Autori: Nasho Jorgaqi
Tregime dhe proza të shkurtra
Shtëpia botuese: Lindita AE
Çmimi: 300 lekë
IMAZHE TË QELQËTA DASHURIE
Muharrem Xhaxho
Kur lexon vëllimin me tregime dhe proza të shkurtra “Netët e bardha të dashurisë”, të shkrimtarit të njohur dhe studiuesit Nasho Jorgaqi, vëren se ato përshkohen nga lirizmi dhe imazhi i dashurisë. Në këtë vëllim, ai vjen me zërin rrëfyes të një prozatori lirik me përvojë dhe një prej penave serioze të kësaj gjinie.
Vëllimi është një përmbledhje ndryshe edhe për sa i përket njësisë tematike. Fillon, vazhdon dhe përfundon me temën e dashurisë, një praktikë krijuese që e takon rrallë ndër botimet tona letrare.
Në vëllim ka një ndjesi emocionale që buron prej llojit dhe larmisë së pasqyrimit të esencës dashurore në kontekste të ndryshme marrëdhëniesh njerëzore, ku secila prej tyre, ka veçanësi. Në të gjithë rrafshin tematik të narracionit, proza është e prirur nga ndjesia e hollë dhe e prekshme, lirike, si kapilarë që ushqejnë transparencën. Si e tillë, proza është e ngjashmja e poezisë. Pra, Nasho Jorgaqi është magjistar i dashurisë.
Prozatori ka rrëfyer shumë për dashurinë. Një libër që mund ta shfletosh e ta lexosh me ëndje. Ka treguar artistikisht anatominë apo ka zbuluar fshehtësinë e saj. Dashuria në prozë vjen si shfaqje, përjetim apo trishtim. Shkrimtari e zotëron mjeshtërinë e pikasjes dhe zbulimit të një dashurie të prekshme, ndjeshmëria vjen si një valëzim e dallgëzim ndjenjash. Të gjitha tregimet mbajnë shenjën e dashurisë. Dashuria është bosht i tematikës ndjenjësore të vëllimit. E gjithë lënda është e gatuar prej saj. Dashuria jepet si ndjesi e ndjesive apo kryendjenja. Ajo e bën më të mirë njeriun, e urtëson, e bën të përkushtuar në jetë, i fuqizon rendimentin mendor e fizik. Njeriu tregohet më i kujdesshëm në marrëdhëniet me të tjerët, më i afrueshëm, më human. Ajo është një gjenerator ndjenjësor i padukshëm, sikur prodhon rrymë të pandërprerë, e cila kthehet në diçka shpirtërore. Përmes dashurisë njeriu bëhet më i dhimbshëm, më vital. Dashuria sikur vë para njeriut një kontratë me disa kushte.
Disa prej tregimeve vijnë si kujtime të së shkuarës. Ka një raport afërsie midis së shkuarës dhe së tashmes, e cila është hapësirë kohore që i ndan apo veçon nocionin e kohës së tashme ku imponuese është referenca e një kohe të shkuar. Shpesh ajo i kthehet së tashmes e ngarkuar me nostalgji, i afrohet apo i referohet kësaj. E shkuara nuk mënjanohet prej kujtesës, shpesh njeriu rrëfen se çfarë i ka ndodhur, pra si një kohë e regjistruar, e konsoliduar dhe e përfunduar.
Pra, e gjithë proza, si e gjata dhe e shkurtra, kanë si kryetemë dashurinë, të cilën e gjen të pasqyruar në një larmi të pafund gjendjesh emocionale. Tematika e tregimeve është një rendje drejt më të rëndësishmes dhe më të kushtueshmes, më të çmuarës në jetën e njeriut.
Tipari i prozës së N. Jorgaqit është rrëfimi solid. Të rrëfesh ndodhi, ngjarje të zakonshme apo të bujshme, lirike apo dramatike, pra ngjarje që marrin shumë peshë tek lexuesi, kërkon mjeshtëri. Arti i të rrëfyerit është një kapje e beftë që të jep mundësi të ndikosh fort përmes personazhit. Në tregimet e tij vjen më kompakt zëri i rrëfyesit kryesor që është narratori, ndërsa zërat e tjerë, të fokusuar, ndjehen më të mëvetësuar. Si zëri autorial dhe zërat ndryshe, janë të harmonizuar. Personazhit i jepet mundësia të kumtojë atë që ka ndjerë në rrethana të caktuara, ai funksionon si zë i rëndësishëm. Tregimi nuk është i ngarkuar me lëndë të tepërt. Kjo vihet re edhe në hapësirën e shtrirjes, janë kondensuar hollësitë si tepri jofunksionale, e cila ka sjellë ngjeshjen e rrëfimit.
Këtë do ta ilustroj me njërin prej tregimeve më të mira, siç është “Nostalgjia”. Personazhi i tregimit është burri që shkelte për herë të parë në atë galeri arti ku, duke soditur pikturat e ekspozitës, i mbeten sytë në një tablo ku ishte fiksuar një çift, djalë e vajzë qëndronin përballë njëri-tjetrit. E tërheq kjo tablo lirike, sikur ndjen lehtas ndjesinë e një drithërimi të hershëm. Në këtë prozë nuk rrëfehet, por ndjehet ajo që mungon dhe vjen në kujtesë si nëntekst. Pra, ndalesa dhe funksionimi në të tashmen për shikuesin e tablosë, është një kthim në të shkuarën, tabloja është një kujtesë për të dikurshmen e moshës rinore. Tablosë nuk mund t’i gjendej një diçiturë prej shikuesit, sepse askush nuk mund të rrëfejë saktësisht se ç’po ndodh me dy të rinjtë që janë përballë njëri-tjetrit. Befas, sa nuk ndeshet me një grua që po sodiste të njëjtën tablo.
Përsëritja e bën më interesante vlerën estetike të tablosë dhe përkimin emocional. Pas disa ditësh, burri u kthye dhe për çudi e gjeti përsëri atë grua, po në atë sallë. Është akti i përsëritjes, i kujtesës, ai që thekson mesazhi i tregimit. Përsëdytja e rrëfen veprimin jo si rastësi, por si një ndodhi e përjetuar dhe e paramenduar. Kjo është një ngjarje mbresëlënëse. Në tekst thuhet: “Ishte rinia e tyre e humbur, që shfaqej me ca ngjyra disi të ndezura në pasditen e jetës së tyre dhe tentonte t’u jepte zë gjithë ç’ndjenin e mendonin secili me vetveten”.
Teksti jep dinamikën shpirtërore nëpërmjet lirizmit që ndihet. Nënteksti është tepër i qartë. Ata u rikthyen tek e dikurshmja e tyre, te fillesa. U kthyen në moshën rinore dhe e humbën kohën reale, duke u ndalur tek koha imagjinare. Është kjo ndjesi lirike që vë në lëvizje botën shpirtërore të shikuesit të tablosë.
Narratori është si një kamerë që fikson, por nuk u afrohet tepër dhe nëpërmjet pyetjes, i jep një gjallëri tjetër tekstit. Në atë çast ata sikur e ndajnë në mes tyre nostalgjinë, pas atij dialogu miqësor dhe shoqëror. Pra, ishte një përjetim sa i natyrshëm, po aq edhe befasues. Të gjitha këto zhvillohen në heshtje të plotë. Edhe heshtja fsheh fshehtësinë dhe njëkohësisht komunikon.
Në tregimin “E papërsëritshmja” ngjarja nis në të shkuarën e hershme. Kjo ishte koha e dikurshme e fëmijërisë që sillet si kujtim, si një dëshmi, si nostalgji. Tashmë ishin në një moshë të rritur, pra nuk mund të trajtoheshin si më parë. Mosha ishte një shkak. Ishte po ky kopsht që i bashkonte dikur, ndërsa më pas i ndau. Vetëm dëshira imagjinare mund ta kthente kohën mbrapsht. Por edhe kjo kohë kishte ngrirë. Tashmë kishte mbetur vetëm një segment i kohës reale. E vetmja kohë, kur ata mund të ishin së bashku, ishte ajo e vjeljes së portokajve. Në këtë tregim, ndjesia e afrimit ka nisur qysh në fëmijëri, prej të qenit fqinjë dhe gradualisht duke u rritur zëvendësohet prej heshtjes dhe me kalimin e viteve, shndërrohet në një shenjë dhe ngacmim ndjenjësor intim. Ndërsa akti i fundit vjen si një kohë e përshtatshme dhe krejt natyrshëm.
Sa ngjashmëri ka pema me dashurinë! Pema si një shkak për afrim dhe afrimi si fillesë për dashuri. Pema ka stinët e saj, ashtu siç ka dashuria stinën e vet. Dashuria ka pamjen e stuhisë në kohë të kthjellët. Ndjesia e brendshme është si rryma e ajrit që zbret nga lart dhe e zhvendos atë që është në tokë duke krijuar stuhi. “Dihatja e tij u shndërrua në një frymë të ngrohtë. Ajo frymë u bashkua me timen dhe bëri që gjoksi të merrte zjarr. Psherëtiva thellë. O Zot i madh, sa e shkurtër kishte qenë ajo lumturi”.
Në tregimin “Manastiri i dashurisë” është fokusuar një kronikë dashurie që zhvillohet në sferat e larta të shoqërisë aristokrate të Kostandinopojës. Flitet për një lidhje të mundshme midis vajzës së bukur Kasiani dhe Perandorit Teofil. Një dialog i shkurtër midis tyre, një pyetje dhe një përgjigje bëhen shkak për asgjësimin e një embrioni dashuror, qysh në takimin e parë. Befas ndodh e papritura që e rrëzon apo e shkatërron ngrehinën. Perandori nuk e priste këtë prej saj, kur të gjitha vajzat i ishin përgjigjur kësaj pyetjeje me përulësi. Ishte sedra e fyer e Perandorit që nuk e pranoi. Ishte një e vërtetë e shenjtëruar që Kasiania nuk e shkeli.
U desh vetëm një përgjigje që të shembej ajo që sapo formësohej. U prek sedra e sëmurë e Perandorit. Pas kësaj, koha në tregim duket sikur ngrin dhe mbulohet prej heshtjes. Në këtë ndërprerje e boshësi të moskomunikimit, ka nisur të marrë trajtë dashuria. Pas shumë vitesh, Zoti i madh, zgjoi në zemrën e Perandorit Teofil dëshirën të vizitonte manastirin e grave në brigjet e Egjeut. Dashuria, ndonëse nuk u shpreh me gojë prej asnjërit, mbeti e shkruar po prej dorës së tyre përmes vargjeve në pergamenë.
A mos është mëkati i Perandorit ndaj Kasianisë apo dashuria për Kasianinë që ai e vuajti aq gjatë? Për herë të parë një burrë shkelte në një manastir grash. Teofili jo vetëm që nuk e kishte harruar, por ajo ishte bërë ëndrra e tij. Ata nuk u panë, por shkëmbyen mesazhe me anë të vargjeve të shkruara. Ata kurrë nuk do të takoheshin, se ajo u fut në katakomb dhe nuk doli. Kjo është një tjetër e papritur e këtij tregimi të realizuar me art. Teofili, para ikonës së Shën Mërisë, u përgjunj dhe u lut: “Falmë mëkatin e rinisë sime që helmoi gjithë jetën time”. Ai vërejti pergamenën ku ishin shkruar vargje dashurie prej Kasianisë dhe të njëjtin veprim bëri edhe ai për të.
Dashuria e lindur para tridhjetë vjetëve, mbeti si një qiri i ndezur. Vendimi për të mos e takuar kurrë dhe për të mos e pritur kurrë, nuk është dobësi apo mëri gruaje, por një akt dinjiteti e krenarie. Dashuria e penguar, është një dashuri e përjetshme. Ajo vdes bashkë me njeriun. Ky tregim është ndër të rrallët në prozën tonë, një tregim antologjik.
Prozat e shkurtra në këtë vëllim, janë rrëfenja të kondensuara ndjenjash. Janë si grimca të një minerali të çmuar me vlera ideoemocionale. Proza e shkurtër përcjell një ndjesi apo ndodhi si rastësi. Në këto rrëfime, ndeshim një dendësi të veprimit dhe harmonizim të narracionit. Nëse tregimin do ta përqasnim si film me metrazh të gjatë, për prozat e shkurtra do të shpreheshim se janë si etyde filmike. Ndonëse hapësira e tij është e kufizuar, shtërzimi ndjesor e bën më të plotë. Ndër këto rrëfenjëza, do të përmendnim: “Momento”, “Guri i zemrës”, “Paradoks”, “Metamorfoza”, “Trishtim për bukurinë”, “Nesër”, “Intimitet”, “Tundim”, “Kur dashuria vdes”, “Atëherë”, “Kur të mos jem më “, “Shkretim i dashurisë” etj.
Në prozën e shkurtër të Nasho Jorgaqit dashuria shfaqet si ritual magjik, si jehonë apo dritësim, si një re e bardhë puplore, si droje apo strehë për zemrën. Prozatori jep metamorfozën e shpirtit të dashuruar në çdo moshë dhe në çdo stinë. Një dashuri që shndërrohet në statujë apo në flutur, në krahë kujtimesh ku “Dashuria i ngjan netëve të bardha”, “Bukuria e gruas, si bukuria e pyllit”, “Emri yt kthehet në këngë”, “Çdo lule kish emrin tënd, çdo pemë kish emrin tim”. Ndizej fjala brenda shpirtit tim të flakëruar. Dashuria kthehet në perëndi, në lodër, në jetime etj.
Vëllimin “Netët e bardha të dashurisë” mund ta krahasosh me një album poetik dashurie; sikur e sheh me sy dhe e lexon me ëndje, të nxit kujtesën, të ngroh shpirtërisht, si një tekst i zgjedhur prej një pene të sprovuar, si kjo e prozatorit Nasho Jorgaqi.
Vlerësime
Një prozë e brishtë, e tejdukshme si xham nga një rërë pa hekur të tepërt e që mund t'ia turbullonte ngjyrën... Nasho Jorgaqi del një mjeshtër i shquar i bukurisë së fjalës shqipe...
Dritëro Agolli
Prozat e Nasho Jorgaqit unë i lexoj me një frymë. Më tërheq fort lirizmi i thellë. Një dhembje lirike që të prek. Është një enciklopedi e botës dhe e shqetësimeve të njeriut shqiptar...
Nasi Lera
Proza e Nasho Jorgaqit është si një aromë gati e pandjeshme e luleve... dhe autori i saj një vrojtues i thellë i shpirtit njerëzor, një mjeshtër i përjetimeve të hijedritave të tij.
Vath Koreshi
Nëpër këto etyde dhe proza të shkurtra letrare ka një harlisje ndjenjash e metafora që të mrekullojnë me aromën e një lirishteje... Nasho Jorgaqi punon si në filigran, i përkushtuar dhe pareshtur, duke derdhur jo vetëm pasion të thellë, por dhe shumë delikatesë, finesë, poezi...
Ymer Çiraku
Tabaku, "rrëfim real" për lirinë
Romani "Baleti i drerit të plagosur" i shkrimtarit dhe gazetarit të njohur, Vasil Tabaku, është një krijim i veçantë, që të mbush plot emocion, i bazuar mbi një temë dhe personazhe reale tepër ngacmuese të historisë sonë kombëtare. Ngjarjet dhe personazhet e Tabakut, të përzgjedhura me kujdes nga koha reale dhe të veshura artistikisht, zhvendosen lirshëm sa në Tiranë, aq dhe në Prishtinë, sa në bjeshkët e Alpeve ku vazhdon të shkruhet Eposi, aq dhe në Hagë. Autori nëpërmjet personazheve të tij përcjell me një gjuhë të thjeshtë, por të pastër te lexuesi, dëshmi tronditëse nga ngjarjet që ndodhën 10 vjet më parë në Kosovë, ku me gjithë gjenocidin e pashembullt të ushtarakëve serbë, kosovarët jo vetëm mbijetuan, por arritën të fitonin lirinë, atë liri të ëndërruar dhe të mohuar, por të arritur më në fund me gjak. Tabaku, duke i shpëtuar me mjeshtëri renditjes kronologjike të datave historike, ka arritur të sjellë në dritë një vepër të mbështetur mbi ndjenjat që çlirojnë personazhet e tij, ku të papriturat që kalojnë, herë të këndshme dhe herë të hidhura, të mbajnë me ëndje deri në fund për të përfunduar librin, sapo të kesh lexuar faqet e para. Romani është shkruar gjatë 5 viteve 2002-2007, ku akoma janë të freskëta kujtimet për atë ngjarje historike të arritur jo vetëm për Kosovën, por për mbarë shqiptarët. Dëshmitar i këtyre ngjarjeve, Tabaku, falë edhe eksperiencës së tij mbas 12 librave të shkruar, por mbi të gjitha edhe i përvojës së tij si gazetar, ka derdhur plot pasion në faqet e këtij romani, ndër të parët në llojin e vet për këtë ngjarje, fakte rrëqethëse nga gjenocidi i ushtruar mbi kosovarët, mbi traumat që ata përjetuan, por dhe ëndrrën e tyre për të jetuar në liri. Nga ana tjetër spikat në roman ideja jo vetëm e dënimit të këtyre akteve, por dhe toleranca e kosovarëve për të jetuar mbas fitores së kësaj lirie në një bashkëjetesë miqësore me serbët si dy popuj fqinj. Dhe kjo ide përbën një nga boshtet kryesore të romanit, që pasqyrohet nëpërmjet personazhit kryesor, Erës, apo siç quhet ndryshe nga autori, Helena e Prishtinës, e cila megjithëse e trajtuar në mënyrë çnjerëzore nga paramilitarët serbë, ishte e dashuruar me një të ri serb, dashuri që iu mohua deri në fund. Por mbi këtë tragjedi, ngjarje të tjera, dashuri të reja lindin për t'i dhënë kuptim jetës, për ta pasuruar atë...