Dje në Akademinë e Shkencave u prezantua vepra e plotë e Hoxha Tahsinit. Botimi i kësaj vepre është mundësuar nga stërmbesa e tij, Manushaqe Halili. Hasan Tahsini (1811-1881), ka qenë personalitet i rëndësishëm i lëvizjes nacionale shqiptare me ndikim të fuqishëm në jetën publike osmane të shekullit XIX. Periudha kohore në të cilën ai jetoi është shumë e rëndësishme për të kuptuar jetën intelektuale të Perandorisë Osmane, marrëdhëniet lindje-perëndim dhe padyshim ato çfarë ai ka bërë për lëvizjen nacionale shqiptare. Hasan Tahsini ka qenë njohës i qytetërimit lindor dhe perëndimor. Shteti osman për shkak të nivelit të tij intelektual e përzgjodhi dhe e dërgoi në Paris me synimin për të sjellë në Perandorinë Osmane filozofinë dhe racionalizimin evropian. Kurba e aktivitetit të tij intelektual kulmoi me emërimin në pozicionin e rektorit të parë të Universitetit të Stambollit. “Është befasues fakti që shkalla e njohjes, që kemi brenda Shqipërisë për këtë personalitet është në raport të zhdrejtë me aktivitetin e tij intensiv, në shumë plane dhe fusha si nacionalist shqiptar, dijetar islam, shkencëtar, filozof dhe personalitet publik në Perandorinë Osmane.
Nëse nuk do të ishte stërmbesa e tij, që do ta realizonte këtë promovim, atëherë do të ishte e pamundur që t’i kishim në duar veprat e tij edhe sot”, thotë studiuesi Moikom Zeqo, gjatë referimit që mbajti në Akademinë e Shkencave, për promovimin e vëllimeve të veprave të tij. Stërmbesa e Hoxha Tahsinit, Halili, ka bërë disa udhëtime në Stamboll. Ajo ka vizituar nga afër jo vetëm shtëpinë, ka përfytyruar bibliotekën, teleskopin, shtratin ku ka qëndruar Tahsini para se të largohej nga jeta, por ka kërkuar edhe varrin, ku treten eshtrat e tij. Halili ka fotokopjuar të gjitha veprat e Tahsinit, që vazhdojnë të ruhen në bibliotekat e Stambollit. Ka takuar gjuhëtarë e studiues, që e kanë njohur dhe studiuar veprimtarinë e tij. Më pas, ka punuar me studiues, redaktorë edhe përkthyes, që të realizonte veprën prej tri vëllimesh në gjuhën shqipe . “Vepra e Hoxha Hasan Tahsinit në Shqipëri është ende e mangët. Hoxha Tahsini ka qenë gjithashtu mësues i rilindësve. Ishte mësues i Abdylit, Naimit e Samiut, Jani Vretos, Ismail Qemalit etj”, tha Manushaqe Halili, gjatë fjalës së saj.
“Ai ishte letrar, dijetar dhe filozof. Shpeshherë ka ndodhur që barkun ta ngopte me bukë thatë. Por, unë nuk e di as se, ku ndodhen eshtrat e tij, nuk i kam gjetur ende. Shpresoj që një ditë, nëse dikush i di, të thotë diçka. Pse jo, ky është një apel edhe ndaj organeve kompetente, për këtë figurë të njohur”, shprehet Halili. Sipas saj, për Hoxha Tahsinin, mund të dihet shumë, por është e vështirë të flitet për të, sepse ende nuk njihen plotësisht aktivitet e tij shkencore. “Ai ishte kundra biografive, pëlqente shumë antropologjinë dhe donte të merrej me shqetësimet e të gjithë njerëzimit. Por ai nuk pati trashëgimtarë, prandaj në kohën që ishte i sëmurë nga turbekulozi, pas vdekjes, veprat e tij u rrëmbyen dhe u shpartalluan. Për këtë duhet të them se Hoxha Tahsini ishte në radhën e njerëzve të mëdhenj”, shprehet Halili. Sipas akademikut Ali Aliu, veprat e tij janë dëshmi e një gjeniu që kërkon shpjegimin e çështjeve, e majës së majave, prej nga do të shqyrtohen dhe do të qartësohen të gjitha rrugët e tjera.
Çfarë përmbajtje ka vepra e Hoxha Tahsinit
Vëllimi i parë i veprës me mbi 200 faqe i Hoxha Tahsinit shoqërohet me vlerësimin e Sami Frashërit, si edhe me vlerësimin e Moikom Zeqos. Manushaqe Halili ka shkruar parathënien me titullin: “Hoxha Tahsini: Frymëzimi, krenaria dhe përkushtimi im”. Kapitujt kryesorë në vëllimin e parë janë: “Historia e qenies ose e krijimit”, “Sekretet e ujit dhe ajrit”, “Psikologjia” etj.
Vëllimi i dytë përmban rreth 350 faqe. Përmban lëndë të përkthyera nga dy numra të revistës shkencore“Mexhmua-I Ulum”, në të cilin kanë interes “Rregullorja për botimet e zakonshme” dhe bisedat për problemet me shumë interes të kohës së tij, ku shumica janë aktuale edhe sot. Në këtë vëllim të bie ne sy tema “Përparimi i arsimit, historia, klasifikimi dhe frytet e shkencave”. Vëllimi i tretë me rreth 300 faqe ka të botuar lëndën e disa numrave të revistës shkencore dhe vijon me “Historia e shkurtër e astronomisë”.
Jeta
Hasan Tahsini lindi më 1811 në Sarandë, Shqipëri, dhe vdiq më 1881. Ishte rilindës, filozof, dijetar i shkallës botërore e atdhetar pararojë i Rilindjes Kombëtare. Themelues i të parit universitet shtetëror në sulltanatin osman si dhe i “Xhemijeti Ilmijje-i Arnavudijjê” (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar). Ishte ndër të parët që mbolli dhe përhapi në masë mendimin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Tahsini punoi për alfabetin shqip dhe donte ta kishte të ndryshëm nga alfabetet e gjuhëve të tjera, për të treguar personalitetin e popullit të tij. Tahsini ka qenë mësues i Abdylit, Naimit,Samiut, Vaso Pashës, Jani Vretos, Ismail Qemalit e Daniel Oparakut.