Bordi per librat jashteshkollore nuk mblidhet prej vitit 2012

Bordi per librat jashteshkollore nuk mblidhet prej vitit 2012

Në vitin 2006 u krijua një bord për sugjerimin e librave jashtëshkollor në sistemin 9-vjeçar dhe parauniversitar. Dy vitet e para ky bord funksionoi në mënyrë të pavarur. Më pas zëvendësministri i Arsimit Halit Shamata, emërohet kryetar i bordit dhe situata filloi që të ndryshonte gradualisht. Behar Gjoka, studiues i letërsisë, por njëkohësisht edhe anëtar i bordit, është kujdesur për listën e librave jashtëshkollorë që duhet të lexojnë nxënësit. Ai në një intervistë për “Shekulli”-n, tregon se bordi kishte shansin për ekspertizë, por situata e komunikimit institucional me kalimin e kohës filloi që të shndërrohej. Nevoja për literaturë në bibliotekat e shkollave, ka qenë shtysë për fillimin e abuzimit.

Çfarë duhet bërë për të shmangur këtë situatë? Çfarë brezi po edukojnë mësuesit? Kush duhet të jetë pjesë e politikave arsimore? Këtyre pyetjeve, Gjoka u përgjigjet gjatë intervistës.

Disa nga anëtarët e tjerë që kanë qenë pjesë e këtij bordi janë: Gëzim Hado, Edmond Tupja, Ilia Lëngu, Floresha Dado, Dhurata Shehri, Ardian Marashi, Zyhdi Dervishi, Gjergj Sinani, Kristaq Jorgo etj.

Zoti Gjoka, këto ditë gabimet kuptimore, por edhe ato drejtshkrimore në tekstet e sistemit 9-vjeçar dhe të mesëm janë denoncuar në medie, por edhe nga individët e thjeshtë nëpër rrjetet sociale në internet. Ndërkohë ju si anëtar i bordit që përzgjidhte tekstet e letërsisë që lexoheshin jashtë programit, çfarë mund të na thoni për rëndësinë e tij?

Bordi është krijuar në vitin 2006 dhe do të sugjeronte librat jashtëshkollorë. Kjo gjë kishte vlerë për faktin se, mënyra sesi hynin librat nëpër shkolla ishte anarki.

A e zgjidhi këtë gjë bordi?

Nuk e zgjidhi. Në distancë kohore mendoj se, nuk e zgjidhi për shumë arsye. Së pari, për faktin se nuk u ndoq hap pas hapi e tërë rruga që, kjo literaturë të ishte e detyrueshme në shkollë apo që kjo literaturë të zbatohej detyrimisht, dhe vetëm detyrimisht. Së dyti, në asnjë rast nuk besoj se ka përzgjedhje të përsosur.

Çfarë nënkuptoni me këtë?

Dua të them se, në momentin që përzgjidhet literatura dhe sidomos literatura për grupmoshën fillore dhe tetëvjeçare, gjithmonë ekzistonte një lloj problemi që kishte të bënte kryesisht me faktin se, cili është niveli i letërsisë sonë, që do t’u sugjerohet nxënësve. Nëse do të nisemi nga lista, lista është shumë e gjatë.

Gjatë viteve ndodhin proceset e një eksperimenti pak a shumë të çuditshëm, por mbaj mend se bordi ka pasur disa grupe që funksiononin.

Grupi i literaturës për shkollën e mesme, grupi i literaturës për fëmijë dhe grupi i literaturës për letërsinë e përkthyer etj. Natyrisht që, ka patur disa kritere që kishin të bënin kryesisht me faktin se, përkthimi duhej të bëhej nga gjuha e parë, duhej që të shoqërohej me një sugjerim nga shtëpia botuese etj. Por, mendoj se edhe ajo formë është shumë e diskutueshme, për një arsye shumë të thjeshtë se çdo listë që kapërcen numrin 100 ka hapësira për abuzim.

Përse ka vend për abuzim një listë që kalon numrin njëqind?

Nëse do të sugjerosh libra që kanë të bëjnë me programin ose afër programit, nuk jemi larg të qenit e kësaj liste funksionale, por në momentin që kapërcehet caku i programit fillon problemi. Për shembull, ne atëherë të gjithë si bord kemi bërë një lloj marrëveshje duke thënë se, librat që kanë marrë çmime do të përfshihen në listë. Në fakt janë përfshirë librat që kanë marrë çmime dhe kjo listë erdhi duke u zgjeruar, sa u zgjatë shumë më tepër. I binte që letërsia e huaj të kishte 100 autorë dhe letërsia shqipe të shkonte 300 e ca autorë. Ndërkohë që ishte mendimi se duhet të jemi shumë të kujdesshëm në atë që quhet përzgjedhje e vlerës. Herë-herë konceptohej që kjo përzgjedhje ishte konkurs i autorëve, por nuk ishte konkurs të autorëve dhe as konkurrim të shtëpive botuese. Por, as kjo nuk ishte e vërtetë, sepse kjo është thjeshtë përzgjedhje literature e përshtatshme për nevojën e shkollës. Pra jemi në situatën se, kjo përzgjedhje është literaturë utilitare e dobishme dhe me vlerë për këtë nivel shkolle.

Vitet e parë kjo përzgjedhje u konsiderua si literaturë utilitare e dobishme, por çfarë ndodhi më pas?

Në momentet e fundit ndodhi edhe një dukuri që, të them të drejtën për ne ishte shqetësuese. Lindi nevoja e literaturës për bibliotekën e shkollës, për mua kjo gjë e ndërlikoi pak situatën. Këtu filloi edhe abuzimi sepse caktohej një fond i caktuar që do të ndahej nëpër biblioteka. Ndërkohë që bordi nuk ishte ngritur për tjetër gjë, bordi sugjeronte literaturë të përshtatshme, të vlefshme dhe cilësore për këtë grupmoshë, që ishte jashtë programit, por jo larg programit.

Por çfarë do të ndodhte? Do të ndodhte që ai merrte dije për diçka që nuk i nevojitej. Në këtë kuptim do të thoja se, edhe ajo pjesë, megjithëse ishte institucionale, megjithëse frenoi anarkinë, nuk e zgjidhi problemin për mënyrën e organizimit. Zakonisht bordet në Shqipëri konceptohen si pjesë e institucionit. Bordet nuk janë pjesë e institucionit, por bordet janë ekspertë që i sugjerojnë institucionit.

Punonjësit e institucionit nisën të sugjeronin literaturë?

Me këtë nënkuptoj se erdhi një moment ku zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata ishte kryetar bordi. Mendoj se, në momentin që bordi kaloi në situatën e nevojës që ka institucioni, doli nga funksioni i tij, doli nga funksioni i pavarësisë sugjeruese ndaj institucionit dhe nga marrëdhënia reale me të. Institucioni mund të kërkojë çfarë të dojë dhe nga ana tjetër bordi mund të propozojë, por jo të shërbejë, jo të jetë zgjatim i institucionit. Unë të paktën do të mendoja që, çdo bord që është brenda hallkave të institucionit ka pak mundësi që të funksionojë si i pavarur dhe si ekspert. Ekspertiza nuk ka të bëjë me nevojën që ka institucioni i caktuar, por kapërcen nevojën dhe është shumë më tepër sesa kaq. Në këtë kuptim unë do të thoja që, në momentin e parë 2006-07, bordi ka qenë i përbërë nga profesionistë, sepse sugjeroi, pavarësisht se nuk e mbylli çdo gjë në mënyrë perfekte, shmangu anarkinë. Por, më pas erdhi një moment që mbarteshin lista etj., etj., ka qenë një moment që në listë shkrimtari më i njohur doli Fahri Balliu.

Këtu fillon edhe pjesa që ekspertiza nuk është për nevojat që ka biblioteka, por për nevojat që ka nxënësi. Janë dy gjëra këtu që, nëse biblioteka është pjesë e administrimit të ministrisë, bordi nuk ka të bëjë me këtë pjesë, por ky moment u harrua.

Mendoj se, ne duhet që të çlirohemi, pasi institucionet nuk janë hallka që të mbyllin kërkimin, por në fakt duhet që të shndërrohen në hallka që promovojnë. Në këtë kuptim vërtetë bordi është pjesë e njohur e politikës arsimore, por nuk ka për detyrë që të zbatojë politikën arsimore. Bordi me ekspertizën e tij duhet që të japë shans, që të rrefkëtojë nëse kjo politik arsimore nuk është në raportet e nevojshme, thjesht të sugjeroi.

Si bëhej votimi i teksteve?

Votimi ishte demokratik, mirëpo ndodhte edhe në këtë formë. E kishe lexuar librin apo nuk e kishe lexuar, mund ta votoje. Për shembull, kur vinte puna për letërsinë për fëmijë përzgjedhësit ishin dy ekspertë dhe votimi ndodhte në mënyrën më të çuditshme të mundshme. Në këtë rast, ne jemi në një situatë që ka dështuar rruga anarkike, duket sikur ka dështuar edhe rruga e bordit, por do të thoja se, nuk ka dështuar nevoja për ekspertizë, sepse ekspertët i duhen një institucioni. Ministria e Arsimit e hapi lojën për ta bërë këtë gjë, por nga institucioni erdhi situata e rrudhjes. Një bord i lirë, i pavarur me njerëz që e kanë vërtetuar me tituj apo me libra, që kanë lidhje me gjuhësinë, që kanë lidhje me literaturën, sepse shkolla nuk ka vetëm letërsi, por ka edhe literaturë shkencore, ka edhe literaturë filozofike, sociologjike, pra jemi në një situatë që ende nuk kemi gjetur mënyrën e duhur ndaj qasjes së problemit.

Për t’i dhënë një lloj përgjigjeje si prind, si ish mësues, si njeri që merrem me letërsinë mund të them se, situata ka nevojë për një bord. Bordi nuk funksionon fare që nga viti 2012-ta. Nuk duhet një bord akademik-akademik, por duhet një bord funksional që të udhëhiqet nga ideja e nevojës që ka ajo grupmoshë për literaturë, apo nga nevoja që kemi ne për të shitur librat tanë.

Unë nuk e di që nga ministria të jetë marrë qoftë edhe një mas për librat që janë sugjeruar, por në momentin që MAS e përçonte këtë shkresë ajo mbetej në dorë të drejtorit dhe të një grupi, që do të bënte përzgjedhjen e nevojshme, si kërkesë dytësore. Në fakt duhet që të trajtohej në nivel pothuajse të përafërt me kërkesën për zbatimin e programit. Sa mirë që, sa herë që shkohet për kontroll kërkohet zbatim i programit, pse të mos shtohet edhe kërkesa për mënyrën se si është përzgjedhur literatura që është sugjeruar, në mënyrë që të dihet se çfarë po ndodh. Jo thjesht, që të vrasim mendjen se sa fonde mori për bibliotekën kjo shkollë. Në fund fare jemi tek ajo situatë që shanset e gjetjes së librit janë të pakufishme, duhet që të largohemi pak nga ngarkesa e bibliotekomanisë, së çdo shkolle dhe të vijmë të situata që të lihet hapësirë e lirë. Nuk jam kundër bibliotekave në shkolla, por nuk ma do mendja se do kthehet funksionimi i tyre normal, sepse ne po shkojmë drejt bibliotekave virtuale. Nëse ti i konfirmon një literaturë të sugjeruar, të pranuar, të përzgjedhur, të shoshitur në vlerë dhe në dobi, them që ta ketë padyshim vlera estetike, filozofike dhe shkencore dhe njëkohësisht të jetë në dobi të një grupmoshe. Ne u japim nxënësve të shkollës së mesme që të lexojnë Aristotelin, por studentët në arsimin e lartë çfarë do të lexojnë.

Ka pasur lëvizje të ndryshme, ku të them të drejtën nuk ndodhi një çudi e radhës, por nevoja për një listë, sepse biblioteka duhet të mbushet etj., pra bordi u krijua dhe gjatë rrugës iu ngarkuan detyrime që për mua nuk kishin të bënin me ekspertizën e përzgjedhjes së librave. Nëse do të funksionojë një bord tjetër duhet që të jetë padyshim thjesht edhe vetëm ekspertizë për tekste me vlerë dhe për tekste të nivelit të shkollës parauniversitare.

Diskutimet për programin bazë

Edhe programi bazë është mjaft i diskutueshëm. Ka qenë një moment që para 6-7 vjetësh Migjenin e kishin lënë me një orë. Këtu ndodh shumëçka sepse raporti subjektivitet dhe program institucional nuk duhet që të jetë kaq larg, nuk mundet që subjektiviteti të imponojë institucionin deri në situata të tilla. Gjithashtu programi ka një situatë të pazgjidhur sipas gjykimit tim, në raport me letërsinë shqipe, letërsia shqipe nuk shikohet si njësi e tërë.

Letërsia shqipe merret me një moment të komunikimit brenda kufirit shtetëror, kur letërsi shqipe është edhe ajo e diasporës, e arbëreshëve, në Kosovë etj. Së dyti, nuk është zgjidhur raporti i periudhave kohore, letërsia bashkëkohore është pjesë e programeve të padiskutueshme, ndërkohë që raporti i letërsisë së kaluar vjen edhe rëndohet, sa vjen edhe zbehet prania e Mjedës, Fishtës, Migjenit, Poradecit etj. Në këtë kuptim do të thoja se, në raport me letërsinë shqipe nuk ka një mendim fiks se cila është historia e letërsisë shqipe, për në shkolla, jo historia e letërsisë shqipe për akademinë, sepse gjithmonë ka një kontradiktë.

Ku duhet të bazohen kriteret për përzgjedhjen e tyre?

Kriteret gjithmonë bazohen mbi elemente të caktuara. Në rastin konkret librat që shkruhen tani, duhet që të bëhen pjesë e shkollës, por duhet shumë kujdes. Në këtë rast u caktua një tregues formal, sepse u përfshi çdo libër që ka fituar çmim nga Ministria e Kulturës. Jemi në një situatë që nuk del nga përgjegjësia, me të cilën ne kemi bërë që literatura të jetë maksimalisht e përzgjedhur. Kur them maksimalisht do të thotë se, në momente të caktuara ka patur sugjerime me vlerë, por nuk janë shmangur edhe gjëra jonormale në letërsinë e përkthyer dhe në atë për fëmijë. Por çfarë ndodh tani? E drejta e zgjedhjes dhe e sugjerimit janë gjëra të ndryshme, kërkesa e përdorimit të asaj literature duhet që t’i përmbahet kërkesës që kanë për zbatimin e programeve. Bordi duhet që të jetë i shkëputur nga detyrimi institucional, është bord ekspertize. Në fakt ne kemi një situatë të çuditshme, bordet janë thjesht streha ku institucioni mund të zgjidh problemet e veta.

Në këtë situatë filloi me një lloj mbarësie dhe pastaj në procesin e saj ndodhi ajo që gati-gati ne mendojmë se, fajtor është bordi dhe nuk kemi nevojë për bord. Në pjesën tjetër këtë duhet ta zgjedhin ata që bëjnë programin, që janë po ata që zgjedhin edhe tekstin, po ata që do të sugjerojnë literaturën, prandaj problemi vjen duke u mbyllur. Mendoj se duhet hapur mendja, duhet që secili me apo pa tituj duhet të bindet mirë që nuk është literatura kryevepër, por është literatura cilësore e përshtatshme për nxënësit e shkollës parauniversitare. Në këtë rast unë do të thoja se, përzgjedhja është përherë e diskutueshme, sepse përherë futet aspekti utilitar, didaktik, aspekti psikologjik. Pra do të jetë literaturë e përshtatshme, kjo është edhe një pengesë shumë e madhe, është edhe një detyrim, që kur vjen puna për marrëdhënien që kemi në me letërsinë dhe me shkollën nuk mund të ndahet vlera nga nevoja. Nuk mund që të vendosësh të parën nevojën kundër vlerës, apo vlerën kundër nevojës, por ato do t’i marrësh gati-gati të përputhura.

A mund të na veçoni tekste, për të cilat nuk keni qenë dakord që të ishin pjesë e listës?

Ka pasur shumë tekste që nuk kam qenë dakord. Më kujtohet “Zonja me të zeza”, që ishte një tekst i Fahri Balliut. Madje asokohe kam bërë edhe një shaka duke u thënë se, pse nuk fusnin edhe “Enverin Yll” të Ramiz Alizë dhe i bëjmë bashkë.

Politikat arsimore dhe alterteksti

Politika arsimore dhe ajo kulturore, në asnjë rast nuk mund të jetë partiake, apo e një qeverie. Ajo është kombëtare dhe duhet të bëhet e tillë, duhet bërë shumëçka që gjithëpërfshirja të jetë thelbësore, me këtë kuptim edhe letërsia që sugjerohet duhet të ketë në konsideratë gjithë realin e letërsisë shqipe. Nga njëra anë kemi unifikuar abetaren dhe nga ana tjetër vazhdojmë me idenë nëse do të unifikohemi apo jo në pjesë të tjera. Në këtë kuptim përpjekja që bëjnë qeveritë apo partitë, që lexojnë vetëm gabimet është humbje kohe.

Shkolla shqiptare nuk ka kohë që të merret se kush fitoi dhe se kush humbi. Shkolla shqiptare duhet që të dalë nga koma ku të gjithë së bashku e kemi çuar, jo prej literaturës jashtëshkollore, por prej modelit të një shkolle, e cila nuk ka në qendër nxënësin edhe mësuesin, por ka në qendër elemente dytësorë, të cilat në një farë mënyre nuk po krijojnë hapësirë aty. Prandaj duhet që të mendohet, të edukohet, të ketë qytetarë dhe nxënës që vijnë vetëm prej interesit kërkimor dhe shkencor të dijes. Në këtë kuptim do të thoja se larja e hesapeve, që unë do të rregulloj atë që ti bëre keq etj., është çështje politike. Politika duhet që të lërë ekspertët dhe specialistët për të bërë shkollën, për të bërë zgjedhjet e duhura. Unë e quaj jo fort normale, që të flitet në nivelin e Kryeministrit për altertekstet. Alterteksti është një situatë e ekspertëve, ata mund të thonë çfarë të duan për këtë problem. Kjo situatë më kujton kohën kur Berisha fliste për arrët. Specialistët duhet që të bëjnë detyrën dhe të marrin përgjegjësi. Sepse këtu vijon situata që i shkruajmë bukur gjërat, por urdhri rrëzon çdo gjë, rregullin, ligjin, listën dhe kështu me radhë. Shkolla shqiptare në momentin që nuk do të mendohet si pronë e një qeverie, e një klani të caktuar atëherë do të dalë në shansin për t’u ballafaquar me shkollën në botë. Është dëshpërues fakti që niveli i nxënësve tanë është i tmerrshëm në krahasim me atë që ndodh me nivelin e nxënësve diku tjetër. Kjo si pasojë e gjendjes ku është shkolla, dhe shkolla është përgjegjësi që e ka e gjithë klasa politike, intelektuale dhe jopolitike. Për të bërë këtë që ka ndodhur me shkollën shqiptare, që është parë më shumë si një arenë për të debatuar politikisht se çfarë bëmë dhe çfarë nuk bëmë, dhe jo si një arenë e mendimit të lirë.

Nuk ka ku të shkojë më keq, çdo analizë është shumë e vështirë për të dhënë konkluzione. Në këtë moment shkolla nuk është shkollë siç duhet të jetë, mësuesi nuk është mësues siç duhet të jetë. Nxënësi mund të shkojë për çdo gjë në shkollë, por jo për të marrë dije dhe qytetari. Prandaj duhet që ta vëmë gishtin aty ku dhemb, nëse do të vonohemi, mirë që nuk kemi të sotme, por do ta kemi të vështirë për të pasur edhe të nesërme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama