Botohet për herë të parë në vendin tonë poeti i njohur me famë botërore Adonis, i shqipëruar nga poeti Visar Zhiti. Libri i tij me poezi, “Iluzioni i hapave të mi”, i jepet lexuesit nga Shtëpia botuese “UEGEN” në dy gjuhë, në shqip, të përkthyera nga italishtja me dëshirë të autorit, por dhe në origjinalin e tyre arabisht, që për herë të parë shoqëron botimin e një libri me poezi.
Adonis jeton në Francë qysh prej 30 vjetësh, por vendlindja e tij është Siria. Është botuar në shumë gjuhë të botës dhe ka marrë shumë çmime, jo vetëm në Europë dhe në botën arabe, por dhe në Amerikë e Kinë dhe është një nga kandidaturat më serioze për çmimin “Nobel”.
Botimi në shqip hapet me një hyrje të poetit të njohur Sebastiano Grasso, president i Pen Clubit Italian dhe me një pasthënie të gjerë nga shkrimtari Visar Zhiti, ku krahas vlerave dhe rëndësisë së poetit, ka një nënkapitull për diasporën shqiptare në Siri, e dalluar në fushën kulturore, veçanërisht në letërsinë e vendit. Me botimin e Adonisit plotësohet një kërshëri për poezinë e tij moderne dhe i shtohet lexuesit shqiptar një emër i ri, ndër më të njohurit e shekullit.