Botimet e reja te javes 09-06-2008

Botimet e reja te javes 09-06-2008
Titulli: Frashëri në historinë e Shqipërisë

Autori: Alfred Frashëri, Neki Frashëri

Botimet: Dudaj

Çmimi: 500 lekë

Një libër enciklopedi

Vëllezërit Alfred dhe Neki Frashëri kanë hartuar e botuar "Frashëri në historinë e Shqipërisë", që nga shumëllojshmëria e problemeve të trajtuara mund të quhet edhe "enciklopedi".

Në 255 faqe, nëpërmjet 147 fotografive, duke shfrytëzuar 115 burime arkivore, ata kanë shkruar me hollësi për Frashërin dhe njerëzit e tij.

"Nga Frashëri kanë dalë tre kolosët e Rilindjes Kombëtare: Abdyl, Naim e Sami Frashëri, dhjetë politikanë, deputetë, një kryeministër i Perandorisë Osmane, ministra e kryeministra në Shqipëri e vende të tjera, pesë pashallarë, trembëdhjetë profesorë, nga të cilët njëmbëdhjetë vetëm këto 40 vjetët e fundit, 25 doktorë shkencash si dhe shumë juristë, mjekë, inxhinierë, agronomë, veterinerë, mësues, oficerë, artistë dhe sportistë të dëgjuar", vëren në hyrjen e këtij botimi autori.

Libri "Frashëri në historinë e Shqipërisë" është pjesë reale e me peshë e historisë së Shqipërisë, një libër tavoline, me të cilin mund të bashkëbisedojë kushdo.

N.Ligori

Të "flijosh" vetveten

Titulli: “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”

Autori: Petrit Palushi

Roman

Shtëpia botuese “Ombra GVG”

Çmimi: 500 lekë

Shkrimtari Petrit Palushi del para lexuesit me romanin e tij të tretë “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”, një roman me një titull mjaft intrigues dhe një rrëfim krejt i zhdërvjellët. Qysh me romanin e parë, “Përroi i Andrrës” (2004), shkrimtari Petrit Palushi u paraqit me një profil mjaft të veçantë, qoftë në pikëpamje të teknikave të rrëfimit, qoftë në anën e trajtimit të gjuhës.

Petrit Palushi është autori edhe i dy romaneve të tjera, që kanë pasur jehonë: “Përroi i Andrrës” dhe “Tri motra në një qytet”, si dhe autori i librave me ese dhe kritikë letrare “Shkrimtari dhe anatema”, “Misteri i rrëfimit” etj. Romani “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” merret me një fakt tronditës dhe jashtëzakonisht thelbësor në jetën njerëzore: merret me vdekjen si dukuri apo edhe më tragjike se kaq, merret me vdekjen e një fëmije (Egzonit). Prandaj vjen natyrshëm përqendrimi më i madh në meditime dhe përsiatje psikologjike dhe autori ia ka dalë të futet artistikisht në lëkurën e protagonistit kryesor, Bardhit, e të hulumtojë shpirtin e këtij njeriu të vuajtur, i cili, duke mos gjetur zgjidhje tjetër të mundshme për shkak të tragjedisë që e ka goditur, hap një varr për veten që të shpëtojë fëmijët e tjerë. Një ide e tillë e romanit rrëfehet me aq shpirt dhe gjallëri. Ky roman të jep shumë gjëra, të hap shumë shtigje për të kuptuar misterin njerëzor, psikologjinë dhe mendësinë e tij. Gërshetimi i botëkuptimit mistik me atë jetësor, ose bartja e ndjenjës mistike drejt asaj ekzistenciale zbulon ndjenjën e vërtetë prindërore, altruiste e njerëzore. Ta parandalosh të keqen fatale duke flijuar vetveten, kjo është më tepër se ndjenjë, më tepër se botëkuptim, është një kod gati i pashoq. Vepra shoqërohet me pasthënien e studiuesit të letërsisë dhe gjuhësisë Agim Morina (Londër), i cili e sheh romanin e Petrit Palushit si “një trajtim artistik të një besëtytnie të lashtë”. Sipas studiuesit Morina, veprimi i personazhit duket si një veprim i shtyrë prej një besimi kohërash të stërlashta, si i dalë prej tempujsh pellazgë, një mit i ikur prej bibliotekash të Babilonisë apo pergamenash egjiptianë për t’i bërë ballë turrit të vdekjes. Në këtë formë, romani jep rivalitetin midis jetës dhe vdekjes. Studiuesi Morina vëren gjithashtu te romani “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” stilin e përpunuar, teknikën moderne të rrëfimit, gjuhën e kultivuar në shprehjen më të lartë. Palushi rifut përdorimin e paskajores në gjuhën e tij rrëfimore brenda rrethanash që ai i sheh të mundshme. "Romani përveç eksperimenteve syzheike ka edhe risi gjuhësore, dhe kjo pa dyshim ia shton vlerën këtij teksti. Këto risi të guximshme gjuhësore vijnë si nevojë e brendshme e rrëfyesit, por gjithsesi janë edhe ndikim nga proza popullore... Më shumë sesa mohues rregullash të vendosuna më 1972, Palushi në librin e fundit del si reformator i këtyne vendimeve, si propozues mundësish të reja. Kjo asht’ nji frymë e re, e guximshme dhe e domosdoshme, që duhet me ndodhë sot e tutje ndër shkrimtarë të shqipes dhe Palushi asht’ prej krijuesve të rrallë të gjeneratës së tij që paralajmëron hullinë e re në hulumtimin e këtyne burimeve të reja shprehëse të shqipes", përfundon Morina.

Titulli: “Mungesë në ballo”

Autori: Sabahet Peposhi

Proza

Shtëpia botuese “Ombra GVG”

Çmimi: 300 lekë

Sabahete Peposhi u lind në Kukës më 20 qershor 1986. Në vitin 1998, në konkursin letrar të nxënësve të shkollave tetëvjeçare të Kukësit fitoi vendin e parë. Në moshën 13-vjeçare ka botuar përmbledhjen poetike "Në qetësinë e qiellit". Qysh prej asaj kohe ka botuar cikle me poezi dhe prozë në organe të ndryshme letrare (Tiranë, Prishtinë, Shkup); është përfshirë gjithashtu me dhjetë proza në përmbledhjen "Para pasqyrës" (2004) si dhe me esenë "Karvani i yjeve të përlotur" në përmbledhjen "Fjala në litar" (Shkrime për Hevzi Nelën), 2005.

Nga : Gazeta Metropol

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama