Kryeministri i vendit, Edi Rama i cilësoi të turpshëm reagimin e Partisë Demokratike pas ngjarjeve të rënda të ndodhura dy ditë më parë në kryeqytet, ku familja e ministrit të Brendshëm, Sajmit Tahiri u bë objekt i dy atentateve me bombë. Duke folur ditën sotme në kuvend, kreu i ekzekutivit i cilësoi akte të rënda terroriste shpërthimet e dy ditëve më parë, ndërsa akuzoi PD se në vend të dënonte këto akte, drejtoi sërish gishtin nga ministri i Brendshëm, që ishte objekt i sulmeve kriminale.
“Askush që nuk është pjesë e politikës kriminalizuese nuk mund ta gëlltisë reagimin faqezezë të PD-së ndaj sulmeve me bomba në adresë të ministrit të Brendshëm dhe familjes së tij. Deklaratat e turpshme na turpërojnë të gjithë ne. Opozita jo vetëm që nuk e dënoi terrorin, por drejtori gishtin nga familja e ministrit, duke e bërë krimin partner të sajin”, tha Rama, duke shtuar se fushata e egër e fyerjes dhe përbaltjes nga opozita ka nisur që kur nisi kthimi i policisë në krye të detyrës me prerjen e lidhjeve të paligjshme të vendosura nga qeveria e mëparshme mes policisë e botës shkrimit.
Sipas Ramës, akuzat kriminale të opozitës në drejtim të punës së qeverisë janë një turp i madh për vendin tonë në sytë e komunitetit ndërkombëtar, me akuza që janë të denja për gjykata të krimeve kundër njerëzimit.
Ai u kërkoi deputetëve të opozitës të provojnë me fakte dhe prova në gjykatë çdo akuzë kriminale të ngritur ndaj tij, në të kundërt do të përgjigjen vetë për të gjitha shpifjet që kanë nxjerrë nga goja.
“Nëse akuzat vërtetohen atëherë unë jap dorëheqjen. Nuk ka vend në Evropë ku deputeti të bëjë akuza kriminale dhe prokurori mos e thërrasë. Shqipëria nuk mund të qëndrojë më në baltën e akuzave, që i kanë përdorur më herët vetëm komunistët dhe nazistëst. Asgjë nuk do të na pengojë që të vazhdojmë luftën kundër krimit”, tha Kryeministri.
Berisha: Sot në Shqipëri po vendos krimi
Pas akuzave të kryeministrit për opozitën, kryeministri ironizoi me Ramën duke e cilësuar me personazhin e hallës te filmi “Njeriu me top” për kohën e gjatë që ai flet në Kuvend.
“Ramën tani po e thërrasin në popull si hallë Esmaja ose halla e “Njeriut me top”, – tha Berisha. – Vendin e kanë pllakosur probleme të mëdha, krimi po pushton çdo javë horizonte të reja. Goditja e tij dy ditë më parë ishte tritoli në zarf për Ministrin e Brendshëm dhe kjo është një gjë shumë e keqe. Nuk ndodhi kur Spartak Koçi goditi banda dhe tani ecën i lirë rrugëve të qytetit. Nuk ndodhi kur i ndjeri Sokol Olldashi çimendoi 200 banda dhe grupe. Ndodhi tani mënyrën më të egër. Krimineli që kreu aktin para kamerave tregoi se mund të godasë kur të dojë”.
Më pas Berisha iu drejtua Tahirit: “Mos u bën zëdhënës i një bande kundër një bande tjetër. Ju keni kilometra biseda me secilën bandë. Unë kot nuk kërkova të zbardhen tablatet telefonike, unë i di mirë kërcënimet dhe bisedat që u vijnë atyre. Sot në Shqipëri vendos krimi, po vazhduam kështu do të shkojmë drejt një gremine të paimagjinueshme”, – përfundoi ish-kryeministri.
Paloka: Rama e do opozitën në burg, ashtu i leverdis
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka duke marrë fjalën pas kryeministrit Edi Rama tha se gjithçka që kërkon të bëjë kryeministri është të fusë në burg opozitën, ashtu siç bëri me kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, pasi sipas tij opozita në qeli është opsioni më i mirë për kryeministrin. Ai i bëri thirrje kreut të ekzekutivit të bëhet gati seriozisht për gjyqin pas padive që deputetët demokratë kanë ngritur ndaj tij, pasi nuk do të jetë show siç mendon kryeministri.
Paloka akuzoi qeverinë se ka ardhur në pushtet bashkë me krimin ndaj kjo është arsyeja pse vendi ndodhet në këtë gjendje të mungesës totale të sigurisë.
Referuar ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë ku familja e ministrit të Brendshëm u bë objekt i atentateve me bomba, Paloka u shpreh se kjo është produkt i punës së një policie të lidhur me krimin.