Botimet e reja te javes 07-04-2008

Botimet e reja te javes 07-04-2008
Botimet e reja te javes
 
Romani i parë i një politikani

Titulli: Të jetosh në ishull

Autori: Ben Blushi

Roman

Shtëpia botuese: Toena

Çmimi: 1000 lekë

Prej pak ditësh është hedhur në qarkullim romani i parë i autorit Ben Blushi, i njohur si politikan, ish-ministër dhe zëvendësministër në disa dikastere në vitet e fundit, si dhe një gazetar i njohur në fillimet e tij. Një politikan që i kthehet letërsisë, ndërkohë që gjatë këtyre 18 vjetëve shoqëria shqiptare ka njohur fenomenin që një pjesë jo e vogël shkrimtarësh e poetësh, njerëz të letrave, në përgjithësi lanë penën dhe iu përkushtuan politikës.

Autori e ka marrë temën nga Historia e Shqipërisë e shekujve XV-XVIII, por duke e trajtuar artistikisht e duke sjellë një informacion me frymë analitike nga një pikëvështrim i ri dhe tërësisht sipas gjykimit të tij të ngjarjeve të mëdha të shoqërisë shqiptare të kësaj periudhe. Por pavarësisht nga linjat e personazhet e shumta që gërshetohen në libër, tema themelore e romanit do të mbetet procesi i gjatë shoqëror i islamizimit të shqiptarëve nga të krishterë në myslimanë, debatet për të cilën vazhdojnë të jenë në qendër të polemikave edhe në ditët tona dhe i kanë ndarë studiuesit, historianët, analistët, etj. në kampe me pikëpamje të ndryshme.

Romani befasues i Ben Blushit

“Të jetosh në ishull” është romani befasues i Ben Blushit, i cili vjen në letërsi nga politika dhe pas një përvoje të gjatë në median e shkruar. Duke e marrë temën nga një periudhë jo fort e njohur e historisë së Shqipërisë, fabula shtrihet në gati katër shekuj, duke sjellë në letërsinë shqipe personazhe të njohura, ngjarje e data që të çudisin për erudicionin e autorit, njohjen deri në imtësi të epokës ku zhvillohen ngjarjet dhe të zakoneve, traditave, organizimit të jetës së përditshme, e në mënyrë të veçantë, të riteve e normave fetare që rrjedhin nga Librat e Shenjtë. Një Skënderbe ndryshe nga ç’e njohim, mosmarrëveshjet e tij me princin Arianit Komneni dhe historia e familjes Komneni e parë në disa breza, Ali Pashai i Tepelenës dhe qeverisja ekzotike e Janinës, konfliktet e tij me çamët e krishterë, lulëzimi dhe shkatërrimi i Voskopojës i përshkruar për herë të parë në letërsinë shqipe, luftërat e shqiptarëve deri në Kretë kundër Turqisë, si dhe bëmat e Sabatai Zevit, çifutit më të famshëm të Perandorisë Osmane që vdiq në Berat, janë vetëm disa prej kulmeve që të mbajnë mbërthyer pas leximit për të ndjekur zhvillimet e mëtejshme dhe përfundimin e ngjarjeve.

Por linja më dominuese në roman që do të ngjallë padyshim, debate e diskutime të shumta mbetet procesi i gjatë dhe i ngatërruar i islamizimit të shqiptarëve të pas pushtimit nga Turqia. Ishte paqësor apo i dhunshëm ky transformim, u krye me dëshirën e vetë shqiptarëve apo u detyruan nga masat shtrënguese të pushtuesve?! Si bashkëjetoi një familje shqiptare e ndarë në dy fe në Shqipërinë e shekullit XVIII? Lexoni romanin e Ben Blushit “Të jetosh në ishull”, me një gjuhë, stil e rrëfim magjepsës. Një roman që përpiqet të tregojë se si shoqëria shqiptare e përsosi instrumentin e bashkëjetesës fetare për t’i mbijetuar asimilimit dhe rrebesheve të kohës.

Fatmir Toçi

E ardhmja e lirisë sipas Zakarias

Titulli: E ardhmja e lirisë: Demokracia joliberale brenda dhe jashtë vendit

Autori: Fareed Zakaria

Përktheu: Diana Çuli

Çmimi: 800 lekë

Botimi: Instituti i Dialogut dhe Komunikimit

Fareed Zakaria është botues i revistës “Newsweek”. Po ashtu analist politik i televizionit ABC News. Shkruan rregullisht në New York Times, Wall Street Journal, New Yorker dhe New Republic. Për tetë vjet, duke nisur nga viti 1992, ishte drejtor i revistës prestigjioze “Foreign Affairs”. Autor i disa librave të përkthyer në mjaft gjuhë, ndër të cilat mund të përmendet “Nga pasuria tek fuqia: origjina e pazakontë e rolit botëror të SHBA-së”. Libri “E ardhmja e lirisë” është përkthyer në 18 gjuhë.

Pjesë nga hyrja

Epoka demokratike

Ne jetojmë në një epokë demokratike. Gjatë shekullit të kaluar bota u modelua nga një prirje e cila mbizotëroi mbi gjithë të tjerat – nga zhvillimi i demokracisë. Në 1900-n, as edhe në një vend të vetëm nuk ekzistonte ajo çka sot ne e quajmë demokraci: një qeveri të dalë nga zgjedhjet, në të cilat çdo qytetar i rritur mund të votojë. Sot të tilla janë 119 shtete, që përbëjnë 62 % të të gjitha vendeve të botës. Ajo që dikur ishte një praktikë e veçuar e një grushti shtetesh në Atlantikun e Veriut, tashmë është një formë standarde e qeverisjes së njerëzimit. Monarkitë janë vjetruar, fashizmi dhe komunizmi tërësisht të diskredituar. Madje, edhe teokracia islamike s’tërheq veçse pak fanatikë. Për një pjesë të madhe të botës, demokracia është burimi i vetëm mbijetues i legjitimitetit politik. Dhe diktatorë të tillë si Hysen Mubaraku i Egjiptit apo si Robert Mugabeja i Zimbabves bëjnë çmos e bëjnë shpenzime të mëdha për të organizuar zgjedhje në nivel kombëtar, të cilat, pa dyshim, ata i fitojnë pa ndonjë problem. Kur dhe vetë armiqtë e demokracisë përdorin retorikën e demokracisë dhe ia imitojnë ritualet, kjo do të thotë se ajo e ka fituar betejën. Ne jetojmë në një kohë demokratike edhe në një kuptim më të gjerë. Fjala “demokraci” vjen nga greqishtja dhe do të thotë “sundim i popullit”. Gjithandej ne jemi dëshmitarë të zhvendosjes së pushtetit për poshtë. Unë e quaj këtë “demokratizim“, ndonëse kjo shkon përtej politikës, sepse procesi është i ngjashëm: hierarkitë po prishen, sistemet dikur të mbyllura tashmë po hapen dhe presioni i masave është bërë tani motori parësor i ndryshimeve shoqërore. Demokracia është shndërruar nga një formë qeverisjeje në një mënyrë jetese.

Le të shqyrtojmë botën ekonomike. Ajo çka është vërtet e re dhe e veçantë në kapitalizmin e sotëm nuk është fakti se ai është global apo i pasur me informacion, apo teknologji të lartë – gjë që ka qenë e vërtetë edhe më parë në histori – por sepse ai është demokratik. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit që kaloi zhvillimi ekonomik në botën industriale ka pasuruar me miliona njerëz, duke e shndërruar konsumin, kursimet dhe investimin në një dukuri masive. Kjo i ka detyruar strukturat shoqërore t’i përshtaten kësaj situate. Për pasojë, pushteti ekonomik, i cili për shekuj me radhë mbahej nga grupe të vogla biznesmenësh, bankierësh dhe burokratësh, është zhvendosur për poshtë. Sot, pjesa më e madhe e kompanive – më e saktë, pjesa më e madhe e vendeve – s’merakosen më për një grusht njerëzish që janë të pasur, por për shumicën që i përket klasës së mesme. Dhe me të drejtë, kapitalet e grupit më të madh investues tashmë s’janë asgjë përpara fondit për pensionet e punëtorëve.

Edhe kultura është demokratizuar. Ajo që dikur quhej “kulturë e lartë” vazhdon të lulëzojë pa dyshim, por si një produkt për të moshuarit, pa qenë më në qendër të jetës kulturore të shoqërisë, e cila tani përcaktohet dhe mbizotërohet nga muzika popullore, filmat e bujshëm dhe transmetimet televizive. Këto të tria përbëjnë normën kulturore të epokës moderne, tërësinë e referencave kulturore me të cilat gjithkush në shoqëri është i familjarizuar. Ky revolucion demokratik që ka përshkuar shoqërinë ka ndryshuar dhe vetë konceptin tonë për kulturën. Më parë, çelësi i famës, le të themi të një këngëtareje, varej nga kush e pëlqente. Sot çelësi i famës është se sa shumë njerëz e pëlqejnë. Dhe, sipas këtij kuti matjeje, Madona do t’ia kalojë gjithnjë Jessye Norman. Sasia është kthyer në cilësi.

Çfarë e ka shkaktuar këtë ndryshim dramatik? Si në të gjitha dukuritë shoqërore masive, janë të shumta ato forca që ndihmuan për të sjellë këtë valë demokratike: revolucioni teknologjik, rritja e mirëqenies së klasës së mesme, rënia e sistemeve dhe ideologjive alternative për organizimin e shoqërinë. Këtyre shkaqeve të mëdha sistematike le t’u shtojmë edhe një tjetër: Amerikën. Rritja dhe dominimi i Amerikës – një vend me politikë dhe kulturë thellësisht demokratike – bëri që demokratizimi të duket i pashmangshëm. Cilatdo qofshin arsyet, vala demokratizuese po i jep efektet e parashikuara në të gjitha fushat. Ajo po rrëzon hierarkira, po fuqizon individët dhe po i transformon shoqëritë në një mënyrë që shkon përtej politikës. Në të vërtetë, ajo çka më shumë shquhet në botën ku jetojmë, është pasojë e idesë demokratike

Shpesh, gjatë viteve të zhurmshme `90 mund të lexoje se teknologjia dhe informacioni ishin demokratizuar. Kjo është një dukuri relativisht e re. Më parë, teknologjia ndihmonte për të përforcuar centralizimin dhe hierarkinë. Për shembull, revolucioni i fundit i madh i informacionit gjatë viteve `20, ku përfshihet radioja, televizioni, kinematografia, megafonat – pati një efekt përqendrues. Kjo iudha personave apo grupeve që kishin akses në këtë teknologji, mundësinë për të ndikuar mbi pjesën tjetër të shoqërisë. Ja përse në shekullin e njëzetë hapi i parë që bëhej gjatë një grushti shteti a revolucioni ishte gjithnjë marrja nën kontroll e stacionit të radios apo të televizionit. Por sot, revolucioni informativ ka prodhuar aq mijëra kanale që japin lajme, saqë kontrolli qendror është bërë i pamundur, ndërsa disensi i lehtë. Interneti e ka shtyrë përpara procesin me një tjetër hap të stërmadh, duke u shndërruar në një sistem, ku, sipas fjalëve të gazetarit Thomas Friedman, “të gjithë janë të lidhur me njëri-tjetrin, por asnjeri s’kontrollon dot“.

Demokratizimi i teknologjisë dhe i informacionit nënkupton se pothuajse kushdo mund të fusë hundët kudo. Njësoj si me armët e shkatërrimit në masë. Tashmë e dimë se Osama bin Laden në vitet `90, po punonte për një program serioz armësh biologjike. Por ajo çka të habit më shumë është se informacioni shkencor dhe manualet e gjetura në bazat e Al Kaedës në Kabul, nuk ishin sekrete të rrëmbyera nga laboratorët qeveritarë. Ishin thjesht dokumente të shkarkuara nga interneti. Nëse sot ju dëshironi të gjeni informacion për antraksin, receta helmesh ose metoda për prodhim armësh kimike, nuk ju nevojitet gjë tjetër përveç një programi të mirë kërkimor. Këto burime të hapura, për fat të keq, kanë për të ndihmuar shpejt ndokënd të ndërtojë një bombë atomike. Komponentët për këtë gjenden më lehtë se kurrë më parë. Në përgjithësi, ajo çfarë ju nevojiten janë njohuritë, të cilat janë përhapur gjerësisht gjatë dekadës së fundit. Madje, dhe energjia bërthamore nuk është më një privilegj i të paktëve. Tashmë, në fund të fundit, ajo është një know-how pesëdhjetëvjeçare, pra bën pjesë në apo atë botë ku bënte pjesë radioja me valë të mesme dhe e televizionit bardh e zi. Le ta quajmë këtë demokratizim të dhunës.

Kjo s’është thjesht një frazë e bukur. Demokratizimi i dhunës është një nga karakteristikat themelore – dhe të tmerrshme – të botës së sotme. Për shekuj me radhë shteti kishte monopolin e përdorimit legjitim të forcës mbi shoqëritë njerëzore. Kjo pabarazi e fuqisë mes shtetit dhe qytetarëve krijoi rendin dhe shërbeu për të ngjizur qytetërimin modern. Por në dekadat e fundit përparësia e shtetit është dobësuar; tani grupe të vogla njerëzish mund të ndërmarrin veprime të frikshme. Dhe ndërkohë që terrorizmi është goditja më serioze ndaj autoritetit të shtetit, qeveritë vihen në vështirësi edhe nga faktorë të tjerë. Tregjet e kapitalit, biznesi privat, qeverisjet vendore, organizatat joqeveritare – të gjitha këtyre u është rritur pushteti, duke zbehur kështu autoritetin e shtetit. Dëshmi e kësaj dobësie janë emigracioni i paligjshëm, droga, paratë, armët e përhapura lart e poshtë nëpër botë. Kjo shpërndarje e pushtetit ka për të vazhduar, sepse nxitet nga ndryshimet e mëdha teknologjike, shoqërore dhe ekonomike. Por pas 11 shtatorit, shteti u rikthye me forcë dhe legjitimitet të përtëritur. Por kjo s’ka për zgjatur shumë. Epoka e terrorit do të karakterizohet kështu nga tensioni mes forcave që nxisin demokratizimin e autoritetit nga njëra anë dhe të shtetit nga ana tjetër.

Të diskutosh për këto probleme nuk do të thotë se demokracia është diçka e keqe. Në thelb, ajo ka sjellë pasoja të mrekullueshme. Kush nga ne do të dëshironte të kthehej mbrapsht në një periudhë me më pak mundësi për të zgjedhur dhe me më pak fuqi e autonomi individuale? Por, siç ndodh me çdo ndryshim të madh, edhe demokracia ka anët e saj të errëta. Ne akoma flasim rrallë për to. Po e bëre këtë, menjëherë vjen kritika se “s’je i sinkronizuar me kohën”. Për kjo do të thotë se në të vërtetë ne as që marrim më mundimin të kuptojmë këtë kohë. Gojëmbyllur nga frika se mos damkosemi si “antidemokratikë“, ne s’kemi më mundësi të kuptojmë se ç’mund të jetë shqetësuese në këtë demokratizim gjithmonë në rritje të jetës sonë. Ne e marrim si të mirëqenë se demokracia nuk sjell, ndaj dhe shohim sëmundjet sociale, politike dhe ekonomike, ia hedhim fajin herë këtij e herë atij, duke iu shmangur problemit e përgjigjeve, pa zënë kurrsesi në gojë transformimin e madh që po ndodh në jetën tonë politike, ekonomike dhe shoqërore.

Komente për librin:

“E ardhmja e lirisë” është një ndër librat më të rëndësishëm të botuar gjatë dekadës së fundit për prirjet e politikës globale. Me analizat e tij realiste Zakaria na sjell një sërë mësimesh me rëndësi jetike për të gjithë ne që na shqetëson e ardhmja e lirisë në botë.

Samuel Huntington

Fareed Zakaria, një ndër autorët më të shkëlqyer të brezit të ri, ka krijuar një libër magjepsës, që të bën të mendosh për mënyrën se si ndikojnë parimet kushtetuese të Perëndimit në rendin global.

Henry Kissinger

Në këtë libër të mprehtë, Fareed Zakaria shtron një sërë pyetjesh të cilave iu jep përgjigje provokuese. Një libër që sjell një kontribut impresionues e na ndihmon të kuptojmë se cilat janë rreziqet që e kërcënojnë demokracinë.

Arthur M. Schlesinger

Një libër që të bën të shohësh botën ndryshe. Njëkohësisht, një libër që e lexon me ëndje, gjë tepër e rrallë kjo në librat që parashtrojnë teori të mëdha për politikën e jashtme. Është një libër me një origjinalitet dhe thellësi të jashtëzakonshme.

Washington Post

Nga Gazeta Metropol

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama