Bojaxhiu kurban te Pallati i Bashes

Bojaxhiu, kurban te 'Pallati i Bashes'

Për “pallatin e Bashës” u bë “kurban” ish kreu i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Gjergj Bojaxhiu. Kështu, problemet për resortin “Jon” kanë nisur pikërisht në momentin e nisjes së punimeve. Ndërtimi i objektit është lejuar me vendimin e KKRT-së së Vlorës dhe është firmosur nga kryebashkiaku Gjika, por shkeljet u konstatuan menjëherë nga Inspektoriati Ndërtimor, që në atë kohë drejtohej nga një prej njerëzve, mbi emrin e të cilit maxhoranca mbante peshën e suksesit, Gjergj Bojaxhiu. Inspektorët mbërritën në objekt në nëntorin e vitit 2010 dhe gjetën dy shkelje flagrante, për të cilat vendosën gjobë. Gjithashtu inspektorët përgatiten edhe dosjen me të gjitha shkeljet e tjera që u konstatuan, ku më kryesorja ishte ndërhyrja në vijën bregdetare. Dosja u përgatit dhe u depozitua me firmën Gjergj Bojaxhiut në Prokurorinë e Vlorës, ndërsa që prej asaj kohe, që i bie rreth dy vite më parë, Gjergj Bojaxhi nuk qëndroi më në atë detyrë. Nuk dihet zyrtarisht cili ishte ai shkaku i largimit të tij nga drejtimi i INUK-ut, por Bojaxhiu dhe inspektoriati që ai drejtonte ngritën zërin dhe depozituan kallëzimin në prokurori për këtë ndërtim.

Avokatja e firmës, banore e kompleksit “Jon”

E ndërsa dosja në me këto shkelje nuk u bë publike ndonjëherë, nëse është shqyrtuar apo jo, gazeta disponon një vendim gjykate, ku INUK-u është paditur për dy gjobat që ka vendosur. Pala paditëse, (dy pronarët e pallatit), është mbrojtur në gjykatë pikërisht nga Erinda Ballanca, e cila tashmë është edhe banuese e atij resorti, ose pallati. Gjyqi është zhvilluar në Gjykatat e Tiranës, përkatësisht në mars dhe në nëntor të vitit 2012, me objekt gjobën që në vitin 2010 u vendos nga INUK për të zotët e ndërtimit. Apeli i Tiranës, me kryesues Agron Papajani, la në fuqi vendimin e shkallës së parë të Tiranës, pra e fshiu gjobën e Inspektoratit Ndërtimor.

Dosja e INUK-ut 

“Shekulli” tentoi të merrte një prononcim nga ish zyrtari që drejtoi në atë kohë Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Gjergj Bojaxhiu, i cili ka zbuluar dhe konstatuar shkeljet, ka ngritur zërin dhe ka depozituar dosje në organin e hetimit lokal. Ish-kreu i INUK tha për gazetën se: “Nuk dua të prononcohem publikisht për këtë çështje tani. Ju mund të merrni në prokurori dosjen që unë kam firmosur dhe dorëzuar që në 2011-n. Atje janë të gjithë shkeljet”. E ndërsa Bojaxhiu refuzon të publikojë shkeljet që gjenden në atë dosje, në rrugë jo zyrtare, mësohet se në të vërtetë që në fillim është konstatuar se projekti që ishte duke u zbatuar prekte vijën bregdetare.

Për pasojë sheshi ose trualli mbi të cilin po ndërtohej kishte hyrje në det. Pretendimet e ngritura aso kohe nga Inspektoriati mbështeteshin te fakti se në të vërtet deti nuk mund të ketë pronar, ndërsa shtrirja e sheshit nga ana e detit ku qartësisht janë konstatuar hedhje gurësh për zgjerim trualli, bie ndesh me vijën bregdetare. Në vija të përgjithshme mësohet se, sipas kallëzimit të INUK-ut, të datës 9 shtator 2011, INUK-u evidentoi të gjitha shkeljet e kryera gjatë fillimit të punimeve si dhe në të njëjtën kohë, ngriti për Prokurorinë e Vlorës dhe një pikëpyetje të madhe për pronarët e truallit. Dokumenti që ishte firmosur nga Gjergj Bojaxhiu, drejtori i Inspektoratit, saktësonte shkeljet flagrante, kur një pronë në bregdet ishte ngritur nga hiçi, duke manipuluar procedurat mbi fitimin pronësisë dhe regjistrimit, miratimin e lejeve të ndërtimit mbi një shesh ndërtimi që nuk ekzistonte, si dhe prishjen e ekosistemit me shpërfytyrimin e peizazhit natyror.

Prokuroria: Nën hetim Policia dhe INUK-u

Pas dy vitesh beteje të “nëndheshme”, tashmë përballja për “Jonin” ka dalë në sipërfaqe. Që nga e diela pasdite, kryefjala e betejës mes institucioneve në konflikt është pikërisht ndërtimi dhe paligjshmëria e “pallatit të Bashës”. Ndërsa INUK- dhe policia rrethuan pallatin me shiritin “skenë krimi” dhe nuk lejuan banorët të hynin në banesat e tyre në këtë pallat, avokatët e pronarëve paditën këto dy institucione në Prokurorinë e Vlorës. Ndërsa, prokuroria lokale nuk foli asnjëherë për dosjen e depozituar për këtë ndërtesë nga INUK-u i kohës së Gjergj Bojaxhiut, ditën e djeshme ka nisur puna për hetimet në lidhje me pretendimet e kallëzuesve. Dy të parët që pritet të paraqiten në Prokurorinë e Vlorës janë Xhuvi Sharxhi dhe Niko Kaçori, dy prej banorëve të pallatit. Gjithashtu pritet të dëshmojnë edhe bashkëjetuesit e tjerë të këtij resorti si dhe investitorët dhe pronarët, të cilët kanë ngritur padi për veprime arbitrare të dy institucioneve dhe shpërdorim detyre. Pas tyre radhën do ta kenë krerë të institucioneve kompetente të INUK-ut dhe të Policisë së Shtetit.

Përplasja

Shkon Vlorë  Avokati i Popullit

Sherri për kompleksin “Jon” që tashmë njihet si “pallati i Bashës”, ka nisur në drejtim të Vlorës edhe ekspertët e institucionit të “Avokatit të Popullit”. Veprimi është ndërmarrë pas thirrjes së banorëve se këtë çështje, nëse nuk do ta zgjidhnin organet kompetente, atëherë do ta zgjidhin me vetëgjyqësi. Që dy netë më parë, mësohet se në të vërtetë banorët e ndërtesës, ato familje që banojnë në godinë janë lejuar të hyjnë brenda nga policia, por janë lejuar vetëm kundrejt dokumentacionit identifikues, ndërsa godina vijon të jetë e rrethuar me të njëjtin shirit dhe nën mbikëqyrjen e rreptë të Policisë së Shtetit. Ekspertët e Avokatit të Popullit mësohet se kanë marrë kontakte me të gjitha palët dhe se pas disa ditësh do të dalë me konkluzionet e tyre të cilat do t`jua rekomandojnë institucioneve të përfshira në këtë përplasje. INUK-u mësohet se vijon të jetë në procedurën e verifikimit të të gjithë dokumentacionit që kanë dy pronarët, një prej të cilëve është edhe vjehrri i Lulzim Bashës. Pronarët, përmes avokatit të tyre Maks Haxhia, këmbëngulin se janë të ligjshëm.

Inspektoriati i Gjikës mbrojti “pallatin e Bashës”

Zbardhet vendimi i Apelit në Tiranë për përplasjen gjyqësore mes shoqërisë ndërtuese të kompleksit “Jon” dhe Inspektoriatit. Gjykata: U tejkaluan kompetencat  

Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Apelit vërehet se gjoba e INUK-ut për shoqërinë “G.B-a Konstruksion” shpk, është vënë 19 nëntor të vitit 2010. Me 28 dhjetor të po këtij viti gjykata e Tiranës ka marrë në shqyrtim çështjen me objekt konstatim i pavlefshmërisë absolute të vendimit për dënim me gjobë të datës 19 nëntor 2010 i INUK-ut. Konstatim i pavlefshmërisë absolute të vendimit për “pezullimin e punimeve të po kësaj date. Pezullim të ekzekutimit të të dy këtyre vendimeve. Padia ishte kryer nga kjo shoqëri dhe u përfaqësua në Gjykatë nga avokate Erinda Ballanca. Në këtë datë, pra me 28 dhjetor të vitit 2010, Gjykata e Tiranës ka vendosur pezullimin e këtyre vendimeve të INUK-ut dhe ka vendosur që shpenzimet e gjykatës duhej të kryheshin nga pala e paditur, pra INUK-u. Ky i fundit përfaqësohej në gjykatë nga Avokatura e Shtetit, që kërkoi apelimin e këtij vendimi”. E ndërsa gjyqi për gjobën e vendosur nga INUK-u vijonte të ishte në gjykatat e Tiranës, punimet në ndërtesë kanë vijuar. Në nëntorin e vitit të kaluar Apeli ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë e për pasojë gjobën me të cilën INUK-u kishte gjobitur fillimisht shoqërinë “G.B” duhej të paguhej nga INUK.

Ndërtimorët e Gjikës kundër Bojaxhiut    

“Shoqëria "G.B-a Konstruksion" shpk është në cilësinë e subjektit ndërtues të objektit të lartpërmendur. Bazuar në legjislacionin që rregullon veprimtarinë në fushën e kontrollit të ndërtimit, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Vendor (me poshtë "INUV") Vlorë ka lëshuar vërtetimin më 25 nëntor 2010, nga ku ka rezultuar se subjekti, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, ka paraqitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm tekniko/ligjor dhe njoftimin për fillimin e punimeve.

Në këtë kohë, në kantier janë paraqitur për kontroll dy inspektorë të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Përfaqësuesit e paditësit i kanë vënë në dispozicion, një kopje të gjithë dokumentacionit tekniko/ligjor për ndërtimin e objektit Inspektorët kanë konstatuar se në zonën e ndërtimit mungonte tabela e identifikimit të objektit, dhe lidhur me këtë fakt, përfaqësues të paditësit i kanë sqaruar se vendosja e tabelës ishte bërë, por për shkak të kushteve jo të mira atmosferike të atyre ditëve, tabela ishte shkëputur nga pozicionimi i montimit prej paditësit. Inspektorëve u është siguruar se shoqëria po merrte të gjitha masat për rregullimin e këtij incidenti të ndodhur.

Paditësi ka pretenduar se inspektorët janë larguar nga objekti pa mbajtur asnjë procesverbal lidhur me kontrollin e ushtruar dhe pasi morën një kopje të dokumentacionit të vënë në dispozicion. Pasi punimet kishin ecur normalisht, nga ana e INUV Vlorë, me anë të shkresave shoqëruese, vihemi në dijeni të faktit se INUK kishte marrë ndaj shoqërisë vendimin "Për dënim me gjobë" duke e dënuar paditësin me gjobë në masën 2.200.000 lekë. Sipas pretendimit te paditësit, po të njëjtën datë ishte marrë një vendim i dytë, kësaj rradhe për pezullimin e punimeve në objekt, me nr. 17, datë 19.11.2010. Keto vendime të marra nga INUK-u Tiranë, sipas paditësit, janë njoftuar në datë 30 nëntor 2010.”

Apeli: INUK-u tejkaloi kompetencat

I padituri gjatë gjykimit në shkallë të parë ka prapësuar se: Nga kontrolli i ushtruar në objekt në prani të inxhinierit të objektit, ka rezultuar se mungonte tabela e identifikimit të objektit si dhe masat e sigurimit teknik, kundravajtje të parashikuara nga ligji "Për Urbanistikën". Për këto arsye nga inspektorët është mbajtur procesverbali i konstatimit datë 10 nëntor 2010 i cili në kushtet kur inxhinieri nuk ka pranuar të nënshkruajë, është lënë në objekt. Parregullsitë e cituara janë konstatuar në vend, në këto kushte, brenda afateve ligjore është mbajtur vendimi për pezullim punimesh dhe vendimi për dënim me gjobë.

I padituri ka prapësuar se zona ku po ndërton pala paditëse është zonë turistike dhe në këtë objekt nuk është ushtruar kontroll nga INUV pranë Bashkisë Vlorë. Përsa i përket masës së gjobës, i padituri ka prapësuar se ajo është një vlerë e përcaktuar në ligj dhe në asnjë moment nuk është tejkaluar nga ana e inspektorëve. Gjatë hetimit gjyqësor ka rezultuar e provuar se palës paditëse i është dhënë nga KRRT, Vlorë, leja e ndërtimit për një godinë banimi me specifikimet e sipërpermendura. Fillimi i punimeve për këtë objekt ka qenë në përputhje me të gjitha parashikimet ligjore në fushën e urbanistikës. Për këtë paditësi ka depozituar me cilësinë e provës edhe vërtetim i lëshuar nga INUV, Vlorë më 25 nëntor 2010.

Në ligjin "Për inspektimin e ndërtimit" parashikohet se: "ky ligj ka për qëllim të sigurojë respektimin e normave, standarteve dhe legjislacionit në fushën e ndërtimit, urbanistikës dhe rezervave ujore, në të gjithë territorin e vendit, në mënyrë të decentralizuar dhe në përputhje me parimin e subsidiaritetit në bazë të ndarjes administrative". Në nenin 9/a të ligjit të sipërcituar, parashikohet se:” INUK-u ushtron funksionet e INUV vetëm në rastet kur konstaton shkelje të ligjshmërisë në fushën e urbanistikës dhe kur ato nuk janë ushtruar nga INUV.” Siç del edhe nga përmbajtja e dispozitave, ajo që duhet të ndodhte prej INUK-ut është verifikimi nëse INUV kishte ushtruar kontroll, nëse ndërtimi që po kryhej i kishte të gjithë dokumentacionin teknik dhe ligjor dhe nëse ishte marrë ndonjë masë apo jo prej INUV. Në kuptim të përcaktimeve të ligjit cituar më sipër, rezulton se INUK-u mund të merte ndonjë masë, vetëm nëse INUVdhe pas konstatimit të bërë prej Inspektorëve të saj dhe relatimit të shkeljes pranë INUV, nuk kishte kryer asnjë kontroll dhe nuk kishte marrë asnjë masë për shkeljen e konstatuar”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama