Është përshkrimi i shkurtër i koreografit Gjergj Prevazi për premierën që shfaqet sonte në sallën e madhe të Akademisë së Arteve. Idetë e tij për një "teatër politik" gjejnë shprehje në dy monologë të shkruar nga shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti, të cilët interpretohen në skenë nga Ema Andrea.
"Ne-Ku-Ndër" quhet premiera e trupës që Prevazi drejton prej vitit 2000, Albanian Dance Theater Company, kompani e baletit bashkëkohor dhe e danc teatrit me qendër në Tiranë. Është prodhim i Akademisë së Arteve, Albania Dance & Theatre CO.
Në komentin për secilën nga pjesët e titullit, Prevazi e identifikon "Ne" me mungesën e një konsensusi shoqëror për të ndërtuar një vend që të na shërbejë ne në radhë të parë. "Një nga ironitë e fatit tonë", thotë koreografi i cili bën edhe konceptin regjisorial të shfaqjeve të veta, "është se cilësitë e bashkëjetesës i kërkojmë jashtë vendit tonë, jashtë nesh."
"Ku" është një orientim në drejtim të natyrës së përgjegjësisë të përmendur me lart.
"Ndër" është një kalim nëpër gjithë labirintet tona, si qenie njerëzore.
Spektakli është ngritur në këmbë këto dy muaj, por Gjergjit i duket se është bërë enkas nga dje, për aktualitetin.
"Është një vepër postmoderne", thotë ai, "danci ndërthuret me tekstin e folur, gjestin, muzikën, efektet."
Kërcimtarë janë Linda Shllaku, Elton Çefa, Sueda Hoxha, Mateo Nushi, Aledia Kondaj, Labinot Rexhepi, Klaudia Zace, Ardit Logu, Elona Zyberi.
Tekstin e ka shkruar Kim Mehmeti me porosi të koreografit. Të dy jetojnë në qendra të ndryshme shqiptarësh, njëri në Shqipëri e tjetri në Maqedoni dhe ndajnë shpesh mendime për shoqëritë të cilave iu përkasin. "Na bashkon sensi kritik, një prirje që publicistika e Kimit e ka vokacion të përhershëm. Por natyrisht që ai mbi të gjitha është një artist."
Janë dy monologë të gjatë në shfaqje që flasin për gjendjen sot. Personazhi përfaqëson një intelektual idealist që përpiqet të ndërtojë filmin e tij të kujtesës dhe të kuptojë një realitet që i del i kundërt me ato që ndodhin. Është një njeri i shkëputur nga realiteti. Pasqyrë e tij është shoqëria e dobët civile. Gjergj Prevazi mendon se "në përgjithësi ne jemi të prirë të krijojmë një atmosferë bipolare se sa të dëgjojmë të urtët. Kjo është sëmundje tradicionale e jona, nuk është e re."
Shfaqja ka një simbolikë të realitetit të kthyer përmbys. Ashtu si në lojën e fëmijëve që zbaviten duke e parë përmbys. "Në krjimtarinë time unë i kthehem botës së fëmijëve. Për mua ajo është një botë e përmbushur. Dikur kam ëndërruar të bëj këtë që bëj."
Me kthimin në fëmini koreografi nënkupton një gjuhë sa simbolike që do ta ketë spektakli i sotëm, për të shprehur diçka që vlon nga brenda për të dalë në sipërfaqe, aq edhe shpirtërore, shpëtimtare, arkeologe e kuptimeve që ia ngushtojnë fushëpamjen një njeriu të rritur. "Transfigurimet fëminore mund ta bëjnë këtë realitetin tonë që kemi përballë më interesant. Boll më me lojën e gjelave!"
Shumë linja mbulohen nga një seri muzikore e veprave të autorëve bashkëkohorë: Hugues le Bars, Teo Paoli, Nicholas Lens, Scorpions, po edhe nga autorë shqiptarë, Aleksandër Gjoka dhe Eranda Libohova.
"Ne-Ku-Ndër", shfaqet në Akademine e Arteve edhe nesër, ora 19:00. Videoart Ilir Kaso, Kamera Tristan Sherifi, ass/koreograf Elton Çefa.