Autori: Fatjona Ndreu
Poezi
Çmmi: 250 lekë
"Antiteza e jetës", vëllimi i parë poetik i studentes Fatjona Ndreu, është hedhur në qarkullim për lexuesit. 52 poezi, në 66 faqe të librit, pohojnë e mohojnë, qajnë e qeshin. Ndreu me to gëzohet e hidhërohet, mallkon e urren ligësitë njerëzore në demokracinë e brishtë, beson e shpreson, apelon për t'u mbrojtur rruga e historisë. Në tre kapitujt: Dedikuar ty, Ngatërresë stinësh, Pa plumb të vranë, theksi vihet tek jeta e dashuria njerëzore. Në hyrje të botimit, redaktori Bardhok Pulaj shkruan: "...është futur në rrugën e poezisë jo si një modë adoleshence, por me ambicien e shpalljes së kredos së saj poetike e njerëzore. Është një vëllim që duhet përshëndetur me shpresën e lindjes së një poeteje të re...".
N. Ligori
Pano Taçi
Klasiku i gjallë i poezisë lirike
“Prit e prit” është libri më i ri i Pano Taçit, i 14-ti me poezi i këtij autori, cilësuar si “klasiku i gjallë i poezisë lirike shqiptare”. Pano Taçi mund të konsiderohet poet i mirëfilltë i dashurisë që shpërfaqet si e tillë në të gjitha regjistrat; Pano e përdor poezinë si frymëmarrje, si mënyrë të jetuari. Ai është shembulli më i shkëlqyer i njeriut që, përkundër travajave të jetës dhe viteve të gjata të burgut në regjimin totalitar, edhe pse u privua nga liria, kurrë nuk e privoi veten nga poezia, të cilën e ruajti si vlerë të qenësishme, për ta shpërfaqur pas viteve ’90.
Pano Taçi ka lindur më 13 tetor të vitit 1928 në qytetin e Gjirokastrës. Ka filluar të shkruajë që në moshë të re. Arrestohet dhe vuan 24 vjet burg politik. Pas viteve '90, Taçi ka botuar një mori librash poetike dhe është përkthyer në gjuhë të huaja.
Vlerësime
Dritëro Agolli: “Pano Taçi është poet origjinal, poet që vetëm ai mund të jetë i tillë. Në pemët e kopshtit të poezisë, Pano Taçi ka pemën e tij të veçantë, që nuk ngatërrohet me pemët e tjera. A ka gjë më të mirë se kjo?”
Xhevahir Spahiu: “Gjendje dhe gjetje të mirëfillta poetike; shumë pikëllim dhe pak shpresë; hove të fundme dashurore në pleqëri të thellë. Ja, ç’na kumton me një thjeshtësi prekëse poeti ‘endacak’ Pano Taçi, të cilit si burgu, si pasburgu, ia mpakën, por s’ia mplakën dot shpirtin rebel dhe ndjeshmërinë thuaj serembiane. Humbellat e dhembjeve dhe ritmi i valëve të jetës së trazuar të pikin në zemër dhe të bëjnë të mendosh se njeriu nuk është një ishull i vetmuar: fati i tij është pjesë e fatit të të gjithëve. Fjalë drithëruese, pagëzim gazavaji. Fjalë njeriu për njeriun. Mbi e nën dhê”.
Isuf Luzaj: “Pak herë në jetë më ka bezdisur loti; si për fëmijën tim, miq, shokë, dashamirë, atdhe dhe popullin tim, siç më dogji faqet e rrudhura dhe më kripi buzët memece, libri poetik i Pano Taçit. Të paskëshe lindur italian, emri yt do të udhëtonte nëpër shekuj me Silvio Pellicon dhe Giacomo Leopardin; austriak me Rilken; anglez me Miltonin; spanjoll me Calderonin; argjentinas me Borges; kilian me Nerudën; francez me Hygo, La Martin, Musset; amerikan me Frostin. Jam i sigurt se figura jote do të udhëtonte kohët nëpër enciklopeditë euroamerikane”.
Luljeta Lleshanaku: “Pano Taçi lëvron një poezi të qartë, komunikuese dhe të gjallë. Mik dhe vazhdues i Lasgush Poradecit, përpiqet të ruajë timbrin e ëmbël, ritmin e qartë si pikat e shiut në çatitë e orëve të vona në shkurt. Megjithatë, poezia e tij s’është kurrë krejt e qetë, ajo është fërkim dy gjendjesh, dy rrymash, të cilat shkojnë në drejtime të kundërta të një barke të madhe, me dallgët që shkojnë në drejtim tjetër, dy resh me ngarkesa të kundërta, një rrufe e thatë që shpon qiellin si nepërka e etur në gusht.
Duke lexuar poezinë e Pano Taçit kemi shfletuar dramën e njeriut të ndershëm, ku të gjitha fletët janë të përthyera në skaj, si cepa të kujtesës, ku të gjitha fletët janë dëshmitare, janë të domosdoshme si brinjë të kafazit ku u përmbyll për aq kohë ai”.
Vath Koreshi: “Është vështirë ta ndash Pano Taçin njeri nga Pano Taçi poet. Domethënë gjithë ndërtimin e tij fiziko-shpirtëror, heshtjen e tij, ngrysjen e vetullave si për të fshehur xixëllimën e syve, një brengë të tijën, të kushediseçfarët e të përhershme që gjendet prapa heshtjes, por edhe para romuzit, shakasë së beftë dhe natyrës së tij prej bohemi.
Pra, nuk mund ta ndash këtë Pano nga poezia e tij, që është po ashtu shpirtvrarë e dhemshëtare, kryeneçe e shpotitëse, ironike deri në sarkazëm, e butë dhe njerëzore, si një bashkëbisedim me të tjerët ose si një monolog me vetveten. Një libër i Pano Taçit është një bashkëbisedim i shkujdesur me të, një rrëfim me zemër në dorë për shtegtimet e shpirtit të tij”.
Sadik Bejko: “Pano Taçi mbi shtatëdhjetë vjeç është një mrekulli si poezi dhe si fenomen. Ai, mbas sa e sa vitesh të burgut dhe të internimit, ruan vitalitetin e shijes së jetës, ruan të gjallë një vijimësi nga poezia e Lasgushit dhe e Ali Asllanit. Për elegancën dhe pastërtinë e formave, të gjuhës, ai me të vërtetë është quajtur klasiku i gjallë i letërsisë shqipe.
Hokatar dhe tragjik njëherësh, ai nën pamjen e një plaku ashik e qejfli, mik i tavolinave e i rrugëve, përherë buzagaz, sjell një përvojë të madhe e të thellë të njeriut që u ka kaluar vuajtjeve mespërmes”.
Nehat Sopaj: “Vazhdues i drejtpërdrejtë i poezisë së L. Poradecit, Pano Taçi është mjeshtër i gjuhës shqipe. Në gjithë poezinë e tij, ai është klasiku i vetëm i gjallë”.
Visar Zhiti: "Nëse do të shkoni në kafe ‘Evropa’, në cilëndo ditë, të paraditeve dhe në prag të mbrëmjeve, do të shihni në një nga tavolinat jashtë një burrë të vetmuar, në moshë të thyer tashmë, me borsalinë, teksa pi një gotë birrë apo kafe e, ndërkaq, se ç'shkruan i përqendruar dhe pandërprerë në ca fletë të vogla e të bardha si leshrat e tij, ta dini, është poeti Pano Taçi..."
Nga Gazeta Metropol