Botet e humbura

Botët e humbura

Jetuan për pesë javë në lagështi, mes milingonave, merimangave helmuese, shushunjave dhe bombave vullkanike. Në rrjetën e tyre përfunduan specie të papara më parë nga syri i njeriut. Megjithatë, sakrificat që bënë duke jetuar si "kafshë", ia vlejtën. Gjatë një ekspedite të bërë në fillim të vitit 2009, në malin Bosavi, krateri vullkanik në Papua Guineja e Re, një ekip kërkuesish i Universitetit të Oksfordit në Britani dhe kameramanësh të BBC-së zbuluan një botë të re, të pa eksploruar më parë dhe specie të papara nga syri i njeriut: një mi të madh sa një mace, bretkosa me ngjyra të ndritshme dhe një peshk që hungërinte. Dukej si një skenë nga "Bota e humbur", romani i Arthur Conan Doyle, ku protagonistët u gjendën në Amerikën e Jugut në një botë parahistorike me kafshë monstruoze. Nga ana tjetër, prej shekujsh zbulimi i botëve të reja ka ngjallur kuriozitet të jashtëzakonshëm. Precedentët nuk mungojnë, duke nisur që nga arkeologjia.

Zvicerani që u hoq si mysliman

I rëndësishëm ishte zbulimi në xhunglën kamboxhiane të tempujve të Angkorit, pothuajse të braktisur plotësisht që nga shekulli i 16-të. Kur i pa pas një udhëtimi aventurier në vitin 1860, francezi Henri Mouhot, e krahasoi madhështinë e tyre me tempullin e Solomonit. Gaboi vetëm për datën, kur tha se ishin ndërtuar në kohën e romakëve, por tregoi se ato ekzistonin diku në botë. Për të zbuluar një tjetër sit të mrekullueshëm arkeologjik, Petrën në Jordani, përveç kurajës, eksploruesi zviceran, Johann Ludwing Burckhardt, duhej të përdorte edhe mashtrimin. Duke studiuar arabisht mori informacion për një qytet antik të fshehur maleve, por i paprekshëm për një perëndimor "tradhtar". Kështu, duke u shtirur si mysliman, i kërkoi një udhërrëfyesi që ta shoqëronte në kodrën Gebel Haroun, për të bërë një sakrificë për nder të një profeti. Përgjatë rrugës duhej të kalonin përmes Petrës, kryeqyteti antik i Nabatei (popullsi nomade) i themeluar në shekullin VI para Krishtit dhe i braktisur në shekullin VIII pas Krishtit. Pas një dite udhëtimi, mbërriti në hyrjen e një kanoni, i gjatë një kilometër e gjysmë, para se të shihte përpara vetes ndërtesat e mrekullueshme shkëmbore. Tregimi i udhëtimit të tij në vitin 1812, revolucionoi arkeologjinë.

Piramidat e varrosura në Iran

Ishte thuajse i rastësishëm, zbulimi i të famshmit Maçu Piçu në Peru, një qytet i rëndësishëm inkas i shekullit XV pas Krishtit. Në vitin 1911, antropologu amerikan, Hiram Bingham, kishte mësuar nga një indigjen për ekzistencën e një qyteze të vendosur mbi një mal përgjatë luginës së lumit Urubamaba. Nën shoqërinë e tij, gjeti disa familje që shfrytëzonin tarracat për të kultivuar tokën. Një fëmijë, Pablito Alvarez, 11 vjeç, në këmbim të ushqimit, i tregoi rrugën deri në këmbët e malit ku gjendej Maçu Piçu. Pavarësisht se bimësia kishte mbuluar pjesën më të madhe të qytezës, mbeti i habitur nga bukuria e atyre gërmadhave, që sot konsiderohen një ndër shtatë mrekullitë e botës. Por, zbulimet e mëdha arkeologjike nuk përfundojnë këtu: më revolucionari i takon pak viteve më parë, kur në shkretëtirën e vendosur mes rrafshnaltës iraniane, pjesë e Afganistanit dhe Turkmenistanit, kanë përfunduar luftëra shekullore. Historianët mendonin se ishte një zonë që nuk ishte banuar kurrë nga asnjë qytetërim. Por pas disa gërmimeve, bashkë me sende të vlefshme, doli edhe një e vërtetë tronditëse: "Qytetet e rajonit të Sistanit zhvillonin tregti me Indinë dhe Mesopotaminë që 3000 dhe 2000 vjet para Krishtit", shpjegon Massimo Vidale, arkeolog i Universitetit të Bolonjës që punon për llogari të Iranit. Pak më në jug të Jirofit, në Iran, u zbulua një piramidë me shkallë gjigante që zinte një sipërfaqe prej 70 mijë metrash katrorë: ndërtesa më e madhe religjioze e së shkuarës pas piramidave egjiptiane.

Të zhytur në një lavatriçe gjigante

Por përveç "Indiana Jons"-ve të arkeologjisë, të shumtë në numër dhe aktivë janë ata të zoologjisë, në gjurmët e Charles Darwin. Në vitin 1835, biologu i famshëm shkoi në Galapagos, një ambient që mbahej i izoluar nga kontinenti amerikan, ku ishin zhvilluar bimë dhe kafshë shumë të veçanta. Duke u mbështetur edhe te këto vëzhgime, formuloi më pas teorinë e evolucionit: d.m.th që përballë ndryshimeve të ambientit mbijetonin speciet që përshtateshin më mirë me të. Pikërisht specie të reja (një lakuriq, një shushunjë dhe një karkalec) u gjetën vitin e shkuar nga një ekspeditë e BBC në një nga vendet më të virgjëra të planetit: "White Water Cave" në Mageni në "East new britanin", një ishull në Papua Guineja e Re. Një pus i thellë 80 metra, në fund plot me ujë, që dilte nga muret, formonte një shtjellë të frikshme shkume dhe rrëkesh që shërbenin si shtëpi për këto gjallesa. Por jo vetëm vende të tilla janë të mbushura me surpriza. Këtë vit, për herë të parë, u arrit të shkohej në malin Mabu në Mozambik. Zona u gjet me "Google earth" nga kërkues vendas në bashkëpunim me "Royal Botanic Gardens" në Britani. E rrethuar nga rrugë të shkatërruara nga lufta civile e viteve ‘80, maja e malit nuk ishte shkelur kurrë nga perëndimorët dhe shumë rrallë edhe nga mozambikasit. Rreth 70 vetë, mes të cilëve udhëheqës lokalë, drejtuan 28 shkencëtarë: emocioni ishte shumë i madh kur grupi arriti majën në një lartësi prej 1700 metrash, pikërisht në kohën kur mijëra flutura meshkuj kishin lënë "takim" atje lart me femrat për t‘u çiftëzuar.

Krokodilë në pritje

Eksplorimet e David Livingstone lejuan gjetjen e burimeve të lumit Nil dhe Rios së Amazonës. Në vitin 2007, tre eksplorues nga Zelanda e Re, pasi kaluan rreth 5 shtete afrikane, për 80 ditë përshkruan 6700 kilometrat e Nilit me gomone mes krokodilëve, sulmeve të rebelëve të armatosur dhe vdekjes së një anëtari të ekspeditës në një aksident. Burimet nuk gjendeshin, ashtu siç mendohej, në një zonë rreth liqenit Viktoria mes Kongos dhe Ruandës, por në thellësinë e pyllit ruandez të Nyungwe. Po ashtu burimi i lumit Rio i Amazonës, gjendej në Perunë Jugore dhe Veriore ashtu siç mendohej. Me një gjatësi prej 6800 kilometrash Rio i Amazonës është konsideruar si lumi më i gjatë në botë. E gjitha kjo është meritë e eksploratorit Jacek Palkiewicz i "Royal Geographical Society" të Londrës që e përshkroi lumin herë me anije dhe herë këmbë. Por, përveç sipërfaqeve tokësore, miniera e vërtetë e surprizave janë fundet e oqeaneve, shumë herë më pak të eksploruar në krahasim me Hënën.

Liqeni i izoluar mijëra vjet

Jeta në të vërtetë shpërthen edhe në ambientet më të ashpra: si për shembull nga fundi liqeneve dhe lumenjve të varrosur poshtë 3-4 mijë metrave akull në Antarktidë. Një shembull konkret është lumi Vostok, i zbuluar në vitin 1996 me radarë dhe ende i pa eksploruar për shkak të rrezikut të kontaminimit të një ambienti të izoluar prej një milion vjetësh. Edhe në këto zona ekstreme janë gjetur gjurmë jete: mikroorganizma, që shkencëtarët nuk përjashtojnë mundësinë t‘i gjejnë edhe në planetë të tjerë, në dukje jo mikpritës për gjallesat. Për më tepër, pavarësisht shpyllëzimit dhe zgjerimit të qyteteve, Toka është ende e pasur me vende të pazbuluara. Kështu sipas një kërkimi të BE dhe Bankës Botërore rreth 30 për qind e planetit është e paarritshme nga njerëzit dhe çdo vit zbulohen 18 mijë specie të reja.

 



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama