Sot është dita e Saadiut. Poeti i njohur klasik pers me famë botërore është i njohur edhe në Shqipëri jo thjesht për shkak të veprës së tij poetike e letrare. Saadi Shirazi, padyshim që është poeti më i madh dhe më i respektuar në Iran pas Firdeusit. Saadiu lindi në qytetin e Shirazit, në qendrën e rajonit të Farsit, në jug të Iranit në shekullin e 12-të(1184 – 1283). Mësimet e para në shkencë dhe letërsi i mori në vendlindje, në Shiraz, dhe më pas do të fillonte periudha e gjatë e udhëtimeve duke shkuar në fillim në Bagdad. Atje Saadiu studioi në shkollën Nezamije. Pasi studioi për disa vjet në Bagdad, Saadiu filloi udhëtimet e tij të gjata. Pas kthimit nga udhëtimet, Saadiu shkruan librin "Bostani" dhe një vit më vonë librin "Gjylistani". Ajo që spikat më tepër në shkrimet e Saadiut janë këshillat e tij të urta drejtuar mbretërve të botë,s saqë asnjë kolos tjetër i letërsisë dhe poezisë nuk ka këshilluar kaq shumë mbretërit, sundimtarët, vezirët dhe drejtuesit për detyrën që ata kishin, dhe ndaj popullit duhej të tregoheshin të mëshirshëm.
Udhëtimet e shumta nëpër botë e shndërruan Saadiun në një mendimtar dhe poet global, pasi ai mendonte për botën në tërësi dhe nuk mjaftohej ose të përkufizohej vetëm me Iranin. Vepra e Saadiut është botuar në Shqipëri nën titullin “Gjylistani dhe Bostani” e me përkthimin mjeshtëror të të famshmit orientalist shqiptar Vexhi Buharaja.
Në gusht të vitit 2005, mjeshtri i shquar iranian Muhamed Sirfijani, që njihet ndryshe edhe si mjeshtri i endjes së qilimave dhe sixhadeve, ka endur një qilim të bukur me sipërfaqe 25 m2 dhe në mes të tij me germa të arta ka shkruar thënien e njohur të tij “Bijtë e Adamit janë prej njëri-tjetrit / Të gjithë kemi një origjinë”. Ky qilim ndodhet në një prej ambienteve të OKB në Nju-Jork.
Një prej fondacioneve që veprojnë në Shqipëri ka marrë emrin e tij. Fondacioni kulturor “Saadi Shirazi” zhvillon aktivitetet e tij kulturore shkencore për të ruajtur dhe respektuar jo vetëm emrin e një prej personaliteteve më të shquara botërore të kulturës dhe poezisë perse dhe iraniane, por edhe si një dritare e botës kulturore orientale.
Tituj të kolanës perse në gjuhën shqipe, "Saadi Shirazi"
1995: "Vexhi Buharaja, njeriu, poeti, dijetari"; 1996: "Ëndërrimet" – Naim Frashëri;
"Trëndafilë, impresione persiane"; 1997: "Fluturime mbi qilimin persian";
1998: "Panteoni iranian dhe iranologët shqiptarë"; 2001: "Shahnameja” -Ferdusiu;
2002: "Rumiu, mbrëmë i pëshpërita një ylli";
2004: "Bota iraniane në veprën e Sami Frashërit", "Kometa të poezisë persiane", "Hafiz Shirazi, poezi";
2005: "Ëndërrimet"(në dy gjuhë)- Naim Frashëri, "Qerbelaja";
2007: "Gjylistani dhe Bostani"-Saadi Shirazi;
“Masnavi Ma’navi” - Mevlana Xhelaledin Rumi;
“Divani i Shamsi Tabrizit” - Mevlana Xhelaledin Rumi;
“Antologjia e poezisë persiane”.
Me periodiken “Perla"
Ka dalë nga shtypi numri 4 i revistës periodike kulturore shkencore “Perla”. Botim i “Saadi Shirazi” në Tiranë, revista drejtohet nga studiuesi Reza Karami, ndërsa kryeredaktor i saj është Prof. Dr. Shaban Sinani.
Numri më i ri i revistës i kushtohet Vitit Ndërkombëtar të Rumiut, shpallur kështu nga UNESKO-ja, në kuadër të 800-vjetorit të lindjes së poetit dhe filozofit të madh pers. Ky numër ka rreth 200 faqe dhe i kushtohet posaçërisht artikujve dhe kumtesave të mbajtura në sesionin shkencor “Rumiu në Ballkan”, zhvilluar në Tiranë më 17 dhjetor 2007, nga fondacioni kulturor “Saadi Shirazi”. Akademikë, studiues, kulturologë nga Shqipëria e Ballkani, Irani, si Jorgo Bulo, Shaban Sinani, Reza Karami, Costandinos Kokossis, Ali Aliu, Dhori Qiriazi, Shahrouz Falahatpisheh, Feti Mehdiu, Alfred Uçi, Gazmend Shpuza, Besa Vila, Albana Veliaj, Xhevahir Spahiu, Anton Papleka, Monika Stafa ndriçojnë aspekte të krijimtarisë së Rumiut dhe jehonës së veprës së tij në literaturën shqiptare e më gjerë.
Revista mbyllet me një homazh për ndarjen nga jeta të studiuesit Prof. Lefter Nasi.
N. Lirëza
Titulli: Dine Hoxha, një filozof popullor në oborrin mbretëror
Autori: Halil Rama, Shaqir Skarra
Referime historike, burime arkivore, poezi
Botimet: Emal
Çmimi: 500 lekë
Në 70-vjetorin e vdekjes, monografi për “Sokratin e Dibrës”
Aty ku Murra derdhet në Drinin e Zi, në një kodër dominuese, ku ngado që të hedhësh vështrimin nëntë malet e Dibrës rrinë për karshi, lëshon rreze një kullë. Kjo kullë-kështjellë është simbol i këtyre anëve, për të kujtuar një nga njerëzit më popullorë, më të dashur, më të zgjuar, Dine Hoxh. Tregohet një gojëdhënë në kohën kur Dine Hoxha po ndërtonte kullën në Muhurr...
Megjithëse kanë kaluar vite që atëherë, kur flitet për Dine Hoxhën, për fjalët monumentale që ka lënë, mjaft njerëzve u duket si gojëdhënë, mes realitetit e legjendës, në fakt çdo gjë është më se e vërtetë. Dine Hoxha është lindur dhe rritur në këtë kullë, ku ende hedh vështrimin nga nëntë malet e Dibrës. Ka luajtur dhe është vrarë me guralecët e Drinit të Zi, është grisur dhe gjakosur në këto shkrepa të lartë, është futur në odat dibrane fare i ri, për t`u bërë më vonë profesor i "Universitetit të Dibrës". Por Dine Hoxha nuk ishte vetëm i pasur. Ai ishte dhe i zgjuar dhe bujar, trim dhe besëtar. Ai ishte dhe mbeti, pa dyshim, më i dituri ndër të diturit, më i pasuri ndër të pasurit, më bujari ndër bujarët. Dine Hoxha, edhe pse pa shkollë, ishte këshilltari besnik i Ahmet Zogut, ishte diplomat, ambasadori shëtitës i vetë mbretit. Zgjuarsinë e tij, dhuratë nga natyra, e vinte në shërbim të kombit, ku u jepte këshilla me vlerë figurave më të spikatura në fusha të ndryshme.
Urtinë e përdorte jo vetëm në odat e Dibrës, por dhe jashtë saj, aty ku duheshin ulur gjakrat dhe pajtimi duhej bërë sa më parë... Sot, në metropolin shqiptar, pikërisht aty ku fillon Rruga e Kavajës, një ndërtesë vërtet e bukur, qoftë nga arkitektura e kohës, qoftë nga madhështia e veprës, zbukuron edhe Tiranën. Kjo është xhamia që ndërtoi ato vite Dine Hoxha me shpenzimet e veta, duke e bërë dhuratë për popullin e Tiranës... Edhe pse është bërë një ristrukturim në vitin 1996, ajo përsëri mban atë konstruksion që e ndërtoi Dine Hoxha. Sot, në murin e saj nuk ndodhet qoftë dhe një pllakat i vetëm që të përkujtojë këtë emër të madh të Dibrës... Falë humanizmit të tij, “Sokrati” i Dibrës, siç e cilësonte shtypi i kohës, do të financonte Internatin e Kastriotit, nga ku dolën breza të tërë kuadrosh, si dhe shkollat e Muhurrit e Luznisë.
Nga Gazeta Metropol