Botimet e reja te javes - 31-03-2008

Botimet e reja te javes - 31-03-2008
Lexime psikologjike & sociologjike

Titulli: Sociologjia

Autori: Steve Bruce

Çmimi: 600 lekë

Duke u mbështetur në qëmtimet mbi klasën shoqërore, krimin dhe shmangien në shoqëri, punën në sistemet burokratike dhe ndryshimet në gjirin e organizatave politike dhe fetare, kjo hyrje e shkurtër në Sociologji synon të nxjerrë në dritë tensionin mes rolit të individit në shoqëri dhe rolit të shoqërisë në formimin e individit, duke pasqyruar kësisoj vlerën e sociologjisë si një perspektivë për të kuptuarit e botës moderne.

Titulli: Frojd

Autori: Anthony Storr

Përktheu: Erion Kristo

Çmimi: 600 lekë

Zigmund Frojdi revolucionarizoi mënyrën me të cilën ne mendojmë për vetveten. Nga fillesat e saj si një teori e neurozës, Frojdi e ktheu psikoanalizën në një psikologji të përgjithshme, e cila u pranua gjerësisht si mënyra mbizotëruese në diskutimin e personalitetit dhe marrëdhënieve ndërpersonale. Anthony Storr shkon më tej dhe hulumton statusin e trashëgimisë frojdiane sot dhe diskutimet rreth saj.

Wole Soyinka, botim ekskluziv në Poeteka

Është hedhur në qarkullim numri i 11 i revistës së poezisë dhe kulturës poetike, "Poeteka". Ekskluzive e këtij numri të "Poetekës" është botimi i "Ti do të hysh me mua në parajsë" i fitueses së çmimit “Nobel” për letërsi, Wole Soyinka. Një hapësirë i është lënë edhe "Who is who", me të cilën Soyinka fitoi "Nobel"-in më 1986-n, fjalës në banketin e Nobelit dhe ligjëratës atje,etj. Me ilustrimet nga Henry Moore (1898-1986), nga ciklet "Gjumi" dhe "Familja", pjesë e këtij numri janë përkthimet e Silvana Lekës, Ardian-Christian Kyçykut, Arian Kallços, Feride Paplekës, Erion Kristos, Flurans Ilias, Jehona & Mustafa Spahiut. "Poeteka" ka si synim të përcjellë krijimtarinë poetike shqiptare dhe atë botërore - traditën - të pranishmen dhe poezinë që po lind përmes botimit të përtremuajshëm, katër herë në vit. Revista bën gjithashtu edhe paraqitjen e poetëve pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar "POETEKA", që zhvillohet në muajin prill të çdo viti në Durrës. Ajo botohet në version shumëgjuhësh: shqip për autorët e huaj dhe në gjuhë të huaj (anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, spanjisht, greqisht etj.) për autorët shqiptarë.

Letërsi italiane

Titulli: Shtegtimi i unazës

Autori: Karmine Abate

Përkthyes: Dritan Çela

Roman

Çmimi: 600 lekë

Ishte një rastësi e papërfytyrueshme. Ndërsa refugjatët shqiptarë zbarkonin në Itali, Karmine Abate një pasardhës i atij populli, po publikonte ndërmjet shtëpisë botuese gjenoveze "Marietti", një roman të jashtëzakonshëm, ku tregon dramën dhe historinë e shqiptarëve të Kalabrisë. Në romanin e tij autori na bën pjesëmarrës të traditave, të dokeve dhe zakoneve të njerëzve të tij, shqiptarëve të Italisë, që qysh para ardhjes të refugjatëve të rinj, arrin numrin dyqind mijë, të vendosur në shtatë krahina të Italisë jugore.

Titulli: Mes dy detesh

Autori: Karmine Abate

Përkthyes: Shpëtim Çuçka

Roman

Çmimi: 600 lekë

Ëndrra e Xhorxho Belushit është të ndërtojë Bujtinën e Fikut në një cep të humbur të Kalabrisë, në të cilën ishte ndalur Aleksandër Dumas. Pas Luftës së Dytë Botërore, në Kalabri mbërrin Hans Heumann, një i ri fotograf gjerman, i ardhur në Jug, në kërkim të dritës, peizazheve që ushqenin artin e tij. Do të jetë pikërisht Xhorxho Belushi që do të shoqërojë atë gjatë eksplorimit dhe zbulimit. Marrëdhënia e tyre do t'i rezistojë largësisë, kohës dhe fatit, derisa vajza e Xhorxhos do të martohet me djalin e Hansit dhe nga martesa e tyre do të lindë Floriani, djaloshi i ndarë në dy botë, në dy kultura, i cili do të jetë i pari që do të tregojë historinë e gjyshit Xhorxho, sekretin e tij.

Titulli: Heshtje shurdhuese

Autori: Romito, Patricia

Përkthyes: Oriana Tamburi

Roman

Çmimi: 500 lekë

Libri, i shkruar me një stil direkt dhe të qartë, bën një analizë teorike origjinale dhe jep njohuri të sakta mbi dhunën ndaj grave si dhe strategjitë e këtij fenomeni. Pra, përbën një instrument të rëndësishëm për cilindo që kërkon të kuptojë këto mekanizma dhe kërkon të ndërhyjë në mënyrë efikase për t'i kundërshtuar.

Mbrojtja e iso-polifonisë

popullore, fillon projekti

Fillon zbatimi i projektit “Për ruajtjen dhe mbrojtjen e iso-polifonisë popullore shqiptare”. I iniciuar nga Këshilli i Muzikës Shqiptare, anëtar i IMC/UNESCO me mbështetjen e Zyrës së Unescos në Venecie, përmes financimit të Grantit të Qeverisë së Japonisë, ky projekt përbëhet nga katër miniprojekte. Si hap i parë, në qytetin e Përmetit, në datën 31 mars bëhet prezantimi i “Ngritjes së Odave të iso-polifonisë shqiptare në qytetet e Përmetit, Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës”, me qëllim që të nxitet transmetimi i iso-polifonisë tek brezat më të rinj. Në këtë aktivitet, do të prezantohet ngritja e Odave të iso-polifonisë, qëllimi i tyre, si dhe objektivat që priten të arrihen përmes transmetimit të iso-polifonisë tek fëmijët. Në të marrin pjesë mjeshtrit e Odave nga të gjitha qytetet ku këto Oda do të ngrihen, fëmijë dhe prindër, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Odat drejtohen nga menaxherë të njohur për vlerat e tyre intelektuale në këtë fushë si: kompozitori Josif Minga, Korçë; Niko Mihali, President i Seksionit Shqiptar të CIOFF-it,Përmet; Stefan Arseni, menaxher dhe intelektual i shquar i trashëgimisë kulturore, Gjirokastër; dhe Sejmen Gjokoli, kryetar i grupeve dhe shoqatave të iso-polifonisë, Vlorë. Po gjatë vitit 2008, do të organizohet edhe një “Seminar trajnues për ekspertët kombëtarë për dixhitalizimin, arkivimin dhe menaxhimin e arkivave dixhitale të trashëgimisë shpirtërore”. Në kuadrin e këtij projekti, do të organizohet një kurs intensiv trajnimi me punonjësit e kulturës dhe specialistët e trashëgimisë shpirtërore për dixhitalizimin dhe menaxhimin e arkivave, duke përfshirë ato dixhitale. Në vijim, në vitin 2009 do të vazhdohet me “krijimin e një regjistri, bazës elektronike të të dhënave si dhe një katalogu të printuar të debutuesve të shquar të iso-polifonisë shqiptare”. Ky aktivitet përfshin inventarizimin dhe dokumentimin e debutuesve të aftë të iso-polifonisë (individë dhe grupe), përvoja dhe kontributi i të cilave janë të një rëndësie të madhe për ruajtjen, mbrojtjen dhe popullarizimin e mëtejshëm të iso-polifonisë. Në përfundim të projektit do të përpilohen dhe publikohet edhe gazeta “ISO-polifonia”, në pesë numra, duke përfshirë edhe nga një CD me muzikë iso-polifonike. Gazeta do të nxitë ndërgjegjësimin në lidhje me instrumentet e tashme ligjore (të brendshme dhe ndërkombëtare), si dhe masat e tjera në lidhje me mbrojtjen e iso-polifonisë. Projekti do të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me organet e pushtetit vendor, qendrat kulturore të fëmijëve, drejtoritë arsimore, si dhe me institucionet kombëtare të trashëgimisë kulturore shpirtërore.

Titulli: Trokthi i kalit

Autori: Natasha Bega

Poezi & skica

Shtëpia botuese: Globus R.

Çmimi: 400 lekë

Natasha Bega

"Trokthi i kalit" dhe njohja njerëzore

Jetësia, ndjesia e të qenit është frymë. Nga fryma lind dashuria... E tillë vjen poezia e Natasha Begës në trokthin e shenjëzave gati hyjnore, fluide e të brishta në prekje gati flurore. Nuk mund të jetë i "thatë" realiteti në komunikim shpirtrash. Ndaj dhe "Trokthi i kalit" është më së shumti udhëtim në botë, jo thjesht kohë si segment i njohur. Por ëndje, prekje, eter.

"Këtë libër ia kushtoj Mbretëreshës Suzanë", pohon autorja në krye të botimit të vëllimit të saj me poezi dhe skica, ndërsa shton se me të është takuar vetëm dy herë sa për gjithë jetën. "Këmbyem gjithë ç'kishim në zemër dhe rezonuam në frymë e në shpirt si dy qenie që shohin e ndjesojnë njësoj për botën e njerëzit. Që të dyja ishim kthyer nga Bota e Madhe në Shqipëri për të ndarë me Të të mirën dhe të keqen. Ç'na mungonte e kishim brenda vetes e më lart". Fllad i epërm njohjeje njerëzore, rezonancë ngrohtësie. Pikërisht këto janë ato që e bëjnë poete Begën e skicojnë forma artistike, se sa një kërkim thellësish mendore. Detajësore në spontanitet dhe refleksive në përjetime, poezia dhe filozofia e vargut të saj lidhet me njohjen. Të jesh në kohë pa limite udhëtimesh, fluturake në gëzime burimore. Këtu qëndron çelësi i të diturit. Ai i të dhënit, i krijimit, të marrëdhënieve e dashurive që fillon me vetëdijesimin.

Shkas për "ngjizjen" e këtij vëllimi poetik, apo kumbar i tij është një skicë kali e bërë në studion e piktores Natasha Bega nga Mbretëresha Suzanë në korrik 2004. Tanimë kjo skicë vjen e shumëfishuar në marrëdhënie, mesazh e forma. Skicat shoqërojnë në pjesën më të madhe poezitë, të cilat gjithashtu nga ana e tyre janë skica vargësore për nga forma apo piktura poetike.

B. Goce

Natasha Bega, piktore dhe poete ka lindur në Tiranë, ku ka kryer dhe studimet e larta për gjuhë të huaj dhe psikologji. Është autore e shumë librave, si dhe e ekspozitave personale brenda dhe jashtë vendit.

Botime:

Lirika-poezi, 1989

Gjerdani i artë-roman, 1994

Kur të mos duhemi më-poezi, 1996

Intuitë-poezi, 2002

Heshtja e murit-poezi, 2003

Gabimi-poezi, 2004

Një jetë tjetër-roman, 2004

Atë e bir-poezi grafike, 2005

Njeriu ka një vete dhe është përgjegjës për të

Njeriu ka një familje

Dhe është përgjegjës për të

Njeriu ka marrëdhënie me të tjerët

Dhe është përgjegjës për to

Njeriu ka një atdhe

Dhe është përgjegjës për të

Ne kemi Shqipërinë

Dhe duhet ta duam atë

Vetëm kështu

Mund të jemi të lumtur e

Të rëndësishëm

historikisht

embël

më ndriçon

e më thërret

në njohje

të prek

e bëhem prehje

në përkitje

më beson

e bëhesh vete

në ikje

s'të le

të vdesësh

asnjëherë

se nuk ka

vdekje

tani

jam

këtu

me ty

në dritë errësirë

me

zemër e shpirt

e pacenuar

nga dhembja

e lëndimi

që godet

në pabesi

e lutem

për njeriun

që s'njeh veten

se nuk di

sh sh sh sh t!

ju lutem

mbani qetësi

është koha

e prekjes

së shpirtrave

foshnja lindi

dhe kërkon të dijë

LUTJE
 
Nga Gazeta Metropol

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama