Bota e te apasionuarve me IT supertakim ne Tirane

Bota e te apasionuarve me IT, supertakim ne Tirane
Tirana si qendër prodhimi programesh kompjuterike në rajonin tonë është një vizion i dëshiruar nga shumë palë: kompanitë që veprojnë në fushën e teknologjisë së informacionit, të rinjtë dhe ekspertët informaticienë, të cilët të tashmen dhe të ardhmen e tyre e shohin në Shqipëri, si edhe qeveria, e cila prej vitesh dëshmon se po e shtyn shoqërinë dhe jetën shoqërore-ekonomike të vendit drejt dixhitalizimit.

Në kuadër të aktiviteteve të veta në mbështetje të vizionit për Shqipërinë superfuqi rajonale në fushën e prodhimit të programeve kompjuterike dhe vend inovacioni në fushën e teknologjisë së informacionit e më gjerë, AITA do të organizojë në Shqipëri për herë të parë Startup Weekend, me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës. Startup Weekend do të organizohet në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës nga data 20 prill deri më 23 prill, ku do të shpallet edhe projekti fitues.

Startup Weekend

Startup Weekend është një aktivitet 54-orësh që zhvillohet gjatë një fundjave dhe shërben si platformë takimi mes programuesve, dizajnerëve, marketuesve, menaxhereve të produkteve, financierëve, investuesve potencialë dhe entuziastëve të teknologjisë në përgjithësi që mblidhen për të ndarë ide, për të formuar ekipe, për të lançuar produkte dhe kompani të reja.

Avantazhet e pjesëmarrjes në aktivitete të këtij lloji janë të shumëfishta. Akti i krijimit, i cili zhvillohet gjatë fundjavës, ndihmon pjesëmarrësit të mësojnë dhe të mos dëgjojnë vetëm për teori, por të ndërtojnë e testojnë strategji. Rrjeti i pjesëmarrësve, i cili përmban një kombinim ekspertësh, të rinjsh, njerëzish me ide e investuesish potencialë, krijohet gjatë fundjavës dhe ofron mundësinë e shfrytëzimit afatgjatë për të gjetur një vend pune apo investitorë të gatshëm për të mbështetur krijimin e një ndërmarrjeje që mundet të ofrojë një model të mirë. Platforma e ofruar jep mundësi për të mësuar një gjuhë të re programimi, për të fituar aftësi të reja. Ajo shërben edhe si pikë takimi me bashkëthemeluesit potencialë për një ndërmarrje të re dhe me vendimmarrës e personalitete me rëndësi në komunitet, të cilët janë ftuar si mentorë apo anëtarë jurie.

Mbi 45 000 individë me prirje sipërmarrësi kanë marrë pjesë tashmë në aktivitete Startup Weekend kudo në botë, të gjithë me një mision: të ndryshojnë botën. Forbes në 2010, me cilësimin “Emra që ju duhet të dini për vitin 2011” dhe Techcrunch në 2012, duke i bërë një përmbledhje një viti 2011 të mbushur me aktivitete, i kushtuan vëmendje modelit Startup Weekend dhe suksesit që ai ka dëshmuar kudo në botë.

Çfarë ndodh konkretisht në këtë fundjavë?

Të gjithë pjesëmarrësit do të takohen në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës pasditen e datës 20 prill, për t’u njohur më shumë me Startup Weekend dhe prezantuar me njëri-tjetrin.

Të premten do të paraqiten idetë, në hapjen e aktivitetit, nga individët pjesëmarrës, të cilët në pak sekonda kohë duhet të jenë në gjendje të entuziazmojnë publikun për idenë e tyre. Të interesuarit afrohen rreth personave që sjellin ide dhe po kërkojnë për ndihmë në fusha të ndryshme: zhvillim, dizajn, marketing, financa. Grupet krijohen dhe fillojnë nga puna.

Të shtunën, ekipet e krijuara do të forcojnë frymën e grupit dhe duke marrë ndihmë nga mentorët e aktivitetit zhvillojnë prototipe, të cilat duhet të jenë gati deri të shtunën pasdite.

Ndërsa të dielën, ekipet do të përgatiten gradualisht për prezantimin përfundimtar, i cili do të ndodhë para jurisë së përbërë nga sponsorët kryesorë. Juria do të vendosë për idetë e përpunuara dhe të sjella në formën e prototipit para tyre dhe ndajnë çmimet.

Interesi i zgjuar

Rezultatet e arritura me gjetjen e sponsorëve, sigurimin e mbështetjes dhe çmimeve speciale si dhe pranimi nga ana e shumë personaliteteve nga fusha e teknologjisë së informacionit në Shqipëri që të bëhen mentorë të aktivitetit, lë të kuptohet se idesë së modelit “Startup Weekend” i kishte ardhur koha në Shqipëri.

Ndonëse sipërmarrja është një iniciativë private, individuale ose grupi, e cila jo detyrimisht duhet të kalojë përmes një modeli të tillë, eksperienca e mirë mbarëbotërore në aplikimin e këtij modeli premton që zhvillime interesante mund të priten edhe në Shqipëri. Tema si sipërmarrja, inovacioni dhe venture capital sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit dhe nën vizionin e Shqipërisë si superfuqi rajonale në prodhimin e programeve kompjuterike, janë tema të cilat është e nevojshme që jo vetëm të bëjnë pjesë në fjalorin e përditshëm të biznesmenëve, politikanëve, ekspertëve, të rinjve në sektor, por të shtyjnë drejt rezultateve që ta bëjnë Shqipërinë vërtet një qendër zhvilluese idesh dhe talentesh.

Tashmë mbi 70 persona të moshave të ndryshme janë regjistruar me profilet e tyre dhe rreth 15 prej tyre janë shprehur se do të paraqesin ide inovative gjatë fundjavës, një pjesë prej tyre edhe duke e bërë me dije në pak fjalë se çfarë do të paraqesin konkretisht.

Ekipi organizator dhe mbështetësit

Mbështetës kryesorë të projektit janë: Ambasada e Norvegjisë, AITA dhe IKT Norge – Shoqata Norvegjeze e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Universiteti Europian i Tiranës e përkrahu idenë e këtij projekti dhe mundësoi zhvillimin e tij në mjediset e veta, mbështetje me infrastrukturë dhe staf teknik. Gjithashtu, në Shqipëri projekti gjeti një mbështetje të gjerë nga ana e gazetës “Mapo”, e cila do të jetë partneri mediatik i projektit.

Sponsorë të tjerë të rëndësishëm, si Crimson Capital, DM Consulting, USAID Rritje Albania, Pro-TIK, 1Up, Universiteti Epoka PC World Albanian dhe CIO, EasyPay, do të mundësojnë çmime për ekipet dhe individë të talentuar, pjesëmarrës në aktivitet.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama