Nga dita e nesërme çdo biznes që nuk paguan detyrimet do të përballet me kamatëvonesat. Ligji Nr.48/2014 që hyn në fuqi me 5 qershor 2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare” rregullon çështjen e kryerjes me vonesë të pagesave te faturave të furnizimit me mallra apo shërbime për Shoqëritë tregtare ose Institucionet Shteterore.
Likuidimi i faturave duhet te kryhet brenda 30 ditëve kalendarike pas datës së marrjes prej debitorit të faturës ose të marrjes së mallrave apo shërbimeve, dhe si rregull i përgjithshëm, për të qenë afat jo më i gjatë se 60 ditë kalendarike. Detyrimi monetar që nuk është shlyer brenda afatit, përbën titull ekzekutiv dhe vihet në ekzekutim nga Përmbarimi Gjyqësor, sipas parashikimeve te nenit 510 të Kodit të Procedurës Civile: Janë tituj ekzekutivë aktet e tjera që sipas ligjeve të veçanta quhen tituj ekzekutivë dhe ngarkohet zyra e përmbarimit për ekzekutimin e tyre.
Ligji i ri parashikon gjithashtu edhe kamatëvonesen ligjore për pagesat e vonuara në masën 8 pikë përqindjeje mbi normën bazë të interesit te Bankës Qendrore. Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për afatet dhe mënyrën e llogaritjes së kamatave ligjore për pagesat e vonuara, në rastet e furnizimit me mallra apo shërbime nga ana e ndërmarrjeve tregtare kundrejt ndërmarrjeve të tjera tregtare dhe autoriteteve publike, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i duhur i tregut të brendshëm, duke nxitur aftësinë konkurruese të ndërmarrjeve tregtare dhe, në veçanti, të ndërmarrjeve të vogla e të mesme.
Ky ligj zbatohet për të gjitha pagesat e kryera si kundërpagesë për veprimet juridike tregtare. Nuk i nënshtrohen rregullimeve të këtij ligji detyrimet apo pagesat: që janë objekt i procedurës së falimentimit të çelur kundër debitorit, përfshirë edhe procedurën me objekt ristrukturimin e borxhit, që rrjedhin nga kontratat me konsumatorët, që lidhen me interesin apo pagesat e tjera të kryera për titujt dhe që lidhen me shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor, përfshirë edhe pagesat e dëmeve nga shoqëritë e sigurimit.