Në 18 afishe me nga gjashtë fotografi bardhezi secila, ndërtohet një kronikë për sistemin politik dhe armët e tij të pushtetit, për fortifikimin ideologjik që izoloi vendin në kampin komunist, për vlerat që i injektoheshin njeriut qysh në fëmini vlera me të cilat u rrit një brez në Gjermaninë Demokratike, ai që hodhi fishekzjarrë kur erdhi ora e hapjes nga Perëndimi. Wolle është ai që shkruan tekstin e historive që ka kapur kamera e Schmitt-it. Ai dallon dy jetë: jetën e pushtetarëve dhe të njerëzve të zakonshëm.
Fotografia e të parit të vendit, kreut të partisë Uniteti Socialist Gjerman, Erich Honecker gjendet kudo, në fasadat e institucioneve, në takimet me pionierë, në mbledhjet me rininë, po edhe në korridorin e një rezidence pushimesh të sindikatave të RDGJ-së në një ushqimore. Një copë e historisë në RDGJ si në vendet e tjera të kampit, janë paradat. Schmitt-i tregon paradat ushtarake përpara Pallatit të Republikës (1977), parakalime të Organizatës Shtetërore të Rinisë, festime të pionierëve për të treguar pikën më të fortë të RDGJ-së, militarizimin. Wolle sqaron: "I gjithë sistemi arsimor që nga shkolla e deri në universitet, kishte për detyrë t'i stërviste djemtë e rinj për shërbimin ushtarak.
Vajzat trajnoheshin të paktën për shërbim sanitar dhe mbrojtje civile". Këtu shihen edhe fëmijët të hipur në tank, me uniformë ushtarake, e brezaren e fishekëve në mes. Njerëzve iu ushqehej ideja e bashkësisë, e uniformitetit, e të jetuarit njëlloj, e bashkë me të ndjenja e unitetit.
Schmitt nuk merret vetëm me anët që i shohin të gjithë, uniformat në parada e festime, veshjet e grave, mënyra e mobilimit të shtëpive. Ai hyn në maternitete, fotografon foshnja, mbështjellë me të njëjtin tip guverte. Në këtë rast Wolle komenton: "Që nga djepi në arkivol: Kujdesi dhe edukimi në kolektiv, në RDGJ, fillonte sa më shpejt që të ishte e mundur".
Po cilat ishin vlerat me të cilat mbrohej ky sistem, pikat e forta që prisnin dhe shtynin tej rrymat e Perëndimit?
Fotografitë e grave të qeshura që punojnë në sektorin bujqësor, në fabrika, mësuesi, në art, rrezatojnë qetësi dhe ndihen të sigurta. Në njërin nga pasazhet e afishes "Streha e ngrohtë", Stefan Wolle shkruan: "Dikush ëndërron me ëndje të kthehet mbrapa në një parajsë sociale, që nuk ka ekzistuar kurrë".
Historiani duket se përmbledh në këto fjalë gjithë qëllimin e ekspozitës të hapur në kuadër të "Tetorit Gjerman". Ideatorët e saj, fondacioni për Zbardhjen e Historisë së Diktaturës së SED dhe Revista "Stern" duan të japin një kontribut në studimet e sotme historike-politike. Dhe t'u jepet përgjigje pyetjeve: Çfarë ishte RDGJ-ja?
Në vitin 1989, kjo pyetje kishte një përgjigje të saktë. Kurse sot, ka ende njerëz që e shohin me nostalgji atë kohë. Dhe kjo ekspozitë përpiqet t'i japë përgjigje pyetjes: A ekziston një botë ideale në mes të diktaturës?.
Jeta në RDGJ nuk mund të kuptohet pa idetë e rinisë, mënyrën e tyre të jetesës dhe të sjelljet. Ekspozita i trajton edhe këto aspekte. Ka mjete të ndryshme për të mos u pajtuar me udhëheqjen politike, e cila atëbotë ishte e barabartë me udhëheqësin e jetës së cilitdo. Antikonformizmi shfaqej te një mënyrë ndryshe e të krehurit, te një veshje ekstravagante.
Schmitt dhe Wolle kanë përfshirë edhe disa imazhe që "reflektojnë" për raportet e atij sistemi politik me fenë, dhe të fesë në raport me njeriun e asaj periudhe.
Dhe në fund: njerëzit që marrin një vizë për në Perëndim, drejt një jete të re, që megjithëse e panjohur, prapëseprapë ngjall shumë shpresë.
Nuk janë shumë fotot mbi gjysmën tjetër gjermane, Perëndimoren. Autorët kanë sjellë diçka sa për të patur një ide për murin që ndan dy Gjermanitë.
Dy autorët, pa fjalë të tepërta i shkojnë deri në fund kronikës historike, pa pasur qëllim të shokojnë vizitorin. Edhe nëpërmjet një rrëfimi "të butë" të historisë, mund të tregosh se cili ishte thelbi i egër i saj.
Diçitura:
-Fotografia 1. Thelbi dhe mesazhi i ekspozitës ilustrohet me fotografinë e këtij fëmije që ndodhet para bustit të udhëheqësit komunist. Politika dhe jeta e përditshme në RDGJ
-Fotografia 2. Ndërrimi i rojave përpara "Postbllokut të Ri" (Neue Wache), "Përmendores së Viktimave të Fashizmit dhe Militarizmit" në Berlinin Lindor, 1982.
-Fotografia 3. "I mashtruar, i tradhtuar, i edukuar për të urryer". Ky është tatuazhi që kishte bërë një i ri i dënuar me burgim për shkak të një tentative të dështuar për arratisje, 1981.
- Fotografi 4. Sfilatë mode për rroba banjo dhe të brendshme në një hotel në plazhin Binz në detin Baltik, më 1982
Fotografi 5: Erich Honecker i jep një bonbone Helmut Schmitt-it më 13 nëntor 1981, kur po ndahen në stacionin e trenave në Güstrow.
Fotografia 6: Idil veror në periferi të Berlinit Lindor, në vitin 1978. Një foto që tregon çelsin e ideologjisë: në këtë regjim gjithçka është e sigurt.
Fotografia 9: Këta fansa të rinj të bandës rock "Pankow", nuk bëjnë kompromise me shijen demode të pushtetarëve. Fotografia është realizuar në Berlinin Lindor më 1982.