Borxhi publik nje grope qe po perpin shtetin

Borxhi publik, nje grope qe po perpin shtetin
Kjo Shqipëri, ku jetojmë në ditët tona, është një qeveri krejt virtuale dhe më shumë akoma një qeveri nga më antipopulloret në historinë e Shqipërisë, shprehet Prof. Barjaba, njëri prej dekanëve të universiteteteve shqiptare.

Ndërsa varfëria ka arritur pikun, qeveria jonë vazhdon me fshehjet e treguesve reale të saj dhe më shumë akoma premtime pa asnjë bazë. Deri ku mund të shkoj ky cak varfërie në këto kushte dhe cili do jetë impakti i ardhshëm social, sipas jush?


“Më duhet të them që në fillim që vizioni i kësaj qeverie për luftën kundër varfërisë është i gabuar. Përsa u përket treguesve, Qeveria vazhdon të gënjejë veten me të dhënat e vitit 2008 dhe trendin që paraqesin ato, duke pretenduar se niveli i varfërisë vjen në rënie, pas shifrës 12.5 për qind në vitin 2008. Pas këtij viti qeveria nuk ka bërë asnjë vlerësim zyrtar dhe shkencor të varfërisë.  Nën këtë qeverisje pensionistët jetojnë tre deri në pesë herë më keq; 40 për qind e fshatarëve shqiptarë kanë më pak se dy dynym tokë, të pamjaftueshme për tu punësuar dhe arritur minimumin jetik. Raporti i EUROSTAT-it për vitin 2011 provon se për nivelin e të ardhurave për frymë dhe konsumit Shqipëria mbetet e fundit në Evropë. Të dy këta tregues janë tre herë më pak se mesatarja e BE.

Studimi i Bankës Botërore i qershorit 2012 zbulon se niveli i varfërisë, i llogaritur  mbi bazën e fuqisë blerëse është 62.1 për qind. Në këto rrethana, varfëria nuk ka ku të shkojë më. Para disa vitesh flisnim për disa enklava të varfërisë, ndërsa sot varfëria po pushton të gjithë territorin. A e dini ç’më tha kryetari socialist i një komune në Shkodër gjatë një tryeze për Programin? ‘I kam propozuar qeverisë, tha, që gjithë banorët e komunës të përfshihen në programin e Ndihmës Ekonomike’. Ky nivel varfërie ka universalizuar  pakënaqësinë publike. Kambanat kanë kohë që bien, për ata që duan të dëgjojnë”.
 
Remitanca të ulura, borxh i madh publik dhe një mungesë e madhe e likuiditeteve në vend. Si e shikoni pasojën që mund të sjell ky mal i borxhit të brendshëm...

“Sot në botë një në shtatë persona është emigrant,  ndërsa në Shqipëri  një në tre. Ndryshe nga fenomeni në nivel global, në Shqipëri mbizotëron emigrimi i jashtëm në raport me atë të brendshëm. Për çdo një emigrant të brendshëm kemi dy emigrantë të jashtëm.  Në pikun e tyre Shqipëria ishte pritësi më i madh i remitancave për frymë në botë: rreth 300 EURO në vit. Remitancat arritën pikun e tyre në 2007 (rreth një miliardë EURO) dhe vazhduan të bien deri në vitin 2011 (rreth 700 milionë EURO). Për vitin 2012 vihet re një rritje  e lehtë, por kjo vjen për shkak të pasigurisë së emigrantëve nga kriza ne vendet pritëse  sesa nga rritja e të ardhurave të tyre. Të dhënat nga Greqia tregojnë se emigrantët kanë filluar të jetojnë me kursimet e tyre dhe kjo është pika e fillimit të kthimit të emigrantëve. Remitancat, duke qenë një nga burimet kryesore të konsumit, kanë prekur rëndë cilësinë e jetës së popullsisë. 

Ndërkohë, qeveria nuk ka krijuar asnjë paketë stimuluese që të inkurajojë emigrantët e kthyer të investojnë kursimet e tyre. Madje  nëpërmjet praktikave korruptive vetëm sa ka krijuar një mjedis të pasigurt për biznesin, duke i dekurajuar emigrantët t’i investojnë kursimet në Shqipëri. Niveli i borxhit publik, siç ka deklaruar dhe FMN, ka tejkaluar nivelin 60 për qind, çka është niveli i pranueshëm për borxhin që i lejohet Shqipërisë. Ndërkohë qeveria kërkon ta kapërceje këtë nivel, duke i shtrirë këmbët më shumë se ka jorganin. Fqinjët grekë abuzuan me rritjen abuzive të borxhit dhe të gjithë e shohim ku përfunduan. 

Vetëm me pagesën vjetore të shërbimit të borxhit, rreth 600 milionë USD, i cili është marrë për interesa elektorale dhe klienteliste të qeverisë, në vend mund të hapeshin nga 30 deri në 40 mijë vende pune në vit. Ndërkohë, mungesa e likuiditeve në ekonomi është shkaktuar nga qeveria, e cila ka falimentuar dhe nuk  mund të paguaj borxhet që u detyrohet sipërmarrjeve.  Kjo ka vënë në vështirësi serioze biznesin. Kjo qeveri po shndërrohet për biznesin, ashtu si firmat piramidale për qytetarët. Në instancë të fundit, duhet të shqetësohemi jo vetëm se kemi marrë shumë borxhe, por sepse borxhi është investuar në mënyrë jo efikase, duke mos gjeneruar rritje ekonomike dhe punësim. Pra, borxhi është përdorur për t’i bërë makiazh të përkohshëm ekonomisë dhe qeverisjes,  duke mos u investuar aty ku janë nevojat reale të zhvillimit”.
 
Gjendja ekonomike po sjell pasoja të mëdha tek popullsia. Në një raport të mëhershëm të UNICEF-it kemi shifra të frikshme të kequshqyerjes dhe pazhvillimit te fëmijëve. A mund të quhet kjo qeverisje, një nga më të këqijat e historisë së Shqipërisë, sipas jush?

“Studimi të cilit ju i referoheni është një shuplakë për politikat e mbrojtjes sociale në Shqipëri. Studimi zbulon lidhjen e drejtpërdrejt midis varfërisë, kequshqyerjes, keqarsimimit dhe mungesës së aksesit në shërbimin shëndetësor. 77 për qind e fëmijëve të grup moshës 16 deri 18 vjeç nuk frekuenton shkollën;  50 për qind e fëmijëve që vuajnë nga sëmundje kronike u përkasin familjeve të varfra. Por në Shqipëri nuk kemi vetëm fëmijë të kequshqyer, por edhe të uritur. Ky studim provon se programet e mbrojtjes sociale nuk kanë asnjë ndikim në shërbimet themelore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve. Programet e mbrojtjes sociale nuk mbështeten në njohjen shkencore dhe adekuate të varfërisë dhe implikimeve demografike të saj. Për nga qëndrimi që mban ndaj shumicës së popullsisë, duke u fshehur pas parullave populiste, dhe mentaliteti e praktikat grabitqare mund të vlerësohet si një prej qeverive më të dëmshme dhe më antipopullore në historinë e shtetit shqiptar. Është fatkeqësi që në 100 vjetorin e shtetit shqiptar po shkojmë me këtë qeveri”.
 
Ka një “çudi”: INSTAT tkurret të japë vlera më të shpeshta të gjendjes së shqiptarëve; analistët ekonomikë pranë qeverisë heshtin dhe vetë teknicienët e qeverisë mbulojnë demagogjinë e z. Berisha. A mendoni se ky realitet është një papërgjegjshmëri apo më shumë se kaq...

“Ajo që ndodh në Shqipëri me statistikat  është jo vetëm e pamoralshme, por ligjërisht e dënueshme. Shifrat e sakta përbëjnë themelin e ndërtimit të politikave ekonomike dhe sociale. Në vend që të sugjerojnë ndryshime e korrigjime të politikave nëpërmjet ftohtësisë së shifrave realiste, INSTAT dhe agjencitë e përpunimit të të dhënave përpiqen të ilustrojnë konkluzionet haluçinante të Kryeministrit. Pra, këtu nuk kemi të bëjmë me papërgjegjshmëri, por me një qëndrim të vetëdijshëm politik. Këto institucione sillen si institucione propagande, në vend që të ishin institucione të besueshme statistikash për gjendjen e ekonomisë, financave, tregjeve, varfërisë, papunësisë. Greqia arriti në buzë të greminës, pikërisht sepse për vite me radhë qeveritarë dhe institucione të papërgjegjshme mashtruan me treguesit realë të ekonomisë.  Ky është fakti që duhet të lexojnë INSTAT-i dhe qeveria”.  
 
Në një analizë të pak muajve më parë, Juve keni veçuar si pasojë disa elementë që vinë nga varfëria: Papunësia, pensionet, rritja e pjesës së varfër dhe shprehitë. A është një bombë sociale kjo sipas jush...

“Analiza e  kurtheve të varfërisë (papunësisë, pensioneve minimale, kurthi demografik, humbja e shprehive) mbështetet në vizionin se varfëria nuk është thjesht mungesë të ardhurash, por mungesë aksesi. Nga viti 2002 në vitin 2011, sipas shifrave të qeverisë, papunësia është ulur vetëm me rreth 2 për qind, ndërsa varfëria rreth 12 për qind. Gjatë periudhës 2002-2010, ndërsa nga papunësia dolën rreth 30 mijë persona, nga varfëria dolën mbi 400 mijë, pra rreth 13 herë më shumë. Sipas kësaj logjike, nëse në Shqipëri aktualisht kemi, sipas INSTAT-it, rreth 140 mijë të papunë, përkundrejt tyre qëndrojnë, rreth 1.8 milionë të varfër.  Kurthi i pensioneve ka të bëjë me faktin se, për qëllime elektorale qeveria është fiksuar pas rritjes nominale të pensioneve minimale, të cilat përbëjnë rreth 70 për qind të pensioneve. Por fuqia blerëse e pensionistëve është zvogëluar nga tre në pesë herë gjatë tre-katër viteve të fundit.

Nga ana tjetër, qeveria ka bërë shumë pak për përmirësimin e cilësisë së jetës së pensionistëve, nëpërmjet financimeve për shërbime publike.  Kurthi demografik ka të bëjë me ritmet më të larta të rritjes së popullsisë së varfër. Frekuenca e varfërisë në familjet me shumë fëmijë është rreth dy herë më e lartë sesa në familjet me 1-3 fëmijë. Por programi aktual i Ndihmës Ekonomike parashikon që përfitimi për fëmijë është 4-5 herë më i vogël se përfitimi për të rriturit. Varfëria femërore riprodhon varfërinë e shoqërisë më shpejt dhe më shumë sesa varfëria e meshkujve. Por asnjë reformë e programit të Ndihmës Ekonomike nuk e ka adresuar këtë problem. Kurthi i humbjes së shprehive ka të bëjë me papunësinë dhe varfërinë afatgjatë. Gjatë tryezave të Programit Socialist nëpër Shqipëri kam konstatuar se disa mijëra familje qëndrojnë në skemën e Ndihmës Ekonomike për 10-15 vjet.

Ndërkohë që rreth 70 për qind e të papunëve janë të papunë afatgjatë. Programi i vjetruar i Ndihmës Ekonomike nuk mbështetet nga programe plotësuese riintegruese që t’i dërgojnë përfituesit në tregun e punës. Formimi profesional duhej të ishte kaskada e dytë pas daljes nga programi i Ndihmës Ekonomike. Por edhe sistemi i formimit është po aq i vjetëruar dhe rakitik sa Ndihma Ekonomike. Qendrat publike dhe private të formimit formojnë, duhet thënë në profesione që nuk i vlejnë tregut, rreth 6-7 për qind të fuqisë punëtore të papunë në vit. Ndërkohë që vetëm rreth 16 për qind e të formuarve arrijnë të gjejnë një punë. Kjo gjendje është, padyshim, një bombë sociale, shpërthimi i së cilës mund të pasohet nga ngjarje dramatike politike dhe sociale. Prandaj Programi Socialist parashikon një reformim rrënjësor të programeve të mbrojtjes shoqërore, duke pasur si prioritet të prioriteteve hapjen e vendeve të punës”.
 
A mendoni se një qeveri teknike, do të ishte një zgjidhje normale në këtë situatë  që po kalon Shqipëria...

“Tashmë nuk ka më kohë që kjo qeveri të riparojë dëmet e pakthyeshme që i ka bërë vendit. Ajo thjesht duhet të dorëzojë dosjet e paloqeverisjes. Tashmë është e qartë për të gjithë, shqiptarë dhe monitorues  ndërkombëtarë, se dy proceset e fundit zgjedhore kanë qenë të helmatisura.  Megjithatë, fati i zgjedhjeve të ardhshme i ka ikur nga duart kësaj qeverie. “Pranvera arabe” na rikujtoi se askush nuk mund t’i imponohet vullnetit qytetar. Prandaj në 2013 do të triumfojë vullneti popullor per rrotacion.  Zgjedhjet do t’i fitojë populli, pra opozita. Kriza e financave publike edhe në shumë vende të Evropës ka ilustruar nevojën për qeveri të përgjegjshme dhe profesioniste. Programi Socialist, si një program i konsultuar me qytetarët dhe ekspertët, i mbështetur në studime dhe referenca serioze, ofron alternativat, burimet dhe kapacitetet qeverisëse për të garantuar rikthimin e Shqipërisë në binarët e normalitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm”. 

*Prof. Kosta Barjaba është Akademik dhe Kryetar i Komisionit të Programit të PS për Çështjet Sociale

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama