Në ambientet e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë u zhvillua dje mbledhja e parë e shoqatave të kineastëve shqiptarë, që diskutuan dhe morën vendime për Formulën e Krijimit të Këshillave Drejtues të Projekteve (Bordeve).
Pjesëmarrës ishin: kryetari i shoqatëssë "Kineastëve Shqiptarë" Ndriçim Xhepa, kryetari i shoqatës "Lidhja e Kineastëve të Filmit Dokumentar" Esat Ibro, kryetarja e "Kineastëve dhe Producentëve Shqiptarë" Sabina Kodra, kryetari i shoqatës së "Kineastëve të rinj Belmond" Jonid Jorgji, e krijuar rishtas që e çon, jo pak, po në gjashtë numrin e shoqatave në mbrojtje të të drejtave të kineastëve dhe kinemasë!
Kujtim Çashku, kryetari i shoqatës "Lumiere" ishte i pranishëm vetëm në fillim të takimit, por e bojkotoi ende pa filluar atë. Rreth një orë më vonë, mbledhja u bojkotua edhe nga kryetari i shoqatës "Lidhja e Kineastëve dhe Filmit Dokumentar" Esat Ibro që iku pa e fimosur vendimin e Qendrës.
Në fund të mbledhjes u vendos për një Këshill të vetëm që do të shqyrtojë, analizojë dhe do të marrë vendime për financimin e të gjitha projekteve (film me metrazh të gjatë, i shkurtër dhe filmi dokumentar), veç projekteve për Filmin e Animuar. Kjo gjini, për vetë specifikën e saj, do të vazhdojë të funksionojë me një bord të veçantë, me 5 anëtarë që janë propozuar tashmë dhe pritet të miratohen.
Janë Albri Brahusha, Jani Duri, Valter File, Agron Mesi dhe Bujar Kapexhiu.
Nga diskutimet e djeshme u bë e ditur se Këshilli Miratues i Projekteve Artistike do të jetë jo me 7 po me 8 antarë, propozohen 2 nga 4 shoqatat: Shoqata e Kineastëve Shqiptarë (2 anëtarë), Shoqata e Kineastëve Shqiptarë "Lumiere" (2 anëtarë), Shoqata e Kineastëve dhe Producentëve Shqiptarë (2 anëtarë) dhe Shoqata "Lidhja e Kineastëve të Filmit Dokumentar" (2 anëtarë).
Në kërkesën që kryetari i Qendrës Kinematografike, Artan Minarolli i drejton Shoqatave për të paraqitur emrat e kërkuar, thuhet se "anëtari i tetë, do të ndërrohet në mënyrë rotative në çdo mbledhje të KMP".
Bordet e deritanishëm kanë qenë të përbërë me 7 anëtarë (për Filmit Artistik) dhe 5 anëtarë (Filmi i Animuar, Filmit Dokumentar). Vendimi u mbështet nga katër kryetarë shoqatash, dy prej të cilave kishin rol thjesht konsultativ dhe nuk përfaqësonin interesa të caktuara, siç ishin Shoqata e Kineastëve të Rinj "Belmond" dhe shoqata "Krijuesit e Animacionit Shqiptar".
Kryetari i Shoqatës "Lumiere", Kujtim Çashku, bëri me dije Qendrën Kombëtare Kinematografike përfaqësuesit e shoqatave homologe, për disa vendime që Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës "Lumiere" dhe një sërë kërkesash drejtuar QKK, për transparencë dokumentacioni dhe financash.
Në hyrje të rezolutës që Çashku i ka paraqitur QKK thuhet: "Nisur nga vullneti pozitiv për funksionimin e Kinematografisë Shqiptare sipas ligjeve në fuqi dhe standardeve e formulave integruese europiane, SHKLSH vendosi t'i drejtohet QKK-së dhe shoqatave homologe, me kërkesën për një vizion të qartë politikash dhe transparencë dokumentacioni që bën që QKK dhe shoqatat kinematografike të jenë funksionale e të afta për të marrë pjesë në ndërtimin e Bordeve dhe vlerësimin e politikave dhe projekteve kinematografike."
Duke iu referuar dy ligjeve, "Për regjistrimin e Organizatave Jofitimpururëse" si dhe Ligjit "Për Kinematografinë", në rezolutën e "Lumiere"-it thuhet se "depozitimi dhe afishimi publik në QKK i akteve juridike të njohjes nga Gjykata e Rrethit Tiranë e shoqatave kinematografike dhe anëtarësive përkatëse të tyre, është i obligueshëm për të legjitimuar funksionet dhe detyrat që ato marrin përsipër të kryejnë në borde dhe në politika kinematografike.
Aktualisht në faqen zyrtare të QKK-së nuk është i afishuar asnjë dokument juridik, ku të citohet qoftë edhe një vendim gjykate, për asnjë shoqatë edhe pse anëtarë të tyre kanë marrë pjesë në borde duke marrë vendime të rëndësishme për, dhe në projekte të realizuara gjatë këtyre viteve".
Veç dokumenteve juridikë, shoqata "Lumiere" nëpërmjet kësaj rezolute kërkon edhe "afishimin në faqen zyrtare të QKK-së jo vetëm të financimeve vjetore të kryera, por të gjitha financimet e kryera për çdo shtëpi filmike nga viti 1996 e deri më sot".
Gjithashtu, aty theksohet edhe roli i kineastit të sotëm, si "krijues e autor" dhe që mbart vlera. "Nëse QKK nuk merr në konsideratë këtë aspekt kapital të ligjit, atëherë ajo nxit një politikë copëzimi dhe jotransparence brenda vetë shoqatës së kineastëve, duke i çuar në përçarje "të rinjsh" apo "të vjetërish" duke mos marrë në konsideratë aftësitë krijuese të secilit".
Në rezolutë është propozuar edhe një datë mbledhjeje me përfaqësues nga çdo shoqatë e njohur juridikisht "për të reflektuar mbi mënyrën sesi do të funksionojnë më tej marrëdhëniet mes shoqatës së regjisorëve dhe QKK-së". Mbledhja është caktuar të shtunën, më 13 mars, në Kinemanë e Akademisë dhe Multimedias "Marubi".
Ndërkaq, kryetari i QKK ka vënë një afat për prurjen e kandidaturave për bordin. më 12 mars shoqatat duhet të kenë sjellë emrat. Në të kundërt, Minarolli i tha "Shekullit" se bordi do të krijohet qoftë edhe me 5 anëtarë!
Shoqata e re, votë vetëm për të shkurtrin
Shoqata e Kineastëve të rinj "Belmond". Kështu quhet shoqata më e re e kineastëve, pjesëmarrëse në mbledhjen e djeshme të QKK-së me shoqatat tjera. Është e përbërë nga 44 të rinj të sapodiplomuar në degët regji, arte figurative (fotografi), aktrim, skenografi, kompozicion. Shoqata ka për kryetar Jonid Jorgjin.
Themeluesi i saj, Kelmend Koruni pohon se qëllimet e "Belmondit" orientohen në dy drejtime: "Shfrytëzim teknikash me kosto të ulët dhe shfrytëzim energjish dhe idesh të reja". Në mbledhjen e djeshme të QKK-së, u vendos që "në rastet kur KMP do të marrë në shqyrtim filmat artistikë me metrazh të shkurtër, shoqata "Belmond" do të përfaqësohet me 2 anëtarë". Kurse për shqyrtimin e projekteve të filmit artistik me metrazh të gjatë, shoqata nuk ka asnjë zë.
Ndryshimet në ligj, ngrihet grupi teknik i punës
Sekretari i Përgjithshëm për Projektet Besjan Pesha, juristja Alma Kokonozi, drejtoresha e artit Mimoza Sofroni, janë tri përfaqësuesit nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pjesë e grupit të punës që është ngritur për ndryshimet në Ligjin "Për Kinematografinë".
Grupi do të marrë në shqyrtim të gjitha mendimet dhe propozimet që do të vijnë nga kineastët. Qendra Kombëtare e Kinematografisë përfaqësohet nga kryetari Artan Minarolli, zv. kryetari Arben Lami, juristja Shqiponja Dauti.
Pjesë e grupit është edhe drejtoresha e Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Autorit, Nikolina Gjordeni. Shtesat në ligj kanë të bëjnë me njohjen e kushteve dhe zhvillimeve të reja ku është futur kinemaja shqiptare, rishikimin e të drejtave dhe detyrave të producentit, kritere më të forta në licensimin e shtëpive filmime etj.
Jorida Pasku : Shekulli Online