Bolshevizmi dhe realiteti i shqiptareve te Maqedonise

Unë vazhdoj ti dua veprat konkrete. Kjo ndoshta është rezultat i asaj që njohuritë për jetën i mësova dhe akoma po i mësoj më mirë nga vetë jeta, e jo nga kokëtrashët të cilët jo vetëm që mund të kenë qëllime të këqia, por, edhe në s’paçin të tilla, mund të të bëjnë keq pa qëllim. Zakonisht të tillët na paraqiten si udhërrëfyes, si njerëz më të mençur, si dhe Shqiptarët pa ata nuk munden! Pikërisht, këta janë ata që kanë shumë fjalë, e nëse i ndoqe pas do të fundosesh në injorancë dhe do të përjetosh dhimbje të tmerrshme, ngase veprat i kane vetëm në piktur. Nuk është thënë kot se zemra e kokëtrashit është në maje të gjuhës. Se kjo është e vërtetë u binda kur dëgjova debatin në Tv Klan, ku tema e diskutimit ishte Shqiptarët dhe Maqedonasit. Ate që nuk arrita ta kuptoj është mënyra e diskutimit, “analizat”, si dhe për çfarë qëllimi Blendi Fevziu i kishte ftuar mysafirët. Vallë, shqiptarët e maqedonisë meritojnë një nënçmim të tillë?!! Një e kam të qartë, sytë janë në ballë për të vetmin qëllim që me ta hapim shtigje, ecim drejtë rrugës së vërtetë. Mirëpo, sytë e shkrimtarëve mysafir ishin pas shpine... Ata u bënë sikur shihnin më largë se ne, donin të na shesin shumë mend, e nuk vërenin se nuk kanë për vete. Me një fjalë, ata shqiptarët e Maqedonisë i trajtonin si të pakulturë, islamist ekstrem, naiv, të prapambetur... mendime shumë të përafërta me ata të autorëve të enciklopedisë. Më lindi ideja se ndoshta këta mund të jenë edhe autorë të enciklopedisë. Në debat nuk vërejta frymën demokratike të të shprehurit e as që u diskutua për diçka konkrete pos fyerjeve dhe izolimit mbrenda paqartësive të mëdha të fanatizmit komunist. U pa se debatuesit gjendeshin në huti dhe nuk dinin gjë për shqiptarët e Maqedonisë. Ata nuk e dinë se filozofia e paqës, duke filluar nge individët e deri te shoqëria multietnike e Maqedonisë, kurrë nuk dë të realizohet nëse zëri i shqiptarëve nuk dëgjohet. Shqiptarët nuk janë grup e as fis i lënë nën mëshirën e Maks Velos, Fatos Lubonjës, e as lodër në duart e Cërvenkovskit e Nikolla Gruevskit, por ata janë një komb shumë më i lashtë se maqedonasit. Ç’është e vërteta, historia ka një ligj të prerë: toka nuk dhurohet por duhet luftuar për ta, madje duhet të dish si të luftosh. E këtë shqiptarët e Maqedonisë e kanë bë në mënyrë dinjitoze. Andaj, shumë mjegulla duhet larguar, shumë mendime duhet ndryshuar që janë krijuar nën dioptrinë “bardh e zi”, shumë vlerësime duhet saktësuar për të ndriçuar të vërtetën historike të shqiptarëve të Maqedonisë. Dhuna dhe terrori sllav ndaj shqiptarëve është ushtruar në mënyrë arbitrare, me shkelje më brutale të të drejtave individuale dhe kolektive, duke vra, burgosë, torturuar, suspendim të dhunshëm nga institucionet shoqërore, arsimore dhe kulturore. Siduket, Maks Velo dhe bashkëmendimtarët e tij kanë pasur mendje te revolucionet bolshevike. Fryma e kryqëzatave dhe ëndërrat për madhështi kombëtare nuk i ndihmuan maqedonasve, ngase këto janë faktorë që paraqesin pengesa... dhe që shkaktuan 2001-shin. Ata deshtën ti zhdukin vlerat universale kombëtare dhe civilizuese të shqiptarëve, të drejtat natyrore për të jetuar të lirë dhe të barabartë me popujt tjerë. Si është e mundur të fyejn aq rëndë shqiptarët e maqedonisë kur dihet se në Manastir lindi alfabeti, aty vepronte klubi shqiptar “BASHKIMI”, aty u themelua shtypshkronja, botohej gazeta “BASHKIMI I KOMBIT” dhe “DRITA”, aty u mbajtë kongresi i dytë shqiptar që i kushtohej luftës çlirimtare... apo zoti Maks shkruan me shkronja greke dhe nuk e vretë ndërgjegjja se pikërisht ata maqedon të “civilizuar” morrën vendim për heqjen e pllakës përkujtimore nga objekti ku është mbajtë kongresi. Kjo a nuk paraqet përpjekje për të zhdukur gjurmët e një ngjarje historike të shqiptarëve kudo që janë ata?

Kjo a nuk paraqet një akt vandal, brutal kundër gjuhës, kulturës, traditës dhe vlerave shoqërore që përbëjnë individualitetin nacional dhe qenien historike të popullit shqiptar??? Duke nderuar moshën e Maks Velos që mos të lodhet shumë e të bezdiset duke lexuar histori, po e përkujtoj vetëm me disa ngjarje që nuk janë të panjohura për opinionin. Ai flet për kulturë po harron se është i ngopur me kulturën komuniste e për ate vjellë urrejtje, kurse një shqiptar i Maqedonisë e ka mbrojtë kulturën dhe me te mbjell paqe. Po fillojë nga 1981 kur edhe filloi fushata antishqiptare nën parullën e “nacionalizmit “ dhe “seperatizmit”. Kalimthi po përmend atakun kundër emrave shqip dhe toponimeve. Shqiptarët e kishin të ndaluar që fëmijët e posalindur t’i emërojnë me emra shqip, si: Shqipe, Driton, Dardan... etj, kurse për emrat e qyteteve në vend se të shkruhet në tekstet shkollore Shkup është shkruar në gjuhën sllave SKOPJE, apo për Kërçovën- Kiçevo... etj. Përmendim masat rigoroze kundër arsimit shqip, ku jo vetëm që një grup autorësh u larguan nga programet mësimore po edhe u djegën bibliotekat e shkollave, gjuha mësimore shqipe u zëvendësua me atë maqedone, kurse numri i paraleleve u zvogëlua me çka një numër i madh i nxënësve ishin privuar nga e drejta e shkollimit. Arsimtarët që vazhduan të shkruajnë mësimet në shqip u dënuan me nga 11 vjet burg, nxënësit që protestuan u quajtën irredentist e seperatist dhe u dënuan me nga 5 vjet burg. Përmendim shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, Bit Pazarin, Ladorishtën, bolduzherët që donin ta shkatërrojnë Universitetin e Tetovës, përmendim ngjarjet e 1997 në Gostivar dhe Tetovë – aksionin e dhunshëm që morri policia maqedone për të hequr flamujt kombëtar. Burgosja e intelektualëve shqiptar a nuk dëshmon se maqedonasit kishin urrejtje të madhe, si dhe po zhvillonin propagandë antishqiptare? Dhe më në fund zoti Maks, mua edhe ti na ndajne shumë gjëra. Ti je i brumosur me revolucione bolshevike, kurse une me protesta për arsim. Ti ke qenë student i besueshëm dhe i paguar nga nëna parti, kurse unë kam filluar studimet ne lokalet e Organizatës Humanitare EL-HILALL dhe isha i detyruar ti ndërpres studimet përshkak të luftës. Ti ke qenë i ulur në karrigë, kurse unë në nje vend të ngusht ku u shihnin thasët e miellit dhe të makaronave... ti ke marrë pjese në tribuna ideologjike, kurse unë për të shkuar te universiteti kaloja shumë post blloqe policore, duke e fshehur INDEx-in. Ti ke lexuar në lokale të nxehta, kurse unë në bibliotekën e Universitetit e cila kishte xhama të thyer nga plumbat e atyrë që ti i quan të civilizuar.

Zoti Maks Velo, shqiptarët e Maqedonisë me angazhimin e resurseve shpirtërore, intelektuale e materiale vepruan në mënyrë efektive të mundshme dhe ia arritën qëllimit, kurse ti ende na mbete bolshevik i përbetuar.


Agim Jakupi- Shkup

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama