasi ai u mbyll, unë fizikisht vazhdova të ndihesha mirë, ky ishte një tregues shumë domethënës për mua. Sepse kisha krijuar njëfarë sigurie që edhe ngjitja do të shkonte mirë dhe do të ishte e suksesshme. Së dyti ishte komunikimi që ne bënim me shefat, me guidat tona. Ata duke na parë neve si grup dhe si ekip, gjatë bisedave që bënim me ta, kishin shprehur mendimin që të paktën gjysma e grupit do ta kapte majën. Dhe meqë unë, gjithmonë, edhe gjatë stërvitjes dhe seleksionimit që kemi bërë në Shqipëri, edhe atje isha tek gjysma më e përgatitur e grupit, kjo më jepte gjithashtu një lloj sigurie që maja mund të ngjitej. ndërsa kur ishim shumë afër, gjatë natës së ngjitjes, kur rreth orës 05:30 të mëngjesit doli drita, pra filloi të agonte, nga ai moment, kur pashë edhe majën, sepse ishim rreth 300 metra poshtë saj, nga ai moment unë vetë e ndjeva veten shumë mirë. Dalja e dritës sikur më dha këtë lloj energjie, pashë majën, mata fuqitë dhe lodhjen që kisha me vete dhe aty e ndjeva veten plotësisht të sigurt që unë atë majë mund ta kapja, me aq sa kishte ngelur dhe me pamjen që unë kisha përpara.
Si ishte pamja në majë? A mund të na e përshkruani?
Duke pasur parasysh faktin që rrallimi i oksigjenit atje është maksimal, çdo gjë dukej gati gjysmë reale, gati e pabesueshme. Në njëmijë metrat e fundit ne përdorëm edhe oksigjen, dhe duke pasur dhe ato maskat e oksigjenit me vete e ndjen veten si gjysmë-marsian. Pastaj kur arrin në majë dhe absolutisht çdo gjë tjetër që të zë syri është nën vete, kjo e bënte realisht si sureale pamjen. Ju thashë, reagimi i parë ishin lotët e gëzimit. Kisha menduar që kur të arrija nuk do qëndroja më shumë se 20 min në majë. Pastaj kur do zbrisnim kisha përshtypjen se kishim ndenjur rreth një orë, dhe vetëm më vonë kur kemi parë pamjet filmime në video, llogaritëm që kishim qëndruar rreth 1 orë e 50 min, ose 2 orë. Një pjesë të kësaj kohe unë as që e mbaj mend se çfarë kam bërë, sepse ka humbje memorie njeriu kur është atje lart, por, siç e thashë, thelbi ishte tek të dukurit gjithçka si të ishte sureale. Gjithçka e ke para syve dhe nuk arrin t’iu besosh syve, është apo s’është e vërtetë e gjithë kjo... Ndërkohë të duket sikur është një ëndërr që po kalon shpejt, por pastaj kupton që kanë kaluar rreth dy orë.
Si e keni vendosur ngjitjen treshe, kur ju afruat majës? Në ç'mënyrë u vendos për personat që do kapnin majën të parët?
Pak a shumë ecja u bë e lirë, secili eci me ritmin e tij për të synuar majën. Por ne ishim tre veta që kishim pak a shumë një lloj ritmi dhe vendosëm që meqë ishte kështu, afër majës arritëm pak a shumë të tre në të njëjtën kohë. Është një kuotë, një moment, që do të ishte simbolike, për të mos bërë atë që bëjnë gjithmonë shqiptarët me “uni-n”, u gjykua që do të ishte një simbolikë dhe një model i mirë që të tre ta ngjisnin majën në të njëjtën kohë.
A i sollët mbrapsht të gjitha kukullat për fëmijët? Çfarë reagimi patën ata?
Oh, patjetër! Ata ishin “njerëzit e vegjël” që ngjitën Everestin “në fshehtësi”... Sigurisht që reagimi i fëmijëve ishte shumë entuziast. Unë u kisha thënë që babi do përpiqet që këto kukullat tuaja t’i çojë në majë të Everestit. Kështu unë nisa t’i trajtoj ato si njerëz të vegjël që do i çoja deri në majë. U thashë që këto lodrat nuk kanë leje për të shkuar në mal. Megjithatë do përpiqem t’i kaloj fshehurazi për t’i çuar në majë, dhe sigurisht reagimi ishte shumë entuziast nga ana e fëmijëve. Unë nuk isha në shtëpi, por fola në telefon pasi ua dërgova kasetën e filmimeve në shtëpi përpara se të vija vetë. Ata tani do t’i ruajnë ato lodra shumë gjatë, meqë janë “njerëzit e vegjël” që ngjitën Everestin. Njëri prej tyre kishte shumë ftohtë dhe nuk pranoi të dilte nga çanta, ndërsa tre të tjerët dolën pa problem dhe dolën dhe në video dhe nëpër foto. Më kishin dhen nga dy për shoq, kisha dy lodra të djalit dhe dy të vajzës.
Si i mbanit lidhjet me shtëpinë? Sa e ndjenit shqetësimin e tyre dhe kur i morët urimet e para nga Shqipëria?
Komunikimi me Shqipërinë, gjatë gjithë ekspeditës ka qenë vetëm nga kampi bazë, pasi mbi këtë lartësi nuk ishte më e mundur të kishe asnjë lloj komunikimi, të paktën në kuptimin normal. Gjatë kohës që kemi qenë në kampin bazë, që kemi kaluar një periudhë, me ndërprerje, por një periudhë të paktën 2-3 javore, ishte e mundshme të komunikonim, qoftë me e-mail, qoftë me telefona. Ndërsa komunikimin e ngjitjes, e kam bërë të parin me familjen time dhe me bashkëshorten, në lartësinë 8300 metra, ku kishim një telefon satelitor për emergjencat. Dhe sigurisht që ngjitja e majës dhe njoftimi për Shqipërinë që maja u ngjit ishte emergjent. Kështu që me të arritur në kampin e parë nën majë, që ishte në lartësinë 8300 metra, kur zbritëm poshtë, menjëherë i kam bërë një telefonatë bashkëshortes, e kam informuar për gjendjen dhe për arritjen, dhe sigurisht, nëpërmes saj, lajmi iu është dhënë edhe miqve të mi, të afërmve dhe medias më tej.