Bota e muzikes dhe fitimet e saj marramendese

Bota e muzikes dhe fitimet e saj marramendese
Tregu diskografik ka ndryshuar. 60-vjeçarët mbushin stadiumet, CD blihen në supermarket dhe çmimet e biletave janë trefishuar. Mirëserdhët në botën e muzikës që duhej të ishte në krizë të thellë ekonomike, por që ka treguar se gëzon shëndet të plotë. Artistët aktualisht fitojnë shumë herë më tepër se më parë

Turi “Monster Ball” i Lady Gaga-s është i jashtëzakonshëm, edhe për nga mënyra se si është konceptuar dhe organizuar. Në qendër të tij është monstra e momentit, Lady Gaga, që po kërkon vazhdimisht të dhurojë spektakël e ndihmuar edhe nga një piano në flakë, veshje të çuditshme dhe një skuadër e madhe kërcimi. Biletat edhe pse kushtonin 100 dollarë, ishin shitur prej kohësh. Mirëserdhët në botën e muzikës, që praktikisht duhej të ishte e zhytur në një krizë të thellë.

Në dhjetë vitet e fundit shitjet e disqeve kanë rënë shumë. Vjedhja e këngëve përmes rrugëve të ndryshme dixhitale dhe fundi i ciklit për blerjen e CD-ve që  zëvendësonin kasetat e vjetra i kanë dhënë një goditje të madhe këtij sektori. Shitja e muzikës online nuk mjafton për të kompensuar humbjet. Në sektorin e iTunes, përdoruesit zakonisht preferojnë të blejnë një këngë të vetme, atë që u pëlqen më shumë, sesa të gjithë albumin. Sot “muzika” kushton më pak se në kohën e CD-ve, por tregu është i bllokuar.

Nga fillimi i vitit, amerikanët kanë blerë në iTunes 814 milionë pjesë dixhitale, gjashtë milionë më pak se vitin e kaluar. Me daljen në treg të Ipadit dhe ofertës prej 250 mijë aplikacionesh, reparti muzikor i iTunes nuk është me një element tërheqës për “Apple”. Megjithatë, biznesi muzikor ka treguar se është në gjendje të mirë.

Koncertet dhe bluzat

Sot ka mundësi të reja fitimi për artistët dhe shtëpitë diskografike. Tregu nuk po vdes, thjesht po ndryshon. Bumi më fitimprurës është ai i muzikës dal vivo. Mes viteve 1999 dhe 2009 në SHBA të ardhurat nga koncertet live janë trefishuar nga 1.5 në 4.6 miliardë dollarë. Por ai që ka mbetur i pandryshueshëm është publiku: janë të njëjtët njerëz, por që paguajnë gjithmonë e më shumë. Në vitin 1996, një biletë për një nga 100 koncertet më të mira të vitit kushtonte mesatarisht 25.81 dollarë.

Nëse çmimet do të rriteshin përkrah inflacionit, vitin e kaluar çmimi mesatar i një bilete duhej të ishte 35.30 dollarë. Përkundrazi, nuk gjeje biletë më poshtë se 62.57 dollarëshit. Çmimi mesatar për një biletë të turit botëror të Madonës në vitin 2009 ishte 114 dollarë, ndërsa për Simon&Garfunkel shkoi në 169 dollarë. Fansat ankohen, por vazhdojnë të blejnë bileta pareshtur, madje edhe bluzat dhe gjithë objektet e tjera të nevojshme për një koncert të përmasave gjigante. “Bravado” është një kompani që prodhon, shet bluza dhe aksesorë. Xhiroja e saj vjetore që nga viti 2007, qëkur u ble nga “Universal Music Grup” thuajse është dyfishuar.

Ka nënshkruar qindra kontrata të reja dhe i ka dhënë një ide të re tregut të botës muzikore. Ripërpunimi i “Exile on main street”, albumit të Rolling Stones të vitit 1972 u shoqërua nga një fushatë që tregoi edhe njëherë se sa e largët është koha kur shiteshin vetëm bluza me emrin e albumit dhe grupit. “Bravado”, për këtë rast prodhoi më shumë se 100 artikujt, nga kapelat e bejzollit te mbajtëset e çelësave apo çantat e shkollës.

Po ashtu, përveç bluzave klasike me kopertinën e albumit stampuar në qendër hodhi në treg edhe një linjë veshjesh shumë të shtrenjtë me stilin e rrobave të veshura nga anëtarët e bandës së “Rolling Stones” në fillim të viteve ‘70-të. Produktet e saj i shpërndau në lloje të ndryshme dyqanesh, nga magazinat e mëdha si “Target” tek ato më të sofistikuara si “Bloomingdale”. Nga ana tjetër, sot muzika është bërë një burim i artë në biznes. “Rolling Stones” janë shumë të zotët për të gjetur sponsor. Sipas një vlerësimi të bërë nga agjencia “IEG” që bën kërkime tregu, këtë vit vlera e sponsorizimeve muzikore në Amerikën e Veriut do të arrijë në 1.74 miliardë dollarë, në rritje në krahasim me 1.38 miliardë në 2006-n.

Rrjeti

Partneri më i mirë i muzikës është televizioni. “Mjafton të ulesh një natë përpara televizorit dhe të shikosh se sa herë dëgjohet një muzikë në sfond”, thotë Jeremy Lascelles, drejtori ekzekutiv, Chrysalis, një firmë shpërndarjeje e lidhur me “EMI”-n. Përveçse nga publiciteti, fitimet televizive për shtëpitë diskografike janë të përfshira në koston e abonimeve të televizioneve me pagesë. Një model i ngjashëm po përhapet edhe në internet. Dhe nëse arrihet të eliminohet shkarkimi ilegal i këngëve, dhe dëgjimi i tyre të bëhet online kjo do të ndikojë shumë pozitivisht te sektori muzikor që mund të sjellë edhe fitime miliona dollarësh.

Megjithatë, pirateria mbetet akoma një plagë të cilës i duhet kohë për t’u mbyllur. Sipas kërkimeve të bëra nga kompani që merren me këtë punë mendohet se 19 këngë nga 20 të tilla shkarkohen ilegalisht nga interneti. Kryesisht, të rinjtë dhe adoleshentët janë ata që merren më shumë me këtë punë, tregojnë sondazhet, sepse ata preferojnë muzikën e bërë prej bashkëmoshatarëve të tyre që tregon për eksperienca dhe emocione më afër tyre. Kështu pra, të rinjtë “vjedhin” në internet artistët e rinj, ndërsa fansat në moshë më të madhe vazhdojnë akoma të blejnë CD. Kina dhe më pas SHBA dhe Hungaria janë vendet që mbajnë rekordin për shitjen e CD muzikore. Pra, në një farë mënyre, tregu muzikor nuk po vdes: thjesht po plaket.

Në vitin 2002, në Britaninë e Madhe ata që blinin albume në 16.6 për qind të rasteve ishin të rinj nga 12 deri në 19 vjeç, ndërsa te 60-vjeçarët kjo përqindje shkonte në 18.8 për qind. Albumi më i shitur në SHBA, nga viti 2000 deri më sot është “1”, një përmbledhje suksesesh të mëdha të “Beatles” në vend të parë në vitet ‘70-të. Edhe në Britaninë e Madhe vitin e kaluar, katër nga dhjetë albumet më të shitura në SHBA ishin të “Beatles”, ndërsa në vend të parë ishte një përmbledhje këngësh të Vera Lynn, një këngëtare që sot është 92 vjeç. Në 2009, disku më i shitur në botë ishte “I dreamed a dream” i skocezes Susan Boyle.

“Plakja” e tregut muzikor britanik është përshpejtuar edhe nga faktorë të tjerë: kjo sepse një pjesë e madhe e CD-ve shiten edhe nëpër supermarkete. Pikërisht këto të fundit frekuentohen shpesh nga personat e moshës së tretë. Por pesha gjithmonë e në rrije e konsumatorëve të moshuar në tregun muzikor shkon përtej CD-ve të blera në dyqane. “Shumë prej artistëve që arrijnë të mbushin stadiumet nëpër koncerte janë të moshuar”, tregon Rob Halet, president i turit ndërkombëtar të “AEG LIVE”. Në vitin e kaluar koncertet me suksesin më të madh në SHBA kanë qenë ata të U2 (mesatarja 49 vjeç), Bruce Springsteen (61 vjeç) apo Elton John (63 vjeç).

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama